Kushtetuesja pezulloi gjobat për bllokimin e rrugëve, akti normativ mbeti në fuqi: Çfarë ndryshon për protestën e 28 nëntorit?

4 Minuta Lexim

Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë sot në aktin normativ të qeverisë për tubimet, duke pezulluar dispozitën që parashikon gjobitjen e protestuesve për bllokimin e rrugëve. Por vendimi i 26 nëntorit nuk i jep fund betejës juridike të studentëve dhe organizatave të shoqërisë civile me qeverinë. Gjykata do të shqyrtojë në themel kushtetutshmërinë e të gjithë aktit normativ.

Çfarë pezulloi konkretisht Gjykata?

Me vendimin e sotëm, Policia e Shtetit nuk mund të vendosë më gjoba prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave, duke u mbështetur në dispozitën e pezulluar.

Problemi me formulimin e kësaj dispozite është se ajo nuk bën dallim as për tubimet e zhvilluara në përputhje me procedurat ligjore. Pra, edhe pjesëmarrësit në një protestë të ligjshme mund të gjobiteshin për pengimin e qarkullimit të automjeteve.

Çfarë mbetet në fuqi?

Të gjitha dispozitat e tjera të aktit normativ mbeten të zbatueshme, përfshirë kufizimet për zhvillimin e tubimeve pranë institucioneve, përcaktimin e zonave të mbrojtura, kompetencat e reja të policisë dhe sanksionet e tjera të parashikuara nga qeveria.

Por fakti që Gjykata nuk i ka pezulluar këto dispozita nuk do të thotë se i ka konsideruar ato në përputhje me Kushtetutën. Vendimmarrja e sotme ka të bëjë vetëm me kërkesën për pezullim dhe nuk paragjykon vendimin përfundimtar.

Tri gjyqtare kërkuan një ndërhyrje më të gjerë

Vendimmarrja e sotme nuk ka qenë unanime për shtrirjen e pezullimit.

Gjyqtaret Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja kanë kërkuar pezullimin e të gjitha dispozitave për të cilat ishte kërkuar kjo masë nga studentët dhe organizatat e shoqërisë civile.

Shqetësimet e tyre lidhen me proporcionalitetin e kufizimeve, kompetencat e zgjeruara të policisë dhe efektin dekurajues që sanksionet financiare mund të kenë te qytetarët që dëshirojnë të protestojnë.

Ndërkohë, gjyqtarja Marjana Semini ka votuar edhe për pezullimin e dispozitës që u jep këshillave bashkiakë kompetencën për të përcaktuar zona të tjera të mbrojtura.

Çfarë do të ndodhë tani?

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja të shqyrtohet me përparësi. Në gjykimin e themelit do të duhet të vlerësohet nëse qeveria kishte kushtet e nevojës dhe urgjencës për të ndryshuar ligjin për tubimet përmes një akti normativ, nëse kufizimet e vendosura janë proporcionale dhe nëse ato respektojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar.

Vendimi i sotëm nuk anulon automatikisht as gjobat e vendosura deri më tani.

Çfarë ndryshon për protestën e 28 nëntorit?

Në protestën e paralajmëruar për të shtunën, policia nuk do të mund të gjobisë pjesëmarrësit për bllokimin e rrugëve dhe pengimin e qarkullimit të automjeteve, duke iu referuar dispozitës së pezulluar. Megjithatë, ajo ruan kompetencat e tjera që i njeh akti normativ, përfshirë kufizimet territoriale të tubimeve dhe sanksionet për mosrespektimin e tyre. Pra, protesta e 28 nëntorit do të zhvillohet ende nën rregullat e vendosura nga qeveria, me përjashtim të dispozitës së pezulluar, ndërsa kushtetutshmëria e këtyre rregullave mbetet për t’u vendosur nga Gjykata.

Beteja kushtetuese e protestuesve vazhdon, tashmë edhe në godinën përballë Kryeministrisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull