Nga Ditmir Bushati-
Regjimi katërmbëdhjetë vjeçar i Aleksandar Vučić përfundoi. Serbia u çlirua, si pasojë e rezistencës dhe mobilizimit të gjerë politik e shoqëror brenda vendit dhe në diasporë. Lëvizja e udhëhequr nga studentët shënon një fitore historike. Koha do ta tregojë nëse ky mobilizim dhe angazhim do të përkthehet në ndryshime të qëndrueshme politike dhe demokratike.
Rrëzimi i Vučić nuk është provë se pushtetet despotike mund të mposhten në kushte normale. Kur studentëve u duhet të braktisin auditorët për të shpëtuar vendin e tyre, kjo nuk do të thotë se demokracia po funksionon siç duhet. Përkundrazi, është dëshmi se si duhet të “rrotullohen yjet” që një pushtet despotik të mundet.
Fakti që Lëvizja Studentore, e organizuar në mënyrë të disiplinuar dhe të decentralizuar, pa burime financiare, pa udhëheqës, pa mbështetje nga jashtë, pa infrastrukturë partiake dhe pa përvojë politike, arriti të mposhtë një makineri të fuqishme shtetërore të bazuar në klientelizëm, do të studiohet gjatë në kurset universitare apo në punimet akademike.
Pushteti i Vučić bazohej te kontrolli i jetës politike dhe ekonomike; patronazhimi i administratës publike; mediat e nënshtruara; mënjanimi dhe përjashtimi i personaliteteve politike në parti; përçarja dhe joshja e opozitës; keqpërdorimi i institucioneve të sigurisë dhe shtrëngimit të ligjit; korrupsionit si normë qeverisëse dhe aleancës me krimin e organizuar. Për një përiudhë kohe njerëzit u lodhën dhe u dorëzuan përballë këtij modeli.
Gjithçka nisi të ndryshojë më 1 nëntor 2024, kur streha prej betoni e një stacioni hekurudhor të rinovuar rishtazi në Novi Sad u shemb. Gjashtëmbëdhjetë persona humbën jetën, mes tyre fëmijë dhe studentë. Ndryshe nga skandalet e mëparshme, përballë të cilave qytetarët kishin reaguar me indiferencë, këtë herë studentët u ngritën në këmbë. Brenda pak muajsh, ata organizuan protesta, asamble të hapura, ku diskutonin se çfarë duhej të bënin më tej. Bojkotuan auditoret, marshuan me qindra kilometra, fjetën në palestrat e shkollave dhe biseduan me të gjitha shtresat dhe brezat e shoqërisë. Nga kjo dinamikë, lindi më vonë një lëvizje politike pa udhëheqës, e larmishme nga pikëpamja e vlerave, nga e majta në të djathtë, dhe e përfaqësimit të brezave të ndryshëm, në një listë zgjedhore, me synim çlirimin e shtetit dhe ndërtimin e një shteti demokratik.
Megjithëse kjo lëvizje është përballur me një pushtet thuasje absolut që kontrollon mekanizmat shtetërorë, me sulme, kërcënime dhe arrestime, ajo ruajti karakterin e saj jo të dhunshëm, duke dëshmuar se demokracia mund të ushtrohet edhe jashtë institucioneve politike tradicionale: në klasa, rrugë, dhe sheshe, duke bërë bashkë njerëz që dikur kishin pak arsye për të bashkëpunuar.
Fitorja e studentëve në Serbi, pas fitores së Peter Magyarit në Hungari, shënon fundin e brezit të parë të politikanëve të pas komunizmit. Në të njëjtën kohë, është sinjal i qartë shprese për Shqipërinë. Pavarësisht rrethanave dhe orientimit të ndryshëm gjeopolitik të vendeve tona, skemat dhe taktikat e Vučić për të mbajtur pushtetin kanë hedhur rrënjë edhe në Shqipëri. Në shumë raste inspiruesit janë të njëjtët lobistë, oligarkë, sondazhierë e gjithfarësoj teknologësh të komunikimit.
Nuk është fjala për shpresën se një pushtet mund të zëvendësohet me një tjetër. Por për mundësinë e një ripërtëritje demokratike, si përgjigje ndaj zhgënjimit e zemërimit të një brezi që është rritur mes skandaleve të shumta, vështirësive të panumërta dhe të njëjtëve udhëheqës. Një brez që ka lindur dhe është rritur duke parë të njëjtat probleme, pa marrë përgjigje për to.
Askush nuk e ndalon dot erën e ndryshimit që po fryn në rajonin tonë. Një ndryshim që vjen përmes solidaritetit, guximit dhe veprimit të përbashkët shoqëror. Një ndryshim që nuk do të jetë i lehtë, nuk do të vijë si dhuratë nga jashtë, dhe as produkt i një grupi personash. Përkundrazi,do të vijë si pasojë e përpjekjeve të përbashkëta që kërkojnë strategji, përqendrim forcash, etikë, ide dhe guxim. Ky ndryshim fillon me ndarjen e shtetit nga pushteti, rregulla loje dhe garë politike të barabartë, institucione demokratike, prerjen e lidhjeve të krimit të organizuar e korrupsionit. Garancia më e mirë për këtë është bashkëveprimi qytetar.

