Une, ish drejtori i burgut te Ballshit, si e njoha At Zef Pllumin. Me vone, me shkolloi djalin dhe erdhi ne dasmen tone

18 Minuta Lexim

Nga Xhevdet Sakaj-

Kujtime, mbresa dhe mirënjohje për Njeriun e Mirë, “Nderi i Kombit”, At Zef Pllumi!

Priftin françeskan At Zef Pllumi për herë të parë e kam njohur në shtator të vitit 1979 në burgun e Ballshit, kur unë, nga ish-komandant kufiri, u emërova komandant i atij burgu. Ndërkohë, Zef Pllumi, së bashku me rreth 1 200 persona të tjerë, ishin të burgosur politikë për krime kundër shtetit.

Fillimisht, ashtu si për shumë të burgosur të tjerë, edhe për priftin Zef Pllumi, historinë e jetës së tij e mësova nga dosja personale (më shumë për kuriozitet sesa për detyrë funksionale).

At Zef Pllumi kishte lindur në fshatin Mali i Rrethit (Mal Kolaj) të Lezhës më 7 prill 1924 dhe është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare, më 25 shtator 2007, në Romë nga një sëmundje e rëndë, duke marrë me vete, por edhe duke lënë pas, titujt e nderit “Pena e Artë” dhe “Nderi i Kombit”.

Viti 2026 shënon 102-vjetorin e lindjes dhe 19-vjetorin e ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit.

Në nderim e respekt të tij, unë sot po hedh në letër kujtimet dhe mbresat që ruaj për të.

Nga të dhënat e dosjes së tij, Zef Pllumi është dënuar dy herë me burgim: herën e parë në vitin 1946 me tri vite burg, në moshën 22-vjeçare, kur u mbyll Kuvendi Françeskan; dhe herën e dytë me 23 vite burg në vitin 1967, kur me ligj u ndalua feja dhe u prishën të gjitha institucionet fetare në Shqipëri, nga ku u lirua në prill të vitit 1989 me plotësimin e kohës së dënimit. Kjo është njohja ime (le ta quajmë njohje empirike) me At Zef Pllumin, ndërsa njohja racionale, direkte e nga afër me të, është ajo e periudhës shtator 1979 – mars 1983, kur burgu i Ballshit u shpërbë dhe të burgosurit u shpërndanë në burgje të tjera: Spaç, Qafë-Bari, Zejmen të Lezhës, Shënvasil të Sarandës etj. (Zefi kaloi nga Zejmeni në Shënvasil), ndërsa unë u transferova në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Edhe pse me këtë rast u shkëputën kontaktet mes nesh, respekti dhe kujtimet nuk u zbehën asnjëherë. Sjellja dhe qëndrimi i Zefit gjatë vuajtjes së dënimit ishin korrekte, të disiplinuara, punëtore dhe pa probleme në zbatim të kërkesave të rregullave dhe regjimit të burgut, të paktën për aq kohë sa ishim në Ballsh.

At Zefi ishte i shkolluar, por edhe i zgjuar nga natyra; ai fliste disa gjuhë të huaja, ishte fjalëpakë e punëshumë. Zefi, së bashku me Gëzim Peshkëpinë, u dhanë një pamje shumë të bukur e çlodhëse ambienteve të burgut me trëndafila, karafila e lule shumëngjyrëshe aromatike. Gjithashtu, së bashku me inxhinierin e talentuar Hajredin Fratari, ndërtuan një shatërvan të bukur në mes të oborrit të kampit, si dhe u kujdesën për mbarështimin e mbi 300 pëllumbave, të cilët gjithë ditën fluturonin mbi kokat e të burgosurve që i ushqenin dhe ishin miqësuar me ta.

Kam shumë kujtime e mbresa për të shkruar e treguar për burgun dhe të burgosurit e Ballshit, por sot po ndalem vetëm te At Zef Pllumi, në kujtim e respekt në 19-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Për shkak të detyrës si komandant i burgut, shpesh më duhej të hyja brenda ambienteve të tij, madje edhe 2-3 herë në ditë, ku përballesha me të burgosurit, i përshëndesja, u flisja, i takoja duke u dhënë dorën e duke i pyetur për probleme të ndryshme personale e familjare… (krejt normale).

Ishte maji ose qershori i vitit 1994. Kishin kaluar 10-12 vjet pa u parë e pa u dëgjuar me njëri-tjetrin, kur rastësisht te Pazari i Ri takoj Gëzim M. Peshkëpinë, ish-të burgosurin dhe mikun e ngushtë të At Zefit. Me Gëzimin biseduam gjatë. Ai më tregoi edhe për Zefin, i cili ndodhej në Kishën Françeskane aty pranë Pazarit të Ri, dhe më tha se ai dëshironte të më takonte edhe mua. Pas një jave shkova në kishë dhe u takuam shumë miqësisht me At Zef Pllumin, ku qëndruam së bashku për gati dy orë me tregime, kujtime dhe mbresa për burgun dhe të burgosurit e Ballshit etj.

Pak pasi kishim filluar bisedën, i zoti i shtëpisë (Zefi) thirri një zonjë që punonte në kishë dhe na prezantoi, duke i treguar asaj se unë isha komandanti i burgut të Ballshit, ndërsa mua më prezantoi me të duke më thënë se ajo ishte Mimoza Ahmeti (poetja e nderuar dhe e mirënjohur), e cila na shërbeu me kafe, mollë etj. Mimozës mund të mos i kujtohet ai rast, ndërsa unë nuk e harroj kurrë! Gjatë atij takimi prej rreth dy orësh me të paharruarin At Zef Pllumi, biseduam e kujtuam shumë gjëra e ngjarje nga burgu e të burgosurit e Ballshit… ku ndër të tjera ai tha: “Të burgosurit e Ballshit, jo vetëm gjatë atyre viteve kur ju ishit komandant burgu ju kanë nderuar e respektuar, por edhe tani, pas shumë vitesh nga dalja nga burgu, disa që kam takuar ju kujtojnë e ju përmendin me respekt. Sikur dikush prej tyre të kishte diçka në dorë, do të ishte i gatshëm t’ju ndihmonte… Kurse unë vetë kam dëshirë dhe mundësi t’ju ndihmoj, nëse jeni dakord.” “Ju falënderoj, por unë kam nevojë për shumë gjëra e nuk e di se me çfarë mund të më ndihmoni?” Ai më befasoi kur më tha: “Po ja, atë djalin e vogël që vinte te burgu i Ballshit, nëse jeni dakord ti dhe djali, e dërgoj në shkollë dyvjeçare për sistemin e kompjuterëve në Padova të Italisë, pa asnjë problem nga ana ime e pa asnjë lloj detyrimi apo shpenzimi nga ana juaj.” Për mua kjo ishte një surprizë e papritur dhe e jashtëzakonshme! Me shumë kënaqësi, falënderim, mirënjohje e i emocionuar, me buzëqeshje i thashë: “Shumë faleminderit, miku im, më ke lënë pa fjalë!” Dhe me humor e buzëqeshje vazhdova: “Por mos harro se unë jam ai ish-komandanti i burgut, kurse ti je ai ish-i burgosuri politik atje në Ballsh…!” E ai burrë i urtë, i qetë, i mençur, tolerant e aspak hakmarrës, me humor e buzëqeshje m’u përgjigj: “Ani, komunistë si ti le të ketë sa më shumë Shqipëria, sepse armiq si unë nuk i bëjnë keq Shqipërisë…!”

Kështu, me shumë kënaqësi për të dyja palët, por më shumë për mua, pasi mora të gjitha udhëzimet e nevojshme se çfarë duhej të bëja unë për plotësimin e dokumenteve të djalit dhe çfarë do të bënte Prifti për procedurën e dërgimit të djalit në shkollë në Itali, u ndamë atë ditë.

Në mesin e shtatorit 1994, At Zefi më mori në telefon e më tha: “Javën që vjen po vij t’ju sjell lajmin e mirë dhe dokumentet për Albertin, të cilat janë gati për në shkollë.” Pas një jave, ditën e caktuar, Padre Zefi më erdhi në shtëpi bashkë me nipin e tij, solli dosjen me dokumentet e përfunduara dhe kaluam një drekë familjare shumë të këndshme, të gëzueshme e miqësore.

Në tetor të atij viti, Berti filloi shkollën për elektronikë dhe pas dy vitesh e përfundoi atë me sukses. Atë shkollë dhe profesion, të cilin Berti e mori nga ndihma dhe përkrahja e jashtëzakonshme e At Zef Pllumit në Itali, e perfeksionoi më tej dhe e ushtron edhe aktualisht këtu në Amerikë. Për këtë nder e respekt që na dhuroi ai njeri i mirë, të gjithë ne familjarisht i jemi mirënjohës pa kufi. Në vitet 1993–2006, At Zefi shkroi dhe botoi librin e tij të famshëm “Rrno vetëm për me tregue” në tri vëllime, si dhe librin tjetër voluminoz prej 530 faqesh të kësaj gjinie, me titull “Histori kurrë e shkrueme”. Për punën, jetën, shkrimet dhe botimet e atyre veprave me vlera historike, At Zef Pllumi është nderuar me titujt e nderit “Pena e Artë” dhe “Nderi i Kombit”. Librat e sipërpërmendur të Zefit unë i kam dhe i ruaj si një dhuratë me vlera, por edhe për faktin se në secilin prej tyre kam dedikimet me shkrim dore dhe firmën e At Zef Pllumit. Në faqen e parë të vëllimit të tretë të librit “Rrno vetëm për me tregue”, ai shkruan: “Zotni Xhevdet Sakaj, ju shpreh kujtimet më të mira që ruaj për ato ditë të vështira e ngushëllimet humane që na i dhatë me sjelljet dhe qëndrimet tuaja si komandant i kampit të Ballshit. Nderimet më të thella, At Zef Pllumi.” Dhe po në atë libër, në faqet 265–272, ai shkruan (po shkëpus disa fragmente): “Pasi u largua Sami Kamberi, në burgun e Ballshit u emërua drejtor Xhevdet Sakaj, i cili vinte si komandant kufiri dhe nuk e kishte haberin e kampeve dhe burgjeve. Që në fillim u tregua tepër i mirë. Çdo ditë hynte në kamp dhe kishim vënë re se, që nga dera e kampit e deri te zyrat e këshillit teknik, çdo të burgosur që ndeshte e salutonte, e pyeste ‘si je, si po kalon’, duke u dhënë edhe dorën me mirëdashje si çdo njeriu të zakonshëm, ‘nga shtëpia a të kanë ardhur për takim’ etj. Kjo sjellje e tij ishte e pazakontë ndër kampe e burgje; kjo u vu re e u bënte përshtypje të burgosurve, ndaj të gjithë e donin dhe e respektonin. Ne të burgosurit, midis shokësh në grupe ose me njëri-tjetrin, flisnim për komandantin! ‘Si të duket?’, më pyetën mua. ‘Nuk di ç’ju me ju me thënë’, u thosha. ‘Shpeshherë në fillim njeriu paraqitet i shenjtë e del dreq, por ky deri tash paraqitet shenjt; se çfarë do të dalë…?’ Gjatë këtyre diskutimeve e analizave, Gëzim Peshkëpia tha: ‘Dëgjo, Pater, deri tani nuk na ka ardhur ndonjë komandant më i mirë, prandaj duhet ta mbështesim e mos ta lëmë me u djegur. Këtë mund ta bësh vetëm ti, pasi ke mundësi me e takuar e flet më kollaj me komandantin.’ ‘Do të mundohem të gjej rastin me i folur’, thashë.

Dhe në rastin më të parë që komandanti hyri në vendin ku unë punoja, më foli ‘si je’ dhe më zgjati dorën. Unë isha i përgatitur dhe ashtu në me këmbë, në qëndrim ‘gatitu’, nuk ia zgjata dorën, por i thashë: ‘Zotni komandant, ne jemi të burgosur politikë e ju jeni komandant i burgut, nuk lejohet e nuk duhet me na dhënë dorën.’ Por ai, ashtu me atë mënyrën e tij të komunikimit, duke buzëqeshur tha: ‘Hajt mor burrë, se po ta jap unë dorën i pari e ti nuk më refuzon dot’, e ma kapi dorën time. Unë vazhdova: ‘Këto janë mendimet edhe të të burgosurve të tjerë, se kemi frikë mos të largojnë prej këtu ose mos të sjellin midis nesh për zbutje të luftës së klasave, e ku dihet çfarë na sjellin këtu.’ Por edhe pas kësaj, Xhevdeti ndoshta u kufizua pak, por nuk u largua nga mënyra e tij e komunikimit, marrëdhënieve dhe e sjelljes deri në fund si njeri i mirë e human…!”

Ndërsa në faqen e parë të librit “Histori kurrë e shkrueme” që më dhuroi, në dedikim shkruan: “Shumë të nderuarit zotni Xhevdet Sakaj, me të cilin na lidhi një miqësi ndër ditët më të vështira të jetës së kaluar. At Zef Pllumi. Tiranë, 15 nëntor 2006” etj.

Në dhjetëditëshin e parë të muajit korrik 2006, gjeta rastin e shkova në banesën ku banonte Zefi, te nipi i tij te Pazari i Ri. E urova për titullin e lartë “Nderi i Kombit” që sapo i ishte akorduar, si dhe i dorëzova një zarf me ftesën që i drejtoja si mik i familjes për të na nderuar me pjesëmarrjen e tij në dasmën e djalit tim, Bertit, më datë 23 korrik 2006. Pasi e lexoi ftesën, ai u kënaq, u emocionua shumë dhe më tha: “Unë për këtë ditë kam tri ftesa, por do të vij te Alberti, se tash ai është edhe djali im.”

Erdhi në dasmë, kaluam shumë mirë e bukur me të ftuarin e nderit në tryezën familjare, ku bëmë edhe shumë foto, të cilat i kam dhe i ruaj me kujdes të veçantë si kujtim nga një mik po aq i veçantë!

Në shtator 2007, kur miku im u nda nga jeta, ndjeva shumë keqardhje, por ndodhesha në SHBA dhe nuk mora dot pjesë në ceremonitë mortore në nderim e respekt të At Zef Pllumit.

Në mbyllje të këtij shkrimi përkujtimor për Njeriun e Mirë, dëshiroj të kujtoj edhe dy momente: a) Libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue” është lexuar e pëlqyer edhe nga ish-Kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, i cili porositi përkthimin dhe botimin e tij në italisht. Libri në fjalë në mars të vitit 2012 është përkthyer në italisht nga znj. Keda Kaceli, njohëse dhe përkthyese e mirënjohur e italishtes, emigrante që nga viti 1991. Ai libër i përkthyer është botuar në 1 200 kopje me titullin “Il Sangue Di Abele” (Gjaku i Abelit)! Për atë vlerësim, përkthim e botim të atij libri, Silvio Berlusconi është nderuar me çmimin “At Zef Pllumi”, të cilin ia dorëzoi në Itali ish-Kryetari i Bashkisë Lezhë, Salvador Kaçaj, si vendi ku ka lindur At Zef Pllumi!

Këtë informacion e kam ndjekur direkt nga intervista që znj. Keda Kaceli ka dhënë në një studio televizive para disa vitesh, të cilën e kam ndjekur me interes.

b) Disa ditë para se At Zefi të ndahej nga jeta, është marrë në një intervistë nga gazetarja Majlinda Bregasi. Në bisedën e tyre prej rreth një ore, kur gazetarja midis shumë pyetjeve i drejtoi edhe pyetjen: “Si mendoni ju, nga u vjen e keqja më e madhe shqiptarëve?”, At Zefi, ashtu i lodhur, i mendueshëm e i ngadaltë, i u përgjigj: “E keqja më e madhe shqiptarëve u vjen prej vetvetes, prej njëri-tjetrit, prej vetë shqiptarëve. Ne nuk kemi dashuri për njëri-tjetrin, ne kemi hakmarrje e mllefe për njëri-tjetrin…” Ato fjalë ai i tha i përlotur, tek i dridheshin buza, mjekra e fytyra…!

Këto janë një pjesë e kujtimeve dhe mbresave që kam e ruaj për ish-të burgosurin politik At Zef Pllumi. Sikur të më jepej mundësia të shkruaja në ndonjë organ shtypi apo rrjet social për kujtimet e mbresat e mia për burgun dhe të burgosurit në Ballsh, e akoma më shumë për kujtimet, mbresat, ngjarjet dhe historitë nga jeta dhe karriera ime si oficer kufiri, do të duhej një rubrikë e veçantë e kohë e gjatë! Pushofsh i qetë e në paqe të përjetshme, miku im dhe i të gjithë shqiptarëve, At Zef Pllumi!

Xhevdet Sakaj, Çikago, gusht 2026.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull