Pacolli del nga SPAK pas 7 orësh: Bëra kallëzim penal për Aeroportin e Vlorës

1 Minuta Lexim

Biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas rreth shtatë orësh, ku është pyetur në kuadër të hetimeve për çështjen e Aeroportit të Vlorës.

Pas daljes nga prokuroria, Pacolli deklaroi për mediat se ka depozituar një kallëzim penal lidhur me këtë projekt.

“Unë vetëm kam bërë një denoncim penal për padrejtësitë që janë bërë deri më tani për Aeroportin e Vlorës”, u shpreh ai.

Biznesmeni ishte thirrur nga prokurorët e posaçëm në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen. Më herët, kompania e tij, Mabco Construction, kishte depozituar një kallëzim lidhur me pengesat, përplasjet ligjore dhe ndërhyrjet administrative që, sipas saj, prekin aksionet dhe pronësinë e shoqërisë “Vlora International Airport” (VIA).

Projekti i Aeroportit të Vlorës është përfshirë muajt e fundit në një konflikt ligjor dhe administrativ për pronësinë e aksioneve dhe menaxhimin e shoqërisë. Pacolli ka pretenduar se ka pasur ndërhyrje të paligjshme në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), si dhe përplasje me aksionarët e tjerë.

Deri më tani, Pacolli i ka paraqitur këto çështje si pretendime për parregullsi dhe padrejtësi, ndërsa hetimet e SPAK-ut pritet të sqarojnë rrethanat e konfliktit dhe përgjegjësitë e mundshme.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull