Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) kanë dënuar rastet e dhunës ndaj punonjësve të medias gjatë protestës së sotme në Tiranë, duke kërkuar hetimin e incidenteve dhe identifikimin e përgjegjësve.
UGSH raportoi për lëndimin e gazetarit Elkier Bushkolaj, operatorit Ardian Muka dhe fotoreporterit Feliks Bilani, ndërsa dënoi përdorimin e forcës ndaj gazetarëve dhe kërkoi nga Policia e Shtetit zbardhjen e përgjegjësive.
AGSH gjithashtu dënoi lëndimin me plumba gome të gazetares së medias “Shteg”, Lindita Çela dhe operatorit të Top News, Elion Deliu.
Të dyja organizatat kërkuan hetim të menjëhershëm të rasteve dhe masa për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë raportimit të protestave.
Deklarata e plote e Unionit te gazetareve Shqiptare,
organizata me e madhe e gazetareve profesioniste ne Shqiperi
Dënojmë aktet e dhunës dhe lëndimin e gazetarëve nga punonjës dhe mjete të policisë së shtetit, si dhe sulmet dhunuese mbi institucione, në ditën e festës kombëtare të Pavarësisë
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dëshiron të urojë në këtë ditë gjithë shqiptarët:
Gëzuar ditën e shpalljes së Pavarësisë!
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh keqardhjen që përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në ditën e ngritjes së flamurit në Tiranë, po shndërrohet në një betejë shqiptarësh kundër shqiptarëve, policisë kundër protestuesve dhe protestuesve në sulm kundër disa institucioneve si ministri dhe selinë e Bankës Kombëtare të Shqipërisë.
Imazhet e ditës së sotme në Tiranë, janë pjesë e një realiteti që e ka sjellë politika dhe e përdor politika.
Në episodet e dhunshme, të goditjes me bomba molotov, me plumba gome apo me ujë me presion janë lënduar qytetarë dhe pak policë dhe për turp edhe punonjës të mediave.
UGSH dënon me forcë çdo akt dhune dhe banditizmi, sikundër edhe papërgjegjshmërinë ndaj goditjeve në drejtim të gazetarëve apo punonjësve të mediave. Nga raportimet e mediave mes të lënduarve janë edhe gazetari Elkier Bushkolaj dhe operatori Ardian Muka si she fotoreporteri Feliks Bilani.
UGSH shpreh solidaritet të plotë me kolegët dhe kërkon nga Policia e Shtetit hetimin dhe zbardhjen e përgjegjësisë së autorëve të këtij lëndimi.
UGSH vëren se gjatë gjithë orëve të protestës gazetarët dhe punonjësit e mediave kanë qenë të identifikueshëm dhe të paisur me shenjat dalluese dhe për këtë arsye çdo pretendim për mosvënie re, apo mosidentifikim është i papranueshëm.
UGSH apelon për gjithë kolegët për kurajo dhe solidaritet të fuqishëm, sikundër presim reagimin e shpejtë ligjor nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe organet e prokurorisë.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë