Nga Arber Zaimi-
Greqia i dha Bullgarisë eshtrat e car Samuelit dhe të princave të tjerë që ishin varrosur në një kishë afër Prespës, e Bullgaria i ktheu Greqisë ca ikona e relike të tjera të marra nga kishat e Greqisë gjatë luftërave kur Bullgaria hyri me ushtri në ato territore. Këto gjeste miqësore megjithatë janë simbolike krahasuar me marrëveshjet zhvillimore mes vendeve.
Po atë ditë që rivarrosej Cari në Sofje, Greqia, Bullgaria dhe Rumania nisën investimet për Korridorin 4, që lidh Danubin me Egjeun dhe Detin e Zi. Investimet do të jenë rreth 23 miliard euro dhe do të vijnë pjesërisht nga buxhetet vendore e pjesërisht nga buxhetet europiane.
Ky korridor anashkalon 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat ende nuk janë pjesë e BE-së, dhe i jep një rritje edhe më të madhe portit të Selanikut.
Po të kishim politikanë që dinë të lexojnë mundësitë, tani është momenti që do të mund të fitonte mbështetje të madhe hekurudha Durrës – Prishtinë e cila pastaj degëzohet në Prishtinë – Nish – Beograd dhe Prishtinë – Shkup – Sofje. Kjo hekurudhë do të kompletonte pjesën perëndimore të Korridorit 8, teksa ajo lindore duket se po kompletohet përmes K4, e njëkohësisht do të ishte në interes jo vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe të Serbisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë.
Konkurrentë të painteresuar për këtë hekurudhë do të ishin Mali i Zi, i interesuar për zhvillimin e shpejtë të portit të Tivarit dhe renovimin e hekurudhës Tivar – Beograd apo ndërtimin e rrjetit hekurudhor që lidh Tivarin me Bosnjën dhe Shqipërinë, si edhe Greqia, e cila dëshiron të mbajë Selanikun si port kryesor për prodhimet që vijnë prej Ukrainës, Rumanisë dhe Bullgarisë. Durrësi patjetër do të kishte avantazhet e veta konkurruese, si port më i përshtatshëm se Tivari e si distancë më e afërt me Europën Perëndimore se Selaniku, mirëpo pa hekurudhën që e lidh me lindjen dhe veriun e Ballkanit ai do të mbetej veç port turistik dhe Shqipëria do të mbetej xhep i izoluar në Europë, siç është fjala vjen Skrapari apo Puka brenda në Shqipëri.

