Nga Umberto Eko-
Çka trajtojnë sot mas mediat, universiteti e trajtonte njëzet vjet më parë; dhe atë që universiteti trajton sot, mediat do ta raportojnë pas njëzet vitesh. Të shfrytëzosh sa më mirë universitetin do të thotë të kesh një avantazh kohor prej njëzet vitesh. Është e njëjta arsye pse aftësia për të lexuar e zgjat jetën e njeriut. Ata që nuk lexojnë kanë vetëm jetën e tyre – e cila, ju siguroj, është shumë pak. Ne, nga ana tjetër, kur të vdesim, do të kujtojmë se kemi kaluar Rubikonin me Qezarin, se kemi luftuar në Vaterlo me Napoleonin, se kemi udhëtuar me Guliverin dhe jemi takuar me xhuxhë e gjigantë. Një ngushëllim i vogël për mungesën e pavdekësisë.
***
Ligjërata e profesorit në ditën e parë të kursit universitar: “Nëse ju caktojnë 100 faqe, lexoni 300: shkelini rregullat. Diploma trevjeçare, në formën që ka aktualisht, është një katastrofë.” “Nëse, siç e kërkon reforma, ju duhet të studioni njëqind faqe për një provim, studioni treqind. Shkeleni rregullin. Sepse, në fund të fundit, dhjetë për qind e jush do të kenë bërë punën e duhur dhe do të bëhen elita. Të tjerët — ata që ndoqën rregullat — do të përfundojnë si të diplomuar që punojnë në parkingje.” Kështu u drejtohet Umberto Eco më shumë se dyqind studentëve të sapoardhur, me sytë plot kureshtje, gjatë ditës së mirëseardhjes në degën e Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Bolonjës — pikërisht dega që semiotiku themeloi në vitin 1992 dhe që tani e ka rikthyer në katedër për t’u dhënë udhëzime. Katër breza studentësh më vonë: fytyra që ende ruajnë pamjen e gjimnazistëve — të hutuar në ditën e tyre të parë, të mësuar të mbahen për dore. Ai flet pa shënime, duke kaluar nga ditët e tij si student — diploma në Filozofi në Torino (1950–1954), tetëmbëdhjetë provimet “mjaft të vështira”, si dhe kurset e specializuara e veprat klasike si *Qenia dhe Koha*, të cilat duheshin lexuar krahas programit standard — te kurset e sotme, ku provimet përfshijnë vetëm njëqind faqe. “Ju siguroj se askush nuk ka vdekur ndonjëherë nga puna e rëndë; në moshën njëzet e katër vjeçare, mund t’ia dilni mbanë – keni po aq neurone sa keni edhe spermatozoidë.” Mes batutave dhe citateve të thelluara, Umberto Eko thekson rëndësinë e studimit. Ai e miraton të ashtuquajturën reformë universitare “3+2” – “ishte gjë e mirë të përafroheshim me sistemet akademike të vendeve të tjera; vetëm 30 për qind e studentëve tanë arrinin realisht të diplomoheshin, ndërsa të tjerët ose ishin me vonesë, ose ishin ‘në gjumë'” – por nuk e miraton mënyrën e zbatimit të saj: “herezinë e krediteve” (të bazuara në orët e studimit të nevojshme për të dhënë një provim) dhe absurditetin e kufirit maksimal të faqeve të përcaktuar me ligj për çdo provim. Pastaj është edhe ajo fiksimi tipik italian pas titujve: njeriu bëhet *dottore* pas vetëm tri vitesh – “sa shpesh kam shkruar se ky është një gabim.” Eko vë në dukje modelin e studimit jashtë vendit: tri vite, të ndjekura nga një program masteri dyvjeçar dhe, së fundmi, doktoratura e famshme (PhD – shkurtim për *Doctor of Philosophy*). “Në asnjë vend tjetër të botës një student që ka përfunduar tri vite universitet nuk quhet ‘Doktor’. Si quhen ndryshe? Zotëri, *monsieur*, *signore*. Jashtë vendit, nuk ekziston gjë e tillë si ‘doktor restoranti’ apo ‘doktor parkimi’.” Tri vite universitet – si rruga që kanë përpara të rinjtë dhe të rejat që e dëgjojnë – janë tashmë më se të respektueshme: “Mund të bëhesh President i Shteteve të Bashkuara, si Bushi.” Për Ekon, sekreti i suksesit nuk qëndron aq te ajo që mësohet, por “te një stil jetese monastik: kjo është ajo që e bën të mirë një universitet”. Me fjalë të tjera, stili i kolegjit. “Për fat të mirë, kur erdhi reforma, unë shkova të drejtoja Shkollën e Studimeve të Avancuara në Shkencat Humane dhe nuk m’u desh të merresha me ju,” vazhdon Eko. “Sepse me siguri do të kisha gjetur dikë që do të më kundërshtonte për një tekst prej 115 faqesh, kur sipas ligjit duhej të ishte 110.” Këtu vjen edhe paralajmërimi: “Është një mashtrim në kurrizin tuaj – kini kujdes për këtë. Si mund t’ia dilni mbanë? Duke kuptuar se në universitet jeni pjesëmarrës aktivë, jo pasivë.” Është një thirrje për të marrë iniciativën: “Në kohën time, ne ndiqnim leksione mbi shkrimet dytësore të Dekartit. Tani, me shembjen e pjesshme të sistemit të shkollës së mesme dhe provimet që përfshijnë vetëm njëqind faqe, kurset e specializuara monografike janë zhdukur. Po ju privojnë edhe nga kjo; mos e lejoni të ndodhë – krijoni vetë kursin tuaj monografik.” Një pjesë e leksionit i kushtohet internetit. Eko gjendet përballë brezit të Fejsbukut dhe Wikipedise Dhe pikërisht këtu qëndron kurthi. “Duhet të mësoni të fshini nga kujtesa atë që është e panevojshme dhe të njihni burimet e besueshme. Si e kultivoni këtë art të gjykimit? E mësoni vetëm përmes praktikës, ashtu si në pikturë. Universiteti ju ofron një laborator të gjallë; prandaj është katastrofë të kesh provime që bazohen në tekste prej qindra faqesh.” Dhe më tej: “Interneti po u mundëson brezave të tërë të fitojnë njohuritë bazë, por mund të jetë disavantazh për ata që nuk e nisin nga e para, siç bëni ju. Një shoqëri funksionale mbështetet te një fond i përbashkët njohurish: tabelat e shumëzimit, fakti që Toka është e rrumbullakët. Nëse universiteti nuk do të ekzistonte për të ruajtur këtë enciklopedi dhe nëse secili do t’i ndërtonte njohuritë e veta vetëm duke lundruar në internet, do të përfundonim me gjashtë miliardë enciklopedi të ndryshme; komunikimi do të shembej, duke çuar në rënien e qytetërimit.” Këtu qëndron vlera e universitetit. “Çfarëdo që trajtojnë mediat masive sot, universiteti e ka trajtuar njëzet vjet më parë; dhe ajo me të cilën merret universiteti sot, do të raportohet nga mediat masive pas njëzet vitesh. Të shfrytëzosh sa më mirë universitetin do të thotë të kesh një avantazh kohor prej njëzet vitesh. Është e njëjta arsye pse leximi e zgjat jetën. Ata që nuk lexojnë kanë vetëm jetën e tyre – e cila, ju siguroj, është shumë pak. Ne, nga ana tjetër, kur të vdesim, do të kujtojmë se kemi kaluar Rubikonin me Cezarin, se kemi luftuar në Vaterlo me Napoleonin, se kemi udhëtuar me Guliverin dhe jemi takuar me xhuxhë e gjigantë. Një ngushëllim i vogël për mungesën e pavdekësisë. Gjithë të mirat.” Duartrokitje. Pastaj, lamtumira: “Besoj se nuk kam më asgjë për të thënë, e megjithatë ju kam mësuar urtësinë.”
Solli ne shqip nga “La Republicca”, Mirlinda Prendi

