Kupchan: Protestat në Shqipëri, pjesë e revoltave globale ndaj klasave të vjetra politike

27 Minuta Lexim
Nga Keida Kostreci
Në një intervistë me Keida Kostrecin, eksperti i politikës së jashtme Charles Kupchan përshkruan një botë në ndryshim e sipër, ku erërat politike fryjnë në shumë drejtime, dhe mosbesimi ndaj udhëheqësve dhe institucioneve tradicionale, si edhe tkurrja e alternativave, po e rrit pakënaqësinë mes rinisë
Një ekspert me peshë i politikës së jashtme në Uashington thotë se zhvendosjet politike në botë tregojnë se po jetojmë në një epokë zhvillimesh të paparashikueshme. Charles Kupchan, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Georgetown dhe studiues i lartë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë në një intervistë me Keida Kostrecin se rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara ishin një sinjal pozitiv se sistemi funksionoi, pasi publiku mbajti përgjegjës Presidentin Donald Trump për mosrealizimin e premtimeve të tij. Megjithatë, ai shton se polarizimi në SHBA ka të ngjarë të vazhdojë për të paktën edhe një brez tjetër.
Z. Kupchan vëzhgon se protestat në mbarë botën nxjerrin në pah pakënaqësinë e të rinjve që përballen me tkurrjen e alternativave. Në këtë kontekst ai i sheh edhe protestat në Shqipëri, duke shtuar si faktorë edhe korrupsionin e gjerë dhe stanjacionin politik, pas shumë viteve nën qeverisjen e një partie. Ai analizon gjithashtu dinamikat e reja të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë pas përmbysjes politike në Beograd, ndërsa shton se nuk pret që SHBA-ja t’i rikthehet rolit të arbitrit të demokracisë jashtë vendit. Megjithatë, ai shpreson që SHBA të mund të shërbejë si model, duke fuqizuar normat e veta demokratike.
Në librin e tij të ri “Bringing Order to Anarchy: Governing the World to Come” (“Vendosja e rendit mbi anarkinë: Si do të qeveriset bota e re”), zoti Kupchan arrin në përfundimin se po hyjmë në një botë policentrike ku demokracitë dhe autokracitë duhet të mësojnë të jetojnë krah për krah.
Keida Kostreci: Zoti Kupchan, pas zgjedhjeve të mesmandatit, shumë njerëz, veçanërisht jashtë Shteteve të Bashkuara, po shtrojnë pyetjen nëse rezultatet dhe fitorja e Demokratëve në Kongres, si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat, do të sjellë ndryshime në politikën e jashtme, duke parasysh pozicionet e Presidentit Donald Trump. Cili është mendimi juaj?
Charles Kupchan: Mendoj se rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit ishin të mirëpritura për shumë amerikanë dhe për shumë qytetarë të vendeve të tjera, që kanë qenë të pakënaqur me presidencën Trump. Lajmi pozitiv është se sistemi funksionoi. Shtetet e Bashkuara mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Publiku vuri para përgjegjësisë një president për të cilin shumica e amerikanëve mendon se nuk i kishte përmbushur premtimet. Kështu që në përgjithësi, ky është një hap përpara.
Por nga ana praktike përgjigjia e pyetjes nëse do të jetë i aftë një Kongres demokrat për të ushtruar kontroll dhe për ta kufizuar Donald Trumpin, është më e komplikuar: Nuk mendoj se Demokratët do të kenë shumë instrumente në dispozicion për të ushtruar ndikim të ndjeshëm në politikën e jashtme amerikane. Kështu që edhe pse me Kongresin e ri do të keni një Dhomë të Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët dhe një Senat të kontrolluar nga demokratët, Trump ka treguar sa i aftë është ta injorojë Kongresin. Ai ka treguar se është i zoti të gjejë mënyra për të anashkaluar kufizimet e legjislativit. Si rrjedhojë, nuk pres ndonjë ndryshim të madh në politikën e jashtme të platformës “Amerika e Para”, megjithë kontrollin demokrat të Kongresit.
Keida Kostreci: A do t’i lexonit rezultatet e zgjedhjeve si një hap të parë drejt ndryshimit të atmosferës politike në SHBA, e cila është karakterizuar vitet e fundit nga polarizimi dhe mungesa e ekuilibrit, dhe ndoshta si një shenjë të kthimit të Shteteve të Bashkuara në rolin e një modeli për demokracinë?
Charles Kupchan: Mendoj se është hapi i parë drejt një presidence të mundshme demokrate pas zgjedhjeve të vitit 2028. Nëse Trump vazhdon kështu, ai nuk do të mund të rrisë mbështetjen e ulët aktuale për të dhe fitorja bindëse e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit mund të përsëritet në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Nëse kjo ndodh, atëherë do të shohim një ndryshim të politikës së jashtme amerikane. Kjo do të thotë ndoshta një president demokrat që nuk do të kthehet tek ajo që ne e quajmë internacionalizëm liberal, tek lloji i politikës së jashtme të ish-Presidentit Joe Bided, por do të distancohet nga ato që shumë amerikanë i shohin si politika të dështuara të administratës Trump.
Përsa i përket pyetjes a po shohim fillimin e fundit të polarizimit dhe ndasive ideologjike, përgjigjia është: absolutisht jo. Elektorati mbetet thellësisht i përçarë. Rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit, i atribuohen më shumë pakënaqësisë ndaj (Presidentit) Trump se sa simpatisë për demokratët. Kështu që, të paktën për të ardhmen e afërt, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një vend i polarizuar – një vend ku ndasitë politike janë të rrënjosura në sistemin politik. A do të arrijmë përfundimisht në anën tjetër? A do të arrijmë ta kapërcejmë këtë? A do të arrijmë në një situatë politika a qendrës të rigjallërohet? Po. Sa kohë do të duhet deri aty? Do të thoja të paktën një brez, ndoshta më shumë.
Keida Kostreci: Në gjithë botën ka pasur shumë ndryshime për shkak të zgjedhjeve në mbarë globin. Por ka pasur edhe ndryshime të tjera ku njerëzit, veçanërisht të rinjtë po shprehin pakënaqësinë ndaj qeverive të tyre, përfshirë në Francë, Spanjë dhe vende të tjera. Një nga këto vende është Shqipëria, ku protestat paqësore disamujore të pagëzuara si Revolucioni i Flamingove, u pasuan nga protesta të tjera të udhëhequra nga studentët, të ngjashme pak a shumë me protestat evropiane, të cilat u shoqëruan edhe me veprime të dhunshme. Të rinjtë janë të indinjuar sepse mendojnë se qeveria nuk mban përgjegjësi, kushtet e tyre të jetesës janë të pakënaqshme dhe ka shumë pasiguri për të ardhmen e tyre. Ata nuk shohin një përgjigje dhe nuk i besojnë Kryeministrit, qeverisë në tërësi apo klasës politike për të sjellë ndryshimet e nevojshme. Si e lexoni situatën në përgjithësi, dhe cili është mendimi juaj për Shqipërinë në veçanti?
Charles Kupchan: Është e qartë që po përjetojmë një periudhë pakënaqësie dhe rezistence popullore ndaj qeverive ekzistuese në shumë pjesë të ndryshme të botës. Evropa është ndoshta qendra e krizës, ku kemi parë protesta publike të vazhdueshme, veçanërisht mes të rinjve në Francë, Itali. Në Serbi, sapo pamë fundin e regjimit të Vuçiçit, si rezultat i një kryengritjeje popullore të udhëhequr nga studentët. Ishte shoqëria civile, veçanërisht serbët e rinj, që u ngritën dhe me thirrjen: ‘Mjaft më.’
Në kontekst më të gjerë, po jetojmë në një epokë përmbysjesh socio-ekonomike dhe të rinjtë evropianë, të rinjtë amerikanë, po shohin tkurrjen e alternativave për ngjitjen e shkallëve të hierarkisë sociale, ndërsa përballen me rritjen e kostos së arsimit dhe uljen e cilësisë së tij.
Durimi po soset veçanërisht në vendet ku udhëheqësit kanë qenë në pushtet për një kohë shumë të gjatë. E pamë këtë në Hungari, ku Viktor Orbán ishte në pushtet për një kohë shumë të gjatë dhe njerëzit thjesht humbën durimin. Aleksandër Vuçiç pasoi, falë kryengritjes popullore.
Aktualisht, një lëvizje e ngjashme popullore duket se po ndodh në Shqipëri, ku Edi Rama është Kryeministër prej më shumë se një dekade, rreth 13 vjet. Disa nga të njëjtat rrethana që çuan në kryengritjet e Serbisë, janë të vërteta edhe në Shqipëri: shqetësimi për korrupsionin, shqetësimi për një elitë qeverisëse që ka qenë në pushtet aq gjatë, sa ka krijuar sisteme patronazhi ekonomik në të gjithë vendin, dhe shqetësimi për kostot e arsimit dhe uljen e cilësisë.
Se ku do të çojnë protestat në Shqipëri, është ende herët për të parashikuar. Qeveria ka ndërhyrë në një farë mase ndaj protestave. Megjithatë, po përjetojmë një periudhë pakënaqësish popullore në përgjithësi në shumicën e demokracive. Votuesit po votojnë kundër cilitdo që është në detyrë. Ata i nxjerrin jashtë pushtetit, sepse askush nuk duket të jetë në gjendje të përmbushë pritshmëritë.
Në cilin drejtim po fryjnë erërat politike? Është e vështirë të parashikohet. Nga njëra anë, në Brazil pamë qendrën e majtë t’i mbijetojë një sfide nga Bolsonaro; panë Orbánin dhe Vuçiçin të ikin, dhe tani ka protesta kundër Ramës në Shqipëri, çka sugjeron një prirje drejt liberalizimit.
Nga ana tjetër, duke parë trajektoret politike të Anglisë, Francës dhe Gjermanisë, mendoj se kemi arsye të besojmë se e djathta populiste po forcohet, ku Reform UK, National Rally dhe AfD po fitojnë terren. Po jetojmë në një kohë paparashikueshmërie politike – një zgjedhje anon nga e majta, tjetra nga e djathta. Në Shtetet e Bashkuara, një herë prirja ishte pro Donald Trump-it, dhe tani është larg tij. Ky model mes njërës prirje dhe tjetrës, do të vazhdojë për një kohë mjaft të gjatë.
Keida Kostreci: Një nga arsyet e protestave për muaj të tërë në Shqipëri, janë akuzat për korrupsion, veçanërisht ndërsa zyrtarë të lartë të qeverisë janë akuzuar nga SPAK-u. Në kushtet kur është e vështirë të rrëzosh dikë përmes protestave në rrugë, dhe kur një Kryeministër përdor arsyetimin se zgjedhjet e fundit i dhanë mandatin si kryetar qeverie, cilat instrumente ekzistojnë për protestuesit që nuk kanë një përkatësi ideologjike? Në Amerikë, për shembull, zgjedhjet e mesmandatit treguan se askush nuk duhet t’i marrë votuesit si të mirëqenë. Por një mekanizëm i tillë nuk ekziston në të njëjtën mënyrë në Shqipëri. Si mund të kërkojë llogari një grup, dhe si mund të vihen para përgjegjësisë udhëheqësit politikë kur nuk ka asnjë mekanizëm që ata të tërhiqen, përveçse kur të duan ata vetë?
Charles Kupchan: Në disa aspekte, instrumenti apo mekanizmi më i fuqishëm është ‘pushteti i popullit’, është të vazhdojë protestave. Këtë pamë në Serbi: Një fushatë popullore afatgjatë që më në fund pati sukses, e cila filloi disa vite më parë, me shembjen e çatisë së stacionit të trenit dhe Vuçiç fillimisht e shtypi opozitën, duke refuzuar të japë dorëheqjen. Përfundimisht, presioni u bë tepër intensiv, demokracia ndoqi rrugën e saj, dhe u mbajtën zgjedhje demokratike.
Në një vend si Shqipëria – dhe kjo vlen për shumë vende të ish-bllokut komunist ose në periferitë e tij – trashëgimitë e sistemeve të patronazhit dhe korrupsionit mbeten shumë të vështira për t’u çrrënjosur. Shohim Ukrainën, për shembull, një vend që lufton për mbijetesën e tij dhe që ende vuan nga modele korrupsioni të mbetura nga epoka sovjetike. Shumë nga ato modele vazhdojnë të ekzistojnë në ish-Jugosllavi dhe në rajonin më të gjerë—qoftë në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi apo Shqipëri.
Kështu që ka dy opsione: Njëri është të vazhdojë presioni i revoltës popullore. Tjetri është përmes ndryshimeve kushtetuese, ligjore dhe politike përmes një vote mosbesimi ose një ndryshimi në udhëheqje. Sidoqoftë, të paktën tani për tani, kjo nuk duket se do të ndodhë në Shqipëri.
Keida Kostreci: Po. Dhe kjo është pjesërisht sepse ata po protestojnë kundër një sistemi që mban dy parti kryesore në pushtet për një kohë të gjatë, duke monopolizuar sferën politike në Shqipëri. Ju folët për Serbinë, ku ishit menjëherë para se forca politike e iniciuar nga studentët të fitonte në zgjedhje. Kjo u pa në Shqipëri si një shenjë inkurajuese. Por ka një anë tjetër të ekuacionit në Ballkan: para të gjitha këtyre trazirave politike, çështja kryesore e pazgjidhur në rajon ishte ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Nuk duket se kjo qeveri e re serbe ka një qëndrim të ndryshëm për Kosovën. Si e lidhni këtë shenjë inkurajuese sa i përket demokracisë së brendshme me mungesën e progresit në zgjidhjen e atij konflikti rajonal ende të hapur?
Charles Kupchan: Linja e ashpër e nacionalizmit serb mban një kontroll të fortë mbi politikën serbe, dhe si rrjedhojë, Lista Studentore, lëvizja opozitare nuk tregoi shenja se do të sfidonte këtë linjë, apo se do të mbante një qëndrim më të hapur për kompromis për Kosovën. A ndodhi kjo sepse u mendua që do të ishte e nxituar të mbahej një qëndrim i tillë, apo ishte një përqafim i të njëjtave qëndrime që qeveria e Vuçiçit ka mbajtur ndaj Kosovës? Është ende shpejt ta themi. Parlamenti i ri nuk është mbledhur ende (Shënim i autores: Intervista u zhvillua pak ditë para se Kuvendi Popullor i sapozgjedhur të mblidhej më 17 nëntor). Pasi të mblidhet, do të ketë një periudhë 90-ditore për të formuar një qeveri, një kabinet dhe për të zgjedhur një kryeministër, dhe pastaj do të duhet të presim e të shohim.
Parashikimi im më i mirë është se kjo qeveri e re – e cila mund të jetë më mendjehapur për rajonin dhe më e interesuar për të ecur përpara me anëtarësimin në BE dhe forcimin e lidhjeve me institucionet atlantike – mund të jetë një shans për të avancuar normalizimin ose të paktën dialogun me Kosovën.
Por në të njëjtën kohë, edhe Kosova ka përjetuar paqëndrueshmëri politike. Kryeministri (Albin) Kurti nuk është përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë; përkundrazi, ai ka ndërmarrë veprime që shumë i kanë cilësuar si pa qenë nevoja provokuese përsa i përket dialogut. Korniza e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ishte mbështetur të paktën teorikisht si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi, por procesi ka qenë praktikisht i bllokuar prej disa vitesh. Le të shpresojmë se një qeveri e re në Beograd do të ofrojë një mundësi për ta rikthyer atë dialog në rrugë të mbarë.
Keida Kostreci: Z. Kupchan, kam këtu librin tuaj të ri, dhe shumë nga argumentat tuaja sot (në këtë intervistë) u bëjnë jehonë ideve qendrore të “Bringing Order to Anarchy” (Vendosja e rendit në anarki). Nëse e kuptoj drejt, teza juaj është se po hyjmë në një botë policentrike ku SHBA-ja mund të mos dojë më të luajë rolin e arbitrit të demokracisë, dhe ku demokracitë dhe autokracitë duhet të mësojnë të bashkëekzistojnë. Nuk jam e sigurt nëse kjo është një premisë pesimiste apo realiste, por a mund ta detajoni më hollësisht tezën tuaj qendrore dhe rekomandimet tuaja?
Charles Kupchan: Po përjetojmë një pikë kthese historike kur jemi në fund të një periudhe të gjatë të historisë dhe kur një tjetër po fillon, por nuk e dimë ende se si do të duket. Kjo pikë kthese nxitet nga dy zhvendosje të mëdha tektonike.
Së pari është rishpërndarja e pushtetit global. Pushteti po zhvendoset nga Perëndimi në Lindje dhe nga Veriu në Jug; sistemi global po decentralizohet. Historia tregon se kur pushteti shpërndahet nga një botë unipolare në një botë multipolare, konkurrenca gjeopolitike rritet. Këtë e shohim në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Ndryshimi i dytë i madh tektonik është kalimi nga epoka industriale në epokën digjitale, e cila po zhbën kontratën sociale të epokës industriale. Dhe ju dhe unë folëm këtu për çfunksionimin politik që shohim në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Ballkan, dhe kjo është në masë të madhe produkt i kësaj zhvendosjeje në mënyrën e prodhimit. Automatizimi, kodi digjital dhe mediat sociale po gërryejnë qendrat politike dhe shtresat e mesme.
Ky është një moment kthese, një kohë për të vendosur se si të qeveriset një botë multipolare, e integruar, e globalizuar dhe e ndërvarur. Duhet t’i përballojmë sfidat globale së bashku. Prandaj është kritike që demokracitë dhe autokracitë të mësojnë se si të jetojnë së bashku dhe të bashkëpunojnë. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Kina – dy fuqitë madhore – nuk punojnë së bashku, do të jetë pothuajse e pamundur të merren masa ndaj ndryshimeve klimatike, të vendosen rregulla për të Inteligjencën Artificiale, të përballohen pandemitë globale, zhvillimi ekonomik dhe mospërhapja bërthamore.
Megjithëse shpresoj që demokracia liberale të ripërtërihet dhe të rikthehet në vendet kryesore përfshirë SHBA-në, përballemi me një botë ideologjikisht të larmishmme në të ardhmen e afërt. Qeverisja e saj kërkon krijimin e mekanizmave ku demokracitë dhe autokracitë të mund të bashkëekzistojnë dhe të bashkëpunojnë.
Keida Kostreci: Ju shprehni shqetësim nëse mekanizmat aktuale demokratike mund të funksionojnë në këtë mjedis të ri, por edhe shpresë se bota demokratike do të rikthehet. Megjithatë, në vendet ku demokracia nuk është konsoliduar ende – si p.sh. në vendet më të vogla si Shqipëria – çfarë ndodh me zhvillimin e tyre pa udhëheqjen aktive të SHBA-së apo Perëndimit? Si e shihni të ardhmen për popullatat e tyre?
Charles Kupchan: Aktualisht po jetojmë në një periudhë recesioni demokratik. Që nga Revolucioni Amerikan dhe ai Francez në fund të viteve 1700 e deri rreth 20 vjet më parë, harku i historisë ka anuar drejt konsolidimit të lirisë dhe demokracisë. Gjatë dy dekadave të fundit, ai hark u kthye në drejtimin tjetër: bota është bërë më pak e lirë, autokracitë po bëhen më autokratike, demokracitë në tranzicion po bëjnë hapa pas dhe vendet që janë djep i demokracisë si Shtetet e Bashkuara po përballen me populizëm iliberal.
Kjo është një prirje shqetësuese që duhet të përmbyset. Një pjesë e problemit është se kur demokracitë e mëdha nuk shërbejnë më si modele të qeverisjes së mirë, kjo ngadalëson tranzicionet demokratike gjetiu. Kur vende si Shqipëria apo Serbia kthejnë sytë nga botën, ata nuk shohin domosdoshmërisht demokraci që funksionojnë në mënyrë efektive për t’i marrë si shembull.
Kështu që mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të vendosin rregull në shtëpitë e tyre dhe të tregojnë edhe një herë se demokracia është alternativa më e mirë. Unë nuk jam mbështetës i promovimit aktiv me dorë të fortë të demokracisë ku SHBA-ja u dikton të tjerëve se si të qeverisin. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë ta ndryshojnë botën për mirë duke vënë rregull në shtëpinë e tyre, duke shërbyer si model për shqiptarët, për serbët, për njerëzit në shumë pjesë të tjera të botës, duke u bërë një model që nxit njerëzit në mbarë botën të thonë: ‘Kjo funksionon—demokracia sjell rezultate, dhe kjo është ajo që duam.’
Keida Kostreci: Kjo përmbysje varet nga vullneti i udhëheqësve, duke funksionuar mbi premisën se udhëheqësit duan të bëjnë gjënë e duhur. E megjithatë shpesh sot, udhëheqësve u mungon autoriteti moral apo dëshira për të bërë ndryshimet e nevojshme, duke krijuar një rreth vicioz me pak mekanizma për llogaridhënie. A prisni ndryshim në këtë drejtim?
Charles Kupchan: Shumë udhëheqës vërtet duan të përmirësojnë jetën e qytetarëve të tyre, por nuk dinë se si të navigojnë në këto përmbysje socio-ekonomike. Në SHBA, si demokratët ashtu edhe republikanët premtojnë të rikthejnë prodhimin industrial përmes tarifave dhe politikave industriale. Kjo nuk do të funksionojë. Po shkojmë drejt një epokë digjitale.
Na duhet një diskutim i hapur se si qytetarët do t’i fitojnë pagat në vitet 2035 dhe 2040. Në vend që të bëhemi nostalgjikë për punët industriale të së kaluarës, duhet të ndërtojmë një ekosistem arsimor dhe punësimi për punët e së ardhmes, sepse mendoj se në thelb shoqëritë tona po përjetojnë një krize socio-ekonomike. Duhet ta zgjidhim këtë krizë për të rikthyer mundësitë për amerikanët, gjermanët, shqiptarët, për të rikthyer besimin te institucionet qeverisëse dhe për të rikthyer demokracinë.
Keida Kostreci: Duket se ka një element tjetër vërtet të rëndësishëm. Është një ndryshim mes brezash. Duket se brezi i ri që u rrit me mediat sociale, brezi digjital që po përdor një lloj tjetër gjuhe dhe madje brenda një vendi shohim se nuk po komunikohet dot, për shkak të ndryshimit në mentalitet, për shkak të ankthit të të rinjve, por edhe sepse retorika e politikanëve është kaq e ndryshme nga ajo që kupton brezi i ri, dhe pakënaqësive të mëdha. Si mendoni se mund të kapërcehet ky hendek?
Charles Kupchan: Mendoj se mediat sociale janë sigurisht pjesë e problemit. Mund të jenë pjesë e zgjidhjes në kuptimin që janë jashtëzakonisht të fuqishme. Është një mënyrë e mirë për të komunikuar me votuesit. Shumë kandidatë kanë forcuar pozitat e tyre, sepse kanë kuptuar se si të punojnë me këtë sistem dhe i kanë përdorur mediat sociale në mënyrë efektive.
Por mendoj gjithashtu se në shumë aspekte, mediat sociale janë përgjegjëse për krijimin e vizioneve alternative të realitetit që e bëjnë shumë të vështirë funksionimin e demokracive, sepse kanale të ndryshme të mediave sociale, burime të ndryshme informacioni ofrojnë interpretime shumë të ndryshme të jetës politike dhe në një farë mënyre thellojnë ndasitë ideologjike.
Kështu që mendoj se duhet të gjejmë mënyra për të ripërtërirë kapitalin qytetar, për të rikthyer ndjenjën e komunitetit në shoqëritë tona. Unë besoj se rregullat nga autoritetet për mediat sociale janë të nevojshme. Po ashtu edhe për Inteligjencën Artificiale. Këto teknologji janë tepër të rëndësishme për t’iu lënë në dorë sektorit privat apo thjesht të lihen pa asnjë kontroll. Kjo përkeqëson atë që mund ta quajmë ballkanizim të shoqërive tona dhe thellon ndasitë në komunitetet tona, duke krijuar grupe të izoluara nga njëri-tjetri që kanë perceptime shumë të ndryshme për atë që po ndodh në vend.
Keida Kostreci: A shqetësoheni se mbikëqyrja qeveritare mund të keqpërdoret në vende me prirje autokratike për të shtypur mendimet e kundërta më shumë sesa për të luftuar dezinformimin?
Charles Kupchan: Ky është një shqetësim i arsyeshëm dhe e shohim një gjë të tillë në Rusi dhe Kinë, ku kontrolli i fortë shtetëror shtyp informacionin e lirë. “Të mesmen e artë” e shohim tek qasja e Bashkimit Evropian: përpjekjet për të frenuar gjigantët teknologjikë, për të mbrojtur privatësinë e të dhënave, dhe për t’i mbajtur platformat përgjese për dezinformim, pa imponuar censurë totalitare.
Qasja e SHBA-së për t’u mbështetur tek marrëveshjet jo të detyrueshme për korporatat, është një recetë për kaos të vazhdueshëm. SHBA-ja duhet të shkojë drejt modelit evropian për të gjetur ekuilibrin e duhur ndërmjet kontrollit autoritar dhe mungesës së plotë të mbikëqyrjes.
Keida Kostreci: Z. Kupchan, faleminderit shumë për intervistën dhe për mendimet tuaja. Urime për librin!
Charles Kupchan: Faleminderit. Faleminderit shumë!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull