Lakmia, lak në qafën e jetës

8 Minuta Lexim
Në fund të një dite të gjatë e rraskapitëse, Pahomi u rrëzua përtokë dhe vdiq. Kishte ecur e vrapuar nga mëngjesi deri në perëndim të diellit. Sipas marrëveshjes, mund të merrte gjithë tokën që do të arrinte të rrethonte me hapat e vet, me një kusht: të kthehej në pikën e nisjes përpara se të perëndonte dielli. Dhe ai ia doli, po zemra jo. Ndërkohë që po binte muzgu, shërbëtori mori një lopatë, hapi një varr pakëz më të gjatë se kufoma dhe e mbuloi me pak dhé zotninë.
Kaq tokë i duhet njeriut, thotë Tolstoi në atë rrëfenjë të shkurtër, sa alegorike aq edhe ironike. Njeriu që kishte kaluar gjithë ditën duke u sfilitur për të zaptuar sa më shumë tokë, përfundoi në hapësirën asfiksuese të një varri. Asgjë nuk e kishte penguar të ndalej më herët. Askush nuk e kishte detyruar të shkelte aq shumë tokë. Pahomi kishte qenë zot i zgjedhjes së tij, por kishte mbetur skllav i lakmisë.
Megjithatë, do të ishte e padrejtë t’ia hidhnim gjithë fajin dëshirës për të patur më shumë. Pa të, njeriu ndoshta do të kishte mbetur i kënaqur me shpellën e dikurshme, pa u munduar të ndërtonte shtëpi, qytete e qytetërime. Dëshira na shtyn të kërkojmë më shumë, të mësojmë, të krijojmë, të jetojmë më mirë. S’është punë dhe aq e lehtë të thuash se kur dëshira, kjo shtysë e jetës, kthet në një grackë për vetë ekzistencën.
Duhet të gjesh ku mbaron dëshira e ligjshme dhe ku fillon lakmia. Një njeri mund të synojë pasuri të madhe pa qenë domosdoshmërisht lakmitar, ashtu si një tjetër mund të bëhet rob i dëshirës për të zotëruar edhe gjëra fare të vogla.
2.
Epikurit i atribuohet një mendim i thjeshtë, po goxha thelbësor: “Pasurinë nuk është ajo që kemi, po ajo që gëzojmë”. Thënë ndryshe: tjetër ajo që kemi në hipotekë dhe tjetër ajo që kemi në shpirt. Një shtëpi mund të jetë pasuri, por edhe komoditet e gëzim; një kopsht mund të jetë pronë, por edhe kënaqësi, çlodhje e freski. Dallimi nuk qëndron aq mes materiales dhe shpirtërores, sa mes zotërimit si qëllim në vetvete dhe zotërimit si mundësi për të jetuar, për të shijuar e për të gëzuar. Në fund të fundit, ç’vlerë ka ajo që zotërojmë, nëse nuk gjejmë kohë, qetësi apo liri për ta gëzuar?
Seneka na fut edhe më thellë: nuk është i varfër ai që ka pak, por ai që dëshiron gjithnjë e më shumë. Me këtë mënyrë të numëruari, një pasanik mund të dalë më i varfër se një njeri me të ardhura modeste. Sepse lakmitarit, sado t’i shtohet pasuria, i mbetet gjithnjë diçka mangët. Çdo fitim i jep një çast kënaqësie, pastaj ia shton etjen. Një përpëlitje prej Tantali, me ndryshimin se këtë herë tortua nuk vjen si ndëshkim perëndish, po si peshqesh që njeriu ia ka sajuar vetes.
Vështirë ta quajmë pangopësi çdo dëshirë që nuk shuhet. Një shkencëtar mund ta kalojë jetën duke kërkuar të dijë më shumë, një artist mund të mos ndihet kurrë plotësisht i kënaqur me veprën e vet. Megjithatë, kjo nuk i bën medoemos lakmitarë. Ata mund të gëzojnë çdo zbulim, çdo krijim, edhe ndërkohë që synojnë një tjetër. Ndoshta dallimi nuk qëndron te vazhdimësia e dëshirës, por te aftësia për të përjetuar e gëzuar arritjen, përmbushjen. Aspirata mund të bashkëjetojë me kënaqësinë, lakmia duket sikur e shtyn atë gjithnjë për më vonë.
3.
Dhe këtu lind një pyetje që e nxjerr meditimin nga bota e Tolstoit dhe e filozofëve të lashtësisë. Nëse lakmia ushqehet nga mungesa, a nuk do të duhej të ishte zbutur e shuar në kohën tonë? Shoqëritë e konsumit a të bollëkut kanë arritur të kënaqin nevoja e dëshira që për breza të tërë mbeteshin ëndrra të paarritshme. “Mjerimi ndez dëshirat si yjtë errësira”, thoshte Migjeni. Po bollëku, a nuk duhet t’i zbusë ashtu si uji shuan etjen?
A kemi sot më pak lakmi e lakmitarë? Apo kemi shumëfishuar të mirat materiale, por bashkë me to edhe arsyet për të mos qenë të kënaqur?
Reklamat na bombardojnë gjithë ditën dhe na kujtojnë çfarë nuk kemi ende; moda na njofton, pa na kërkuar ndjesë, se ajo që blemë dje është vjetruar sot; ndërsa krahasimi me të tjerët kujdeset që edhe bollëku të na duket i pamjaftueshëm. Njeriu i sotëm nuk dëshiron vetëm atë që nuk ka, shpesh mësohet të mos kënaqet as me atë që ka.
Edhe përqendrimi marramendës i pasurisë në pak duar ngre pyetje që nuk mund të shpërfillen. Çfarë e shtyn një njeri që zotëron më shumë sesa mund të konsumojë gjatë shumë jetëve, të kërkojë më shumë, shumëfish më shumë? Siguria, krijimtaria, gara, prestigji, pushteti? Pasuria e madhe nuk është vetvetiu dëshmi e lakmisë, por kur zotërimi e kapërcen shumëfish çdo nevojë të përfytyrueshme, lind dyshimi se objekti i vërtetë i dëshirës nuk është më sendi, por pushteti, statusi, epërsia që pasuria ofron.
Ndoshta njeriu modern nuk është më lakmitar se paraardhësit e tij. Ndoshta ka vetëm më shumë mundësi për ta ushqyer lakminë. Dikur dëshira ndeshej shpesh me kufijtë e mungesës, sot mund të nxitet nga vetë bollëku. Kemi mësuar të prodhojmë e të zotërojmë gjithnjë e më shumë, por a kemi mësuar po aq të gëzojmë atë që kemi? Në një qytetërim që e nxit vazhdimisht dëshirën për të patur më shumë, ndjenja e mjaftueshmërisë rrezikon të bëhet një luks i rrallë.
4.
Dhe kështu kthehemi te Pahom, që e kaloi ditën duke zgjeruar kufijtë e tokës së tij. Në mbrëmje, toka i caktoi kufijtë e përjetshëm. Tolstoi nuk na thotë sa pasuri duhet të ketë njeriu. Na tregon vetëm ç’mund t’i ndodhë atij që nuk di ku të ndalet.
Sigurisht, jo çdo lakmitar e pëson si Pahomi. Shumë prej tyre jetojnë gjatë, madje në kushte për t’u pasur zili. Por kjo nuk do të thotë se lakmia ua lë jetën të paprekur. Duke u përpjekur ta zgjerojnë pafundësisht atë që zotrojnë, e ngushtojnë jetën deri në atë pikë sa të mos gjejnë mundësi ta gëzojnë. Dhe kështu lakmia bëhet lak në qafën e jetës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull