Nga Luljeta Dano-
Fjala e një Mjeshtri Biblioteke, si Moikom Zeqo kishte në çdo rast oshëtimën në ajër brenda një auditori, kudo ku ai fliste: në zyrën e punës në muze, në kafe a në një bisedë të zakonshme kur rastësisht këmbeheshe në rrugë, tempi i Tij i ligjërimit edhe në një bisedë informale ishte përherë, si nga një tribunë akademike.
Me idenë e një interviste të përbashkët, të cilës i kisha vendosur një titull të përkohshëm “Lisi/Rrënjët”, për paralelet ballafaquese mes arkeologjisë, etnologjisë, gjuhës së simboleve, si edhe letërsisë, (mbi temat që thamë të trajtonim aty, por që për fat të keq nuk u realizua), këto janë dy mendime për Zotin dhe Kohën, nga Moikom Zeqo, që i kam mbajtur shënim me shkrim dore gjatë një bashkëbisedimi në kafe.
Nga LuL. Dano: Prof. Moikomi, ndonëse ju në çdo faqe teksti të shkruar letrar i drejtoheni Zotit, madje nuk ju mjafton përmendja e Të Lartit një herë, por i drejtoheni në trajtë dyfishe: Zotit, Zotit, por thoni, se nuk e pranoni besimin në fè, ndaj po ju pyes me zë të ulët: Me të vërtetë jeni agnostik dhe nuk besoni te Zoti?! Se shkrimtaria juaj rrëfehet, që jeni besimtari më i përunjtë, a kemi një apori (duke pyetur vetveten) tuajën mbi Doktrinën, edhe si autor i një libri eterik, si “Syri i tretë: Naim Frashëri dhe bektashizmi”?
Moikom Zeqo: Zoti është infiniti. Nuk fitohet asnjëherë lufta me Absolutin. E në këtë pamundësi mosfitimi, pikërisht mosfitimi përbën Gjenezën e Artit dhe gjeneron krijimin.
A është Arti vetë përsosmëria? Fuqia e tij nuk është te përsosmëria, por te papërsosmëria, si origjinalitet që kundërshton dhe i afrohet përsosmërisë. Pa kundërshtim nuk ka afrim! Duket si apori e Zenonit e çdo apori e Zenonit është paradoks i lëvizjes asnjëherë të përfunduar. Nëse thuhet breshka kalon Akilin, ne mund të mbartim të njëjtën ide – paradoks për Artin. Këtë substancë ka kuptuar Floberi i madh, nga të rrallët në botë. Nga një letër e Floberit kam lexuar të mos e kërkojmë të përsosurën te artistët e mëdhenj, si p.sh. Homeri, i cili kërkon të na çudisë me një përmbajtje të pazakontë, por edhe të përzier. Quhet e përzier, aty ku e larta është me të ultën, madhështorja me komiken në një sintezë aspak këlthitëse, aspak kundërshtuese. Stilin e të ashtuquajturës të përsosur kërkojeni te Horaci, thotë Floberi, i cili lëmon gjer në sterilitet çdo varg.
Por përsosmëria e Homerit është shumë më tepër se përsosmëria e Horacit. Kjo nuk është luftë kuptimshmërish, por është një nga sekretet më të mëdha të artit të madh që kontraston me artin më minor, sepse bën alibinë e formës me përmbajtjen. Çdo përsosmëri është një formulë që parakupton simetrinë.
Ftillëzimi i artit është asimetria, jo harmonia e jashtme, por harmonia e brendshme. Asimetria mund të japë lëvizjen, kurse simetria njeriun e gjallë që lëviz e kthen në skulpturë. Kontrasti është tepër i lexueshëm.
Raporti midis infinitit dhe të limituarës është raport që vërtetohet nga kozmosi. Tërë sondat kozmike na tregojnë se elementët kozmikë janë po ata të tabelës së Mendelejevit. Atomi i syrit të specieve të gjalla mbi Tokë është i barabartë me atomin e Yllit.
L. Dano: Kryqin e kemi mësuar si Kohë që bie pingul e pret hapësirën, por ky konvencion është i kuptueshëm brenda kupës tonë qiellore. Mos vallë krahët e kryqit lëkunden dhe bien në Univers, Koha kozmike dhe Hapësira kozmike atëherë mund të bëhen e njëjta gjë?
Moikom Zeqo: Koha astronomike nuk është njerëzore.
Shën Agustini është marrë gjithë jetën e tij me konceptin e kohës dhe nuk e gjeti dot te libri i famshëm “Rrëfimet”, dha vetëm disa shpjegime që asnjeherë nuk u përcaktuan.
Gjithë problemi është te rrjedha fizike e prekjes. Koha njerëzore ka krijuar konceptet E Shkuar, E Tanishme, E Ardhme.
E Ardhmja dhe e Shkuara nuk janë E Tanishme, porse koha në vetvete është veçse E Tanishme. E Ardhmja është potencialisht E Tanishme, sepse pret të bëhet e tillë, pastaj kalon dhe shndërrohet në E Shkuar. Kurse E Shkuara nuk është asnjëherë potencialisht E Tanishme.
E Shkuara është gjithmonë fantazma e Së Ardhmes.
Shënim rreth fundit të v.2007
Foto e v.2017

