ÇFARË PO I ADHUROJMË ALFABETIT?

9 Minuta Lexim

Nga Ardian Vehbiu-

Tek u përpoqa të kuptoj “festimet” dhe “kremtimet” e Ditës së Alfabetit (e ripagëzuar – për mua gabimisht – edhe si Dita e Gjuhës Shqipe; thjesht sepse shqipen nuk e bën alfabeti), nuk munda të shmang një ese që u përcoll nga një media në tjetrën dhe një portal në tjetrin, dhe që në të vërtetë i kushtohej shqetësimit për të mos e rënduar shqipen me fjalë të huaja – për ta thënë me poetikën e Rilindjes që e kemi aq për zemër, “për ta mbajtur gjuhën tonë të pastër si ujët e burimit.”
Mirë. Kjo temë e lëvdueshme është streha e sigurt e kujt kërkon të bindë, publikun, se shqipja duhet të na dhimbset dhe se të gjithë ne, që e kemi pjesë të identitetit tonë, e kemi për detyrë të kujdesemi për të. Por “fjalët e huaja” dhe “barbarizmat” në shqipe nuk kanë shumë të bëjnë me alfabetin dhe as hyjnë detyrimisht nëpërmjet shqipes së shkruar. Këtë të fundit e mundëson alfabeti – por ne kremtojmë jo aq teknikën e të shkruarit alfabetik, sa alfabetin për të cilin u fol në Manastir.
Ata që u mblodhën në atë kuvend të bekuar, e bënë për t’i dhënë shqipes së shkruar, shkollës shqipe (teksteve shkollore), botimeve, publicistikës dhe kulturës kombëtare në përgjithësi një alfabet TË NJËSUAR; që deri atëherë mungonte. Nuk u mblodhën për të pastruar gjuhën shqipe dhe as për të disiplinuar shqipen publike – por për një arsye tjetër, edhe më legjitime dhe fisnike.
Shqipja që flitej në ato kohë nuk ishte e njësuar – por e ndarë në të folme sipas gjeografisë. Njëfarësoj e tillë ka mbetur edhe sot – edhe pse dallimeve gjeografike u janë mbivendosur dallimet sociale dhe interferencat e shumta, për mirë e për keq, nga shqipja e shkruar. Por shqipja që flitej – dhe që FLITET edhe sot – nuk kish nevojë, që të flitej, për alfabetin a për alfabetet.
Nevoja për NJËSIM erdhi dhe u bë aktuale kur shqipja filloi të shkruhej; kur nisën të dalin më shumë gazeta dhe libra; kur filluan të hidheshin themelet e shkollës shqipe, e cila do të përgatiste qytetarë për shoqërinë e ardhshme që po ëndërrohej dhe projektohej. Nëse do të kishte një shtet shqiptar, këtij do t’i duhej një shqipe e shkruar njësueshëm, për të funksionuar.
Shkronjat e alfabetit që kemi edhe sot në përdorim nuk janë “shkronja shqipe”. Thjesht kemi vendosur, si komb, që t’i përdorim për të shkruar gjuhën shqipe; përndryshe i përkasin alfabetit latin. Deri-diku, “shqipe” është edhe mënyra si u përshtatën disa nga këto shkronja, për të shkruar shqipen – për shembull, duke kombinuar shkronjat D dhe H, për të përftuar shkronjën DH, e cila i përgjigjet një foneme që shumë gjuhë që përdorin alfabetin latin nuk e kanë. E kështu me radhë.
Në Manastir nuk u vendos dot se ç’alfabet do të përdorej pikërisht për shqipen; por të paktën u vendos që do të përdorej një alfabet 𝘭𝘢𝘵𝘪𝘯. Kjo zgjidhje pati vlerë të madhe praktike për tipografinë (lehtësinë e të shtypurit të shqipes), por edhe vlerë po aq të madhe për orientimin kulturor të shqipes, drejt asaj pjese të botës që kish adoptuar prej shekujsh forma dhe variante të atij alfabeti. Njësimi i alfabetit do ta afronte shqipen e shkruar drejt modelit të një gjuhe kombëtare moderne dhe, veçanërisht, të gjuhës zyrtare që i duhej shtetit të ri.
Kongresi i Manastirit tregoi dy gjëra – që shkrimi masiv i shqipes dhe vetë themelimi i institucionit të shkollës shqipe publike kërkonte përpjekje të përbashkëta dhe mirëkuptim të të gjitha krahinave ku flitej shqipja; dhe se zhvillimi kombëtar kish nevojë për një alfabet të njësuar, që t’i çelte rrugën njësimit të shqipes së shkruar dhe, me kohë, edhe të shqipes formale dhe të regjistrit të lartë.
Nëse përfitojmë nga Dita e Alfabetit, për t’i kushtuar vëmendje shqipes së shkruar, atëherë le të mbajmë parasysh se shqipja sot po “shkruhet” si kurrë më parë; edhe pse në një formë befasuese, të paparashikuar, që kushtëzohet nga ekologjia e rrjeteve sociale dhe identiteteve digjitale. Në fakt, kjo ekologji i ka bërë shumë studiues të flasin për një “oralitet digjital”, dytësor, i cili trupëzon teknika të shkrimit, por i përdor në kontekstin e një komunikimi që mbetet, në masë të madhe ORAL.
Por ndryshe nga gjuhë të tjera me të cilat përballet, nga anglishtja tek italishtja, shqipja e sotme nuk ka pasur kohë të mjaftueshme, të kultivohet në formën e vet të shkruar klasike; prandaj sfida e oralitetit digjital kërcënon edhe ato pak arritje të alfabetizimit masiv gjatë shekullit XX dhe të përhapjes së deritanishme të teksteve të shkruara. Qytetarët digjitalë sot kanë mësuar shkrim e këndim në shkollë, aq sa të përdorin tastierën që u ofrojnë mjetet elektronike të komunikimit; por nuk e përdorin më shkrimin me funksionet dhe synimet që ky kishte para erës digjitale.
Nëse duam ta “kremtojmë” ditën e alfabetit, pikërisht këtu duhet të ndalemi – te plaga, ndoshta gangrena, e ANALFABETIZMIT DIGJITAL. Është komode dhe ngushëlluese të vazhdosh edhe sot luftërat e Rilindjes, për “shqipen e pastër e të kulluar si ujët e burimit”; por kjo është të mësosh artet e holla të kordhës, topuzit e patërshanës, në epokën e dronit. Mjaft të kujtoj vetëm një gjë: QË SHUMË FËMIJË E TË RINJ PO E FLASIN DHE E SHKRUAJNË ANGLISHTEN MË MIRË SE SHQIPEN.
Sërish: nëse alfabeti na shërben për të shkruar, dhe nëse gjërat që shkruajmë i shkruajmë, mes të tjerash, EDHE QË TË LEXOHEN, le ta “kremtojmë” ditën e alfabetit me vëmendje të shtuar ndaj librit. Një panair nuk do të bënte keq. Ose edhe dy panaire. Një festival. Në diasporë, por më mirë akoma, në atdhe. Meqë libri mund të lexohet edhe në ekranin e telefonit, le t’i japim përparësi librit digjital dhe të mbështetim disa pak nisma private në këtë fushë.
Aq më tepër që tani, veç njeriut, ka hyrë në skenë edhe një agjenci tjetër që shkruan, sidomos online: LLM-të, ose IA-ja (inteligjenca artificiale). Që shqipen e shkruan pastër, madje edhe kulluar “si ujët e burimit”, por e bën këtë duke na rrezikuar themelin e kulturës sonë, si kulturë e shkruar; dhe që ka për karakteristikë jo vetëm njësimin (p.sh. të alfabetit), por edhe variacionin në leksik, stil e ligjërim; dhe që po vjen e zbythet, përballë rulit kompresor të LLM-së. Kemi më në fund makina, me të cilat mund të komunikojmë, por këto makina po na detyrojmë të komunikojmë – dhe veçanërisht, TË SHKRUAJMË – me stilin e tyre, me leksikun e tyre, me ritmin e tyre, me teknikën e tyre të parashtrimit të mendimit.
Gjëja më e lehtë, që mund të bëjë sot një Claude a një ChatGPT, është që të shkruajë – me kërkesën tonë – një ese për Ditën e Alfabetit (a.k.a. “Ditën e Gjuhës Shqipe”), madje duke cituar edhe Naimin e Fishtën.
Dhe sa kohë do të vazhdojmë t’i mbajmë sytë të lidhur dhe veshët të taposur me parulla, me klishe e me kufje?
(c) Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull