Rrezik numër një për mërgatën është shkombëtarizimi që stimulohet nga islamizmi ekstremist

12 Minuta Lexim

Nga Enver Robelli-

Pothuajse zero investime në edukimin, shkollimin dhe integrimin e fëmijëve, miliona franga për xhami në çdo fshat zviceran: shtresat naive të mërgatës i janë nënshtruar një fushate agresive të imamëve, të cilët fenë e kanë shndërruar në biznes me agjendë të rrezikshme ideologjike dhe regresive. Nëse nuk veprohet shpejt, rreziku i shkombëtarizimit të mëtejshëm është real. Përgjegjësia është në radhë të parë e shtetit të Kosovës, shtetit zviceran dhe e prindërve.

1.

Rrezik numër një për diasporën është shkombëtarizimi që vjen nga islamizmi ekstremist. Bashkësitë Islame në Prishtinë e Shkup nuk po e luftojnë këtë dukuri të dëmshme. Madje ka mjaft fakte që tregojnë se ato e stimulojnë atë – bashkë me shumicën e imamëve që kanë pozicionuar në diasporë. Qeveria e Kosovës dhe ministrat nga radhët e shqiptarëve në Maqedoni janë duke e injoruar problemin, ashtu siç e kanë injoruar pushtetarët para tyre. Bota politike shqiptare nuk ka ende një plan si të përballet me ekstremizmin islamist. Me dhjetëra delegacione politike vijnë nga Kosova në Zvicër gjatë vitit, takojnë diasporën, takojnë përkrahës të tyre, mbajnë fjalime, premtojnë e çfarë s’bëjnë – vetëm me problemet ekzistuese të diasporës nuk merret askush.

2.

Ditë më parë paralajmërova se janë disa imamë primitivë shqiptarë në Zvicër, të cilët janë duke e dëmtuar rëndë mërgatën, por edhe kombin shqiptar në përgjithësi. Nuk vonoi dhe m’u vërsul një lukuni ekstremistësh me kërcënime, me ofendime personale, me shkelje të dinjitetit, me dehumanizim dhe me nxjerrje në një tabelë të qitjes. Një kuazi-imam nga Maqedonia kishte vjedhur një fotografi timen, kishte shkruar se nuk donte të më përgjigjej, por me perfiditet kriminal i kishte lëshuar nga zinxhirët krejt partizanët e tij fetarë, të cilët, siç pritet prej tyre, i kishin dhënë hov gjuhës në krejt drejtimet e pista, kuptohet pa qenë të aftë të artikulojnë një argument valid. Një imam që vepron në Zvicër e kishte manipuluar një shkrim timin dhe pastaj – merre ti me mend – më kishte fajësuar se imamët më qenkan bërë obsesion. Natyrisht që kjo është rrenë. As 10 për qind e teksteve të mia nuk merren me imamë ekstremistë, ndonëse është urgjentisht e nevojshme që kjo temë të trajtohet gjerësisht nga mediat, politika, institucionet e sigurisë dhe institucionet arsimore, me qëllim që të mbrohemi nga ky fenomen i rrezikshëm.

3.
Në fundjavë u bë e ditur se një imam me origjinë nga Maqedonia dhe me banim në Zürich ka marrë pjesë më 2024 në një konferencë në Doha, ku mysafir kryesor ishte Ismail Hanije, lider i organizatës terroriste Hamas. (Hanije ndërkohë është vrarë nga forcat izraelite gjatë qëndrimit në Teheran.) Në këtë forum bëhen bashkë krejt ithtarët e Vëllazërisë Myslimane. Kjo organizatë ka një ideologji me synime globale: të islamizojë çdo pore të jetës publike dhe të shtetit dhe ta imponojë doktrinën islamiste si më të rëndësishme se ligjet tokësore. Përveç kësaj, imami në fjalë ka bërë edhe deklarata homofobe. Pas presionit medial, imami, i cili konsiderohej si njëri nga prijësit e komunitetit mysliman shqiptar në Zvicër, u largua nga të gjitha funksionet që mbante. Organizata ku vepronte ka marrë vetëm nga Kantoni i Zürichut 2,5 milionë franga. Institucionet zvicerane i kanë dhënë këto para me shpresën se imamët ndikojnë në integrimin e komunitetit shqiptar në Zvicër. Me pjesëmarrje në konferenca bashkë me shefin e Hamasit, sigurisht që ky qëllim nuk arrihet.

4.
Problemi me disa imamë në Zvicër, të cilët janë me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia, është i njohur për ekspertët e sigurisë: ata janë kryesisht përkrahës të Vëllazërisë Myslimane, pasi kanë studiuar në vendet arabe dhe i janë nënshtruar një ideologjie rigjide të interpretimit të islamit (më saktë: keqpërdorimit të islamit dhe fanatizimit të besimtarëve). Ka mes tyre që kanë qenë kundër ndalimit të burkës në Zvicër, një mbulesë që e depersonalizon gruan, duke ia mbuluar edhe fytyrën. Pasi burka u ndalua në Zvicër, e para grua që u gjobit për shkelje të ligjit ishte një kosovare në Bernë. Disa imamë janë të pakompromis dhe kërkojnë që edhe vajzat e mitura të mbulohen me shami. Të tjerët thonë se vajzat duhet të mbulohen kur të hyjnë në moshën e pjekurisë, por në xhamitë e tyre i nxjerrin në fotografi edhe vajzat e vogla me shami. Në tubime në Zvicrën lindore, në kufi me Austrinë, pjesëmarrësit brohorasin në mënyrë agresive parulla fetare në gjuhën arabe dhe skenografia nuk ka lidhje me botën shqiptare, por më shumë i ngjan një tubimi të ndonjë organizate ekstremiste nga Lindja e Mesme. Imamë me deklarata ashiqare antisemite gëzojnë hapësirë të madhe në mërgatën shqiptare të Zvicrës. Të tillët priten në xhami, duartrokiten, lavdërohen, shoqërohen me imamë të këtushëm që kanë arritur të mashtrojnë opinionin zviceran se na qenkan figura tolerante.

5.
Vetëm në Zvicër shqiptarët kanë rreth 80 xhami. Nuk ka mungesë vendesh për t’u lutur. As nuk ka ndonjë nevojë për xhami të reja. Por çdo javë në Zvicër vijnë imamë ekstremistë nga Kosova e Maqedonia dhe organizojnë mbledhje fondesh për blerjen e xhamive. Këtë fundjavë u bë e ditur se në Oensingen të kantonit të Solothurnit xhamia lokale ka mbledhur 1 milion franga për ndërtimin e xhamisë së re. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin imamë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria, mes tyre Ekrem Simnica, i cili, si “drejtor për diasporë” i Bashkësisë Islame të Kosovës, është njëri nga përkrahësit e agjendës për ndërtimin e xhamive kudo ku ka shqiptarë në diasporë, dhe Shaqir Fetai nga Bashkësia Islame e Maqedonisë, e cila, sipas një raporti të platformës hulumtuese BIRN, nuk ka dorëzuar asnjë raport financiar mes viteve 2010-2013. Fetai kishte marrë me vete edhe myftinjtë e Tetovës dhe Gostivarit. Në raste të tilla, për “argëtimin e masës” thirren edhe këngëtarë tallavash si Meda apo Adem Ramadani. Në Oensingen ishte Meda.

Zvicra është vend i pasur. Shqiptarët këtu fitojnë mirë. Imamët e kanë nuhatur këtë. Feja është bërë biznes. Një pjesë e mërgimtarëve, sidomos ata që vijnë nga shtresa të largëta nga arsimi dhe kanë mbetur të ngulitur në botën patriarkale, janë shumë lehtë të manipulueshëm nga sehirbazët që Kuranin e shohin vetëm si burim për nënshtrim, frikësim e disiplinim të njerëzve naivë. Edhe më keq: këta mërgimtarë që jetojnë në margjinat e shoqërisë zvicerane, pasi nuk kanë treguar interesim të madh për integrim, nuk investojnë në shkollimin e fëmijëve të tyre, por në trashjen e kuletave të imamëve.

Rasti i Oensingenit është mjaft ilustrativ për komunikimin e dyfishtë të imamëve: para opinionit zviceran flasin diçka tjetër, para besimtarëve përfaqësojnë të kundërtën. Pasi parti e individë zviceranë kanë shprehur shqetësimin për ndryshimin e pamjes së arkitekturës së komunës së Oensingenit në rast se ndërtohet një xhami e madhe në një hapësirë prej 1400 metrash katrorë, xhamia ekzistuese doli me një njoftim “qetësues”, ku thuhej se as nuk është kërkuar leje për ndërtimin e xhamisë, as nuk është blerë ende trualli. Në komunikimin me opinionin shqiptar, ndërkaq, me krenari njoftohet se tashmë janë siguruar një milion franga për ndërtimin e xhamisë së re në Oensingen. Për xhaminë e re në Wetzikon, afër Zürichut, janë siguruar nga besimtarët gati 3 milionë franga. Shuma e mbetur prej 159 mijë frangash pritet të sigurohet së shpejti. Për të harxhuar para për xhami, një pjesë e madhe e shqiptarëve janë të parët. Për të investuar në shkencë, kulturë, botime e projekte zhvillimore, të tillët janë të fundit. Nuk janë pak. Për fat të keq.


6.
Ka një dredhi të madhe edhe sa i përket emërtimit të xhamive. Shumë prej tyre prezantohen apo janë të regjistruara pranë autoriteteve zvicerane si “qendra kulturore shqiptare”. Kështu quhet edhe xhamia në Oensingen. Ose “qendra për integrim”. Kjo tingëllon bukur, sidomos te disa politikanë të majtë zviceranë, të cilët e hanë sapunin për djathë. Në të vërtetë, këto xhami të maskuara si qendra kulturore nuk kanë pothuajse asnjë lidhje me kulturën shqiptare – me përjashtim të ndonjë organizimi të zbehtë dhe sa për sy e faqe për 28 nëntor apo 17 shkurt.

Në Zvicër ka kritere strikte ligjore për përdorimin e nocioneve „Swiss“, „Made in Switzerland“, „Cilësi zvicerane“ (Schweizer Qualität) apo përdorimin e kryqit zviceran në reklama. Në Zvicër, Instituti Federal i Pronësisë Intelektuale (IGE) mbikëqyr respektimin e këtyre rregullave dhe vepron kundër abuzimeve brenda dhe jashtë vendit. Bota shqiptare mund të mësojë diçka nga Zvicra. Ashtu siç një mishtore nuk mund të quhet operë, asnjë xhami nuk mund të quhet “qendër kulturore shqiptare”.

Kjo nuk është dredhia e vetme e xhamive dhe imamëve në diasporë. Shpesh xhamitë ofrojnë “mësim në gjuhën shqipe”. As nuk janë të licencuara për këtë, as nuk kanë personel të kualifikuar dhe të pranuar nga shteti. Por shumë prindër naivë e hanë symbyllur këtë karrem. Qeveritë e Kosovës është dashur ta rregullojnë këtë çështje në një marrëveshje ndërshtetërore me shtete si Zvicra, Gjermania apo Austria. Arsimi është dhe duhet të jetë monopol shtetëror. Nëse këtu nuk veprohet shpejt, rreziku i shkombëtarizimit të mëtejshëm është real.

Përgjegjësia është në radhë të parë e shtetit të Kosovës, shtetit zviceran dhe e prindërve. Nga imamët që funksionojnë si aktivistë të Vëllazërisë Myslimane panarabe dhe më gjerë në zemër të Zvicrës, askush të mos presë ndryshim të mendjes. Fanatikët s’ndërrojnë mendje. Teologët islamë kërkojnë tolerancë vetëm aty ku janë pakicë. Ku janë shumicë, toleranca ndaj të tjerëve është e padëshirueshme. Në Arabinë Saudite jetojnë larg mbi 1 milion të krishterë (kryesisht punëtorë nga Filipinet), por ata nuk kanë një kishë të vetme. Praktikimi i kësaj feje në hapësirën publike është i ndaluar.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull