Pro revoltës popullore, kundër kaosit për kërmat politike !

13 Minuta Lexim

Nga Gjeneral ® Piro Ahmetaj-

Sigurisht po ndjek me shqetësim të shtuar përshkallëzimin e revoltave studentore (në fakt, zemërimin mbarë-popullor), shënjestra e të cilave mbetet kriza e rëndë politike, si dhe posaçërisht paria politike e Tiranës, e cila, jo vetëm ka vjedhur pasuritë kombëtare, por edhe ka vrarë shpresat si dhe zhgënjyer shqiptarët gjatë 35 viteve që lamë pas.

Për protestat e “flamingove” kam publikuar disa opinione të dedikuara, si: “Oshillacionet e Belerit dhe populistët e Tiranës; revoltat e kërcënuara nga pelik(V)anët me mjekër, etj”, ku i jam bashkuar revoltës qytetare për: “klonin me tela me gjemba dhe ushtrimit të vonuar të përgjegjësive shtetërore; trimërimit të rojeve private ndaj protestuesve dhe policisë së shtetit (!!), etj.”! Nga ana tjetër, u kam bërë thirrje që të mos shpërdorohen kurrësesi nga: “mendjet terroriste të llojit Beleri, as për interesat e vendeve armiqësore apo të aleancave të vjetra në një betejë anti-Trump dhe antikombëtare njëherësh”!

Edhe për këto opininione kam marrë me mijëra konsiderata por dhe kritika, ndërsa nuk kanë munguar as diareja e hienave politike [njëra palë lëpirës, tjetra bukëshkalë, të tjerë tradhtarë], të cilat, gjithësesi, i kam konsideruar si motiv më të fortë dhe përgjegjësi të shtuar, pasi, edhe pse jo pa kosto (!), kam vetë-zgjedhur kauzën fisnike të mos-heshtjes kur cënohen siguria, vlerat dhe interesat kombetare.

Për më konkretisht, në pamundësi për t’iu përgjigjur studiove tv, gazetave, aq më pak për të replikuar me mitomanët, si dhe hiena të rraskapitura nga uria perverse për të mbajtur apo marrë pushtetin, në vijim gjeni përmbledhjen me vlerat, mesazhet, rezervat, si dhe rekomandimet përbashkuese të revoltës:

Pikësëpari, fatkeqësisht me vonesë, por falë edhe kësaj revolte, nuk ka mbetur më asnjë dilemë. Studentët, të rinjtë, në fakt mbarë shqiptarët, janë ngritur dhe po/do të përballen me krizën më të rëndë politike/hibride si dhe me sektin më të neveritur që ka sunduar shqiptarët prej vitit 1991: “Demokraci fasadë, shteti i gjunjëzuar nga fuqia korrupsionit endemik ndërsa opozita kompani private e falimentuar (e braktisur nga shqiptarët dhe e abandonuar nga ShBA, UK dhe Perëndimi); pa folur për listën e kuvendarëve (vetëm si barrë në borderonë e shtetit), më së shumti defiçente/ë, që: “gëzojnë edhe nga veshët kur emërohen Deputetë, Ministra, Ambasadorë, President, Drejtorë, etj.”!

Prandaj, përfshirë të drejtën dhe përgjegjësinë kushtetuese për të protestuar për të ndalur (enough is enough) sundimin e kësaj elite (që tuprëron dhe këtë term), por përgjegjëse për demokracinë fasadë, shtetin e dështuar, mungesën e balancave kushtetuese dhe shpërdorimi fuqisë se mbipushtetit, u bëj thirrje arsyes së mbarë shqiptarëve që, përtej ndasive, qofshin edhe ekstreme, të përbashkohen në misionin e shenjtëruar të revoltës, pra: “rikthimit e kohezionit kombëtar si dhe të besimit tē shqiptarëve te demokracia funksionale, forcimi partneritetit me ShBA dhe integrimi në BE”.

Me këtë rast, t’ju kujtoj mbarë shqiptarëve që pasojat e revoltave të 1997, grushtit të shtetit 1998, vrasjeve të 21 janarit 2011, si dhe qindra revoltave të dhunshme, pra koston për mijëra jetë të humbura dhe mbi 150 miliardë €, e kanë paguar qytetarët e zakonshëm. Ndërsa përgjegjësit, pra politikanët që i kanē ndërsyer, ose janë ricikluar, ose, bashkë me hienat rrotull tyre, kanë pushtuar institucionet shtetërore duke vjedhur, me tendera dhe investime strategjike, pasuritë dhe ardhmërinë e shqiptarëve.

Thënë këtë, u bëj thirrje prindërore të rinjve, studentëve, por edhe qytetarëve me arsye të shëndoshë, të distancohen nga ekstremistët, të ndalin në mënyrë të pakushtëzuar dhunën kundër bankave, bizneseve private dhe pronave publike, përfshirë infrastrukturat shtetërore dhe policinë e Shtetit (që janë vëllezërit/motrat e tyre) etj., pasi këto akte e nxijnë imazhin e vendit si dhe rrezikojnë ta vrasin frymën dhe misionin e shenjtë të kësaj revolte. Po ashtu, përsëris neverinë ndaj përpjekjeve të dëshpëruara të politikanëve zullumqarë, që, si hienat e uritura për pushtet, bëjnë përbetime staliniste.

Së dyti, duhet ri-theksuar që, edhe pse fasada, zgjedhje pas zgjedhjesh, vijon të mbetet pikëçuditëse komplekse (!?!), që përkundër domosdoshmërisë ulëritëse që ka RSh për rotacion të elitave politike si dhe përtej barrës së dështimeve dhe korrupsionit të pushtetarëve të lartë, edhe gjatë 14 viteve të fundit, Kryeministri në detyrë: “i ka në xhep mbi 84 deputetë”! Nga ana tjetër, edhe përgjigjen e dinë shqiptarët, që 4 humbjet radhazi, njëra më turpëruese se tjetra, kanë ardhur më së shumti nga mungesa e besimit të demokratëve si dhe neveria e shqiptarëve ndaj lidershipit të së djathtës, ose pushtuesve të opozitës zyrtare.

Prandaj, pas “oshilacioneve dëshperuese të Supremit hallemadh (me vizë për foto 6 milionë $ në USA dhe nuk ftohet në festat zyrtare të USA), për të marrë pjesë masivisht në revoltën më të madhe të historisë së njerëzimit apo për të mbështetur studentët, etj., i gjej si përrallën me ujkun e vjetër/rraskapitur, të maskuar si mama-dhija, pas derës së mbyllur të protestuesve”, mbartin një të vërtetë thelbësore: “zvarritje mjerane për t’u ri-faktorizuar si entitet politik me Kryesi, Këshill Kombëtar, etj, vegla poshtëruese edhe për vartësit/et e gaze-Muleshit”!

Nga ana tjetër, kurrfarë lidhjeje nuk kanë revoltat me shumicën e deputetëve të emëruar (nga të dy krahët), ndërsa edhe më qesharakë janë: “kryetarët e partive pa anëtarë, por me shumë mëkate”, që, si skutha port-Halesh: “bëjnë pazare të pista, ose ndajnë foto me kongresmenë amerikanë, etj, vetëm për për t’u rënë në sy Supremëve fuqiplotë për listën e borderosë të Kuvendit të radhës”. Nga ana tjetër, e përsëris: “asgjë të përbashkët mes protestuesve dhe pelik/Vanëve me mjekër dhe as me përfaqësues të vetë-shpallut të revoltës, disa mitomanë të (pa) çertifikuar për t’u marrë seriozisht”!

Së treti, përtej thirrjeve përjashtuese mes gjeneratave “Z apo Y”, e gjej legjitimime përfshirjen e diasporës/emigrantëve, të cilët janë imponuar të braktisin vendin jo vetëm këto 35 vjet. Ata/Ato janë në të drejtën e Zotit/Tyre, jo vetëm për t’u përfaqësuar, rrjedhimisht për të marrë përgjegjësitë shtetërore në mirëqeverisjen e vendit. Ndërsa përfshirjen e qytetarëve, për më zhgënjyese, mesazhet deri në delikuente nga Prishtina dhe Shkupi, minimumin i gjej irrelevante, qoftë edhe me platformën e vonuar: “2 shteteve sovrane = 1 kombi të vetëm”, mes RSh-së dhe Republikës së Kosovës.

Kështu, përtej krizës, vlejnë të përmenden edhe disa arritje madhore, si: “pjesëmarrja në Bordin-Trump të Paqes dhe rreshtimi kundër gardës terroriste të Iranit; marrëveshja mes Kroacisë, Kosovës dhe RSh; 5% GDP për modernizimin e fuqisë ushtarake; projekti i Porto-Palermos (Bondsteel-detar i USA), i ndërthurur me Korridorin 8; kontributet për Ukrainën; forcimi i besimit me ShBA dhe BE-në”!

Së katërti, shpresoj, uroj dhe lutem që, ndërsa kjo protestë të shërbejë si këmbanë zgjimi të vetëdijes kombëtare dhe të përgjegjësive qytetare për tejkalimin e krizës politike, ekonomike, të balancave demokratike, si dhe të besimit për rotacionin e elitave politike këshilla nr. 1 j’u adresohet të rinjve, vajzave dhe djemve, të lindur në liri (>1991), emigrantëve dhe mbarë-shqiptarëve, pjesëmarrës ose jo në këto revolta, që ëndrrën dhe misionin për ardhmërinë euroatlantike të kombit të mos i lënë më në dorë të këtij sekti politikanësh, si dhe ushtrisë së sekserëve rrotull, të cilët, duke përdhosur zgjedhjet e lira si dhe gjunjëzuar Republikën Parlamentare si dhe vijojnë të sundojnë si pashallarë “gjysma të kuq dhe gjysma blu” për 35 vjet atdheun tonë të begatë.

Së pesti, përtej euforisë rinore, por duke mbajtur në konsideratë mësimet nga lëvizje të ngjashme apo shumë më të mëdha, nga të cilat mijëra kanë dështuar dhe vetëm pak kanë qenë të suksesshme, mbetet “domosdoshmëri jetike” ngritja e një “Bordi Mirëbesimi/Përfaqësimi të Revoltave Popullore (BPRP)”, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës, me personalitete të spikatura, gjerësisht të pranuara, që  reflektojnë frymën e kohezionit kombëtar, besimin e qytetarëve dhe të partnerëve strategjikë, SHBA.

Për më tej, mbetet përgjegjësi e BPRP-së të prezantojë para shqiptarëve një platformë serioze për transformimin e revoltës në lëvizje, p.sh., “Lëvizja për Shqipërinë e Re (LPShR)”. Ndërsa, pasi të regjistrohet në gjykatë, do të duhet që me fuqinë e votave të popullit të revoltuar të imponohet si “Opozita Zyrtare e RSh-së”, duke hedhur në koshin e plehrave ligjin famëkeq, të miratuar me konsensusin e turpit mes dy palëve të krizës së përkeqësuar pas zgjedhjeve fasadë të 11 majit 2025.

Së gjashti: përtej thirrjeve: “Rama dhe Berisha në burg”, për të mos përmendur klithma staliniste (me plumba ose në litar), por duke konsideruar krizën e thellë politike që trajtuam më lart, “e urrejnë apo e duan”, e vetmja palë për zgjidhje mbetet i gjithëpushtetshmi Edi Rama: “pa të cilin nuk bëhet as qeveri teknike, as ndryshohet ligji famëkeq i zgjedhjeve të vitit 2025, pra as nuk ka garanci për zgjedhje të ndershme, si dhe as tejkalohet kriza politike që ka gjunjëzuar Shqipërinë”.

Ndërsa, përtej oshilacioneve të humbësit të 4 palë zgjedhjeve, që pritet çdo të hënë nga një tufë inferiorësh në derën e SPAK-ut, si dhe pavarësisht 6 milionë $ për vizë dhe foto, mbetet non grata nga USA/UK, z. Berisha nuk e gjej kurrsesi si palë, por si vetë problemin e përdhosjes së opozitarizmit njëherësh edhe të krizës politike në vend. Si e tillë, nuk ka kurrfarë peshe që të konsiderohet si palë, faktot, aq më pak si kreu i Opozitës Zyrtare!

Së fundmi por jo nga rëndësia, mbetem besimplotë që revolta t’ja dali në mision e shenjte të rikthimit të vendit në shunat e demokracisē funksionale, si dhe besimin e Shqiptarëve në vlerat perëndimore. Ndersa për të “mos e mbytur pa lindur” këtë lëvizje shpresëdhënëse, po duhet lutem edhe në gjunjë protesuesve: “mos u shpërdoroni kurrsesi në një betejë anti-Trump dhe antikombëtare njëherësh, por as për interesat e vendeve armiqësore apo aleancave të vjetra por as nga axjenda radikale, mitomanësh dhe zjarrvënës të stërvitur në Moskë, Beograd, Teheran, apo kudo tjetër gjetkë”!

Ndërsa përtej adresimeve burokratike dhe përgjegjesive Europiane në thellimit e krizës politike në RSh (si p.sh reportet e OSBE për progres/hapa para në zgjedhje) mbetem shpresëplotë si dhe i bej thirrje edhe publike Ambasadorit të SHBA, Sh.T. Ret.Gen Enric Wendt: “për t’i  mbështetur shqiptarët në tejkalimin e këtij udhekryqi kritik jo vetëm për Shqipërinë, por e theksoj edhe të një aleati me peshë për mbrojtjen e supremacisë si dhe zhvillimin interesat (të ndërthurura) gjeopolitike të USA në rajon, NATO dhe Mesdhe”.

Senior Ekspert për çështjet e Sigurisë Kombëtare,

Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull