Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar një procedim penal pas disa kallëzimeve të depozituara pranë këtij institucioni ndaj deputetes së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali.
Procedimi është regjistruar pa emër konkret, por mbi bazën e një sërë veprash penale që lidhen me deklarimin e rremë, mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë, pastrimin e produkteve të veprës penale, shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin.
Regjistrimi i procedimit është kryer në fund të muajit tetor, ndërsa tashmë kanë nisur veprimet hetimore për verifikimin e pretendimeve të ngritura në kallëzime.
Sipas të dhënave të bëra publike, dyshimet mbështeten në një sërë dokumentesh, ku përfshihen deklarimet e pasurisë, dokumentacioni tregtar, të dhënat për shoqëritë tregtare dhe ndryshimet e pronësisë, transaksionet financiare, të ardhurat, si dhe pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme.
Përveç Elisa Spiropalit, në verifikimet që lidhen me këtë çështje pritet të përfshihen edhe të paktën pesë persona të tjerë, mes tyre edhe bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj.
Ndërkohë, lidhur me këtë çështje, Prokurorisë së Posaçme i është drejtuar një kërkesë zyrtare për informacion mbi regjistrimin e procedimit penal dhe ecurinë e hetimeve. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, SPAK nuk kishte kthyer ende një përgjigje.
Zhvillime janë shënuar edhe në raport me administratën tatimore. Vetëm pak orë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, reagoi publikisht për një episod që përfshin bashkëshortin e deputetes. Ai deklaroi se Salarjon Totaj kishte mbajtur një qëndrim kundërshtues ndaj punonjësve tatimorë dhe se shkeljet e dyshuara ishin referuar në organet përkatëse.
Deri më tani, bëhet fjalë për pretendime të ngritura në kallëzime, të cilat janë në fazën e verifikimit nga organet kompetente. Regjistrimi i procedimit penal nuk përbën në vetvete konstatim të fajësisë së personave të përmendur.

