Nga Thoma Gëllçi–
Një gjykatës dënoi me vdekje një njeri të hënën dhe e shpalli të pafajshëm të premten.
Kur e pyetën përse kishte ndryshuar mendim, ai u përgjigj:
— Të hënën shqyrtova provat. Të premten kontrollova llogarinë bankare.
Kjo histori më erdhi ndër mend kur lexova lajmin për Jensen Huang, drejtorin e kompanisë Nvidia te cilin sot e rivendosen ne krye te kompanise. Natyrisht, midis gjykatësit dhe drejtuesve të Nvidia-s ka një ndryshim të madh. Gjykatësi ishte një njeri i vetëm, ndërsa Nvidia ka një bord drejtorësh, ku vendimet merren kolektivisht dhe ndryshimi i mendjes duhet të kalojë nëpër procedura shumë më të ndërlikuara.
Huang ishte përfshirë në një skandal seksi dhe spiunazhi. Një nga gratë me të cilat thuhej se kishte pasur marrëdhënie dyshohej se ishte spiune kineze. Huang, kur pa se aksionet e Nvidia-s po binin, dha dorëheqje.
Dy javë më vonë drejtuesit dhe bordet u mblodhën, diskutuan gjatë dhe vendosën se një njeri i tillë nuk mund të vazhdonte të drejtonte një kompani kaq të rëndësishme dhe asnjëherë nuk do të rikthehej në kompani. Morali ishte mbi gjithçka. Siguria kombëtare ishte e shenjtë. Reputacioni i kompanisë nuk mund të vihej në dyshim.
Vendimi ishte unanim.
Pastaj ndodhi diçka e tmerrshme.
Aksionet e Nvidia-s ranë. Shumë njerëz filluan të humbnin para. Disa po humbnin miliona, të tjerë miliarda. Në fillim menduan se ishte një krizë financiare. Por shpejt u kuptua se ishte diçka shumë më serioze: një krizë morale.
Sepse morali është një gjë e bukur, por nuk ka ndonjë vlerë të madhe kur të zbraz llogarinë bankare.
Bordi u mblodh përsëri. Këtë herë drejtuesit ishin më të qetë, sepse kishin vendosur të mos lejonin që parimet t’i pengonin të mendonin.
Pas diskutimeve të gjata zbuluan se Huang ishte në të vërtetë një njeri i ndershëm, një drejtues i jashtëzakonshëm dhe një patriot, kthimi i të cilit nuk përbënte asnjë rrezik për sigurinë kombëtare.
U vendos ta rikthenin menjëherë në detyrë.
Edhe ky vendim ishte unanim.
Nuk e di çfarë i kishte ndodhur ndërgjegjes së anëtarëve të bordit gjatë atyre pak ditëve. Ndoshta kishin lexuar ndonjë libër filozofie. Ndoshta kishin bërë lutje.
Unë mendoj se kishin bërë atë që bëri gjykatësi i historisë sonë: kishin kontrolluar bankën.
Dhe ja ku ndodhi mrekullia. Sapo u njoftua rikthimi i Huangut, aksionet e Nvidia-s u rritën me 31.3 për qind në tregtimin para hapjes së bursës.
Miliona e miliarda dollarë u rikthyen në vlerën e tregut. Njerëzit u qetësuan. Morali kishte triumfuar.
Edhe presidenti Trump e përshëndeti vendimin. Dhe pse të mos e përshëndeste? Një vend ku njeriu mund të humbasë postin për arsye morale dhe ta rifitojë sapo humbjet financiare bëhen të padurueshme, është një vend që e ka kuptuar më në fund marrëdhënien midis ndërgjegjes dhe ekonomisë.
Hetimi për dyshimet e spiunazhit, ndërkaq, do të vazhdojë. Kjo është pjesa më e bukur e historisë. Huang u shpall i ndershëm për t’u kthyer në punë, por hetimi do të vazhdojë për të zbuluar nëse është vërtet i tillë.
Duhet thënë që kjo metodë është marrë nga SPAK-u i Shqipërisë. Ai në fillim të arreston, të dërrmon në publik me publikime sekrete dhe pastaj rri dy vjet që të mbledhë fakte se përse të ka arrestuar. Po le të mos zgjatemi me këtë temë se shpërqendrohemi.
Le të kthehemi prapë tek Nvidia-n.
Në botën tonë, një i varfër që i jep njëqind dollarë një polici quhet korruptues. Një miliarder që jep miliona për të zgjedhur një politikan dhe për të ndikuar në vendimet politike, quhet personalitet.
Një punonjës që shkel rregulloren pushohet nga puna. Një drejtor që shkel të njëjtën rregullore merr një kompensim aq të madh, sa mund të blejë kompaninë që e pushoi.
Një i varfër që vjedh një bukë është hajdut. Një i pasur që përvetëson miliona është një biznesmen që ka bërë një gabim kontabël.
Kam dëgjuar shpesh se paraja është burimi i të gjitha të këqijave. Kjo më duket një padrejtësi e madhe. Paraja bën edhe shumë të mira. Ajo mund ta shndërrojë një mashtrim në keqkuptim, një skandal në gabim njerëzor dhe një njeri të turpëruar në një drejtues të domosdoshëm.
Madje paraja ka një aftësi që nuk e ka as feja: fal mëkatet pa kërkuar pendim.
Për këtë arsye, propozoj që në të gjitha institucionet të hiqen komisionet e etikës dhe të zëvendësohen me një arkëtar. Do të kursehej kohë, do të shmangeshin diskutimet e panevojshme dhe vendimet do të merreshin shumë më shpejt.
Sa për bordin e Nvidia-s, nuk kam asnjë dyshim se përbëhet nga njerëz të ndershëm. Ata e larguan Huangun unanimisht për të mbrojtur moralin dhe e rikthyen unanimisht për të mbrojtur paratë. Të dy vendimet ishin të drejta. Thjesht, i pari ishte marrë përpara se të kontrollonin llogarinë bankare.
Kështu që gjykatësi i historisë sonë nuk kishte bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Ai vetëm kishte kuptuar përpara të tjerëve një parim themelor të qytetërimit modern.
Drejtësia mund të jetë e verbër. Morali mund të jetë i shurdhër. Por paraja i ka të gjitha shqisat në rregull.

