A po përfundon epoka e Netanjahut?

2 Minuta Lexim
Nga Bahri Cani-
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, i ka dhënë mandatin për krijimin e qeverisë liderit të opozitës, Gadi Eisenkot, që do të thotë se tani vihet në pikëpyetje edhe e ardhmja politike e kryeministrit aktual, Benjamin Netanjahu.

Presidenti mori këtë vendim pas konsultimeve me të gjitha partitë e parlamentit të ri, ku 67 nga 120 deputetë u shprehën në favor të Eisenkotit për të marrë përgjegjësinë e krijimit të një shumice qeverisëse.

Formimi i qeverisë pritet të jetë jashtëzakonisht i vështirë, pasi as blloku i Netanjahut dhe as ai i opozitës nuk siguruan shumicën prej 61 vendeve. Eisenkot, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, ka tani 28 ditë kohë për të ndërtuar një koalicion, me mundësi zgjatjeje edhe për 14 ditë të tjera.

Rolin vendimtar në negociatat e ardhshme mund ta kenë deputetët e partive arabe, por një mundësi tjetër është edhe afrimi i opozitës me partitë ultraortodokse, të cilat deri tani kanë qenë aleate të Netanjahut.

Por fakt është që Netanjahu gjendet para largimit nga pushteti, pas 19 vitesh qeverisjeje.

Netanjahu u bëri thirrje partive opozitare për krijimin e një “qeverie të unitetit kombëtar”, por Eisenkot e cilësoi mesazhin si një “manovër të lirë propagandistike”.

Nëse Eisenkot arrin të krijojë shumicën parlamentare, Izraeli mund të hyjë në një epokë të re politike. Në rast dështimi, presidenti do t’ia kalojë mandatin një deputeti tjetër për një përpjekje të re për formimin e qeverisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull