Nga Dashnor Kokonozi-
Revista Esprit botohet që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, duke ruajtur traditën e saj humaniste dhe demokratike. Ajo ka përkrahur luftrat antikolonialiste, por ka mbështetur fort edhe disidentët e regjimeve totalitare.
E blej mjaft rrallë, sepse kushton jo pak (aty te 20 euro), por e lexoj shpesh te pavijoni i librave dhe i shtypit në supermarketin e lagjes, sa herë që pres ndonjë të afërm të bëjë pazarin e javës te sektori i zarzavateve aty pranë.
Sot më tërhoqi vëmendjen një artikull i Lea Ypit mbi një temë, ose më saktë mbi kundërshtimin që ajo i bën idesë së përhapur sipas së cilës e majta flet dhe lufton për barazinë, ndërsa e djathta për lirinë.
Siç e shihni, bëhet fjalë për një argument që, ndonëse është trajtuar prej kohësh nga rrymat e mëdha socialiste të shekujve të kaluar, është rimarrë edhe nga filozofia bashkëkohore, e cila nuk e sheh lirinë të ndarë nga mundësitë e njeriut për të zhvilluar vetveten dhe potencialin e tij.
Me këtë rast, ajo i referohet edhe biografisë së saj personale (dhe, në njëfarë mënyre, të të gjithëve ne), duke kujtuar momentin kur, pas rënies së komunizmit, shqiptarëve iu lejua të pajiseshin me pasaporta dhe teorikisht të udhëtonin, por shpejt zbuluan se një pasaportë nuk mjaftonte. Nevojiteshin viza dhe pranimi nga shtetet e tjera. Është një argument që e dëgjova për herë të parë në një leksion interesant që ajo mbajti në Collège de France.
Më pëlqen fakti që Shqipëria, në kujtesën e saj, nuk është thjesht një paketë nostalgjish. Ajo ka aftësinë ta shndërrojë atë në një laborator filozofik ku teston kufijtë e të dy sistemeve, gjë që përbën një element mjaft origjinal të punës së saj.
Por, ndërsa autorja pyet nëse « je vërtet i lirë të lëvizësh nëse mund të dalësh nga një vend, për aq kohë sa askush nuk të lejon të hysh në një vend tjetër », argumenti nuk më duket aq bindës për të evidentuar « cenet e kapitalizmit ».
Qarkullimi i lirë i shqiptarëve nuk mund të ishte automatik. Ata mbanin ende erën e një vendi me një të kaluar të afërt armiqësore ndaj « kapitalizmit », pikërisht atij kapitalizmi ku deshën të shkelin menjëherë me këpucët e Gabit, ndërkohë që shteti i tyre jo vetëm kishte financuar luftën kundër tij, por me gjasë kishte ndërmarrë edhe hapa për të vendosur ndonjë bombë në Parlamentin Europian.
Gjithsesi, nuk mund të kundërshtohet ideja se liria e shprehjes, e mendimit apo e votës nuk mjafton nëse njerëzit nuk kanë qasje reale në kulturë, në arsim dhe në kushtet materiale që i bëjnë këto liri të përdorshme. Pra, jam me të kur thotë se liria formale nuk është e njëjtë me lirinë efektive. Një njeri mund të ketë të drejtën të flasë, por nëse është i zhytur në varfëri, në manipulim informativ ose në pasiguri të vazhdueshme, aftësia e tij për ta ushtruar atë të drejtë mbetet e kufizuar.
Argumentet e saj më duken më interesante kur afrohen me problematika bashkëkohore, si pandemia ose mekanizmat e mbikëqyrjes teknologjike. Sipas autores, këto kriza kanë treguar se demokracitë moderne mund të pezullojnë ose kufizojnë liri themelore në emër të emergjencës. Ideja është se përjashtimi i përkohshëm rrezikon të shndërrohet në normë.
Gjithsesi, ajo pjesë e ligjërimit të saj, jo vetëm në këtë artikull por edhe në leksionet që mban në institucione, universitete dhe akademi prestigjioze botërore, të cilën nuk e kam kuptuar plotësisht, për të mos thënë se nuk kam arritur ta pranoj, është ajo ku flet për nevojën e një « lirie globale » dhe madje të një « demokracie globale ».
Moralisht, ideja është tërheqëse, madje joshëse. Në një botë të ndërvarur, padrejtësitë në një kontinent ndikojnë mbi të gjithë të tjerët. Por politikisht lind pyetja: kush do ta mishëronte këtë demokraci globale?
Historia na tregon se demokracia ka funksionuar kryesisht brenda bashkësive politike konkrete, me institucione, gjuhë politike dhe solidaritete të përbashkëta. Këtu mendoj se argumenti i saj është më tepër normativ sesa praktik.
Për të mos u zgjatur më tej, ky artikull i Lea Ypit, e cila pa dyshim është një nga yjet në ngjitje të së majtës europiane, është në thelb një përpjekje për ta shpëtuar idenë e lirisë nga monopolizimi ideologjik i së djathtës. Ajo argumenton se socializmi dështoi sepse nuk garantoi liritë themelore, por se kapitalizmi liberal po dështon sepse i shpërndan ato në mënyrë të pabarabartë.
Dhe mësimi që mund të nxirret prej kësaj është se demokracia duhet të kombinojë liritë politike me kushtet materiale që i bëjnë ato reale.
Të paktën, unë, kështu e kuptova!

