Nga Gjergj Erebara-
Novaya Gazeta, gazeta e pavarur ruse që mbijetoi për tre dekada, pati gjashtë gazetarë të vrarë, përjetoi sulme me acid, bastisje policore dhe hetime nga shërbimet sekrete, njoftoi se do të botojë numrin e fundit më 9 nëntor dhe do të mbyllë përfundimisht aktivitetin.
Në një deklaratë për shtyp, gazeta deklaroi: “Ata na vranë!”
Bashkëthemeluesi i saj Dmitri A. Muratov fitoi çmimin Nobel për Paqe në vitin 2021, për mbrojtjen që i bëri lirisë së shtypit në Rusi.
“Në fillim nga burgosën një anëtar të stafit, pastaj e shpallën gazetën ‘agjent të huaj’ dhe pastaj shpallën 100 individë të lidhur me gazetën ‘agjentë të huaj’,” deklaroi z. Muratov, 65, duke iu referuar autoriteteve ruse të Putinit. “Ata bastisën shtëpinë e kryeredaktorit, e megjithatë ne vijuam të punojmë.”
“Pastaj na nxorrën nga zyrat dhe na hoqën mjetet e jetesës,” shtoi ai. “Ne nuk kemi më shtëpi, nuk kemi as para. Ne nuk po pezullojmë aktivitetin për asgjë; kjo e gjitha ishte një shkatërrim i qëllimtë i Novaya Gazeta si segment i shoqërisë që mbron paqen kundër represionit dhe diktaturës së urrejtshme.”
Vrasja duket se u krye në çastin kur bankat që arkëtonin pagesat nga lexuesit e Novaya Gazeta, burimi i vetëm i të ardhurave të saj, refuzuan të vijonin të shërbenin me sistemin e pagesave. Sipas argumenteve të tyre, “kishin ndryshuar kushtet e shërbimit”, por ishte e qartë që bankat vepruan nën urdhrat e shërbimeve sekrete.
“Kjo nuk është thjeshtë historia jonë personale,” thanë gazetarët në një deklaratë të përbashkët. “Kjo është historia e të gjithë vendit dhe të gjithë shoqërisë që po vritet saktësisht në të njëjtën mënyrë.”
Gazeta u themelua në vitin 1993, pak pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik. Ajo u mbështet mes të tjerëve nga Gorbaçovi, udhëheqësi i fundit sovjetik, i cili i dhuroi gazetës një pjesë të parave që pati marrë nga Çmimi Nobel për Paqe. Me këto para u paguan kompjuterët e parë. Z. Muratov u bë kryeredaktor në vitin 1995.
Gazetarët e saj raportuan nga të gjitha ngjarjet madhore të Rusisë pavarësisht përndjekjes së vazhdueshme, përfshirë raportimet nga luftëra të shumta. Ata hetuan korrupsionin dhe grupet paramilitare.
Gjashtë gazetarë të saj u vranë për shkaqe që gjerësisht besohet se lidhen me detyrën e tyre.
Anna Politkovskaya u ekzekutua në vitin 2006 pas raportimeve të shumta mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në Çeçeni.
Yury Shchekochikhin bdiq papritur në vitin 2003 në rrethana të dyshimta. Kolegët besojnë se u helmua pas investigimit mbi korrupsionin në ushtri dhe bombat që shpërthyen në disa blloqe banimi në Rusi.
Igor Domnikov u rrah për vdekje në vitin 2000.
Stanislav Markelov u ekzekutua në vitin 2009 bashkë me Anastasia Baburova.
Natalia Estemirova u rrëmbye dhe u vra në Çeçeni në vitin 2009.
Kjo ishte gazeta e parë që zbuloi përfshirjen e ushtarëve rusë krahas kryengritësve vendës në luftën në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore në vitin 2014.
Komiteti i Nobelit në vitin 2021 i dha Çmimin Nobel për Paqe z. Muratov dhe gazetares filipinase Maria Ressa “për përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë e shprehjes, si parakusht për demokraci dhe për paqe.”
Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës më 2022, gazeta u bë një kritike e pakompromis e luftës, duke publikuar artikuj si në rusisht ashtu edhe në ukrainisht.
Në foto: Dmitri Muratov, i dyti majtas, dhe stafi i gazetës.

