Prekazi,Ylli i futbollit ne ish Jugosllavi qe nuk u shqua si shqiptar, por si futbollist

6 Minuta Lexim

Nga Idro Seferi-

Xhevat Prekazi ka qenë padyshim një nga yjet më të mëdhenj të futbollit nga Kosova në ish-Jugosllavi. I ndryshëm prej Fadil Vokrrit, Isa Sadriut, Kujtim Shalës e Agim Canës, ai ka pasur historinë e tij në futbollin jugosllav, sidomos me Partizanin e Beogradit.
Në atë kohë, triumfi në Beograd ka qenë i rëndësishëm për krejt njerëzit e kulturës, sportit, letërsisë, për krejt ish-Jugosllavinë. Ende një pjesë e madhe e artistëve nga këto vende e kanë me rëndësi nëse arti ose veprat e tyre kanë sukses në Beograd. Për shqiptarët kjo nuk është më një qendër aq e rëndësishme, pasi nëpër botë shkojnë direkt.
Ka pasur reagime të shumta nëpër Ballkan e jashtë tij për vdekjen e tij. Shumë shkrime. Në ish-Jugosllavi e kanë parë si një yll futbolli dhe serbëve nuk u ka ardhur keq që Beogradin e ka parë si vendin e tij. Natyrisht, pa e gjykuar vendimin e tij për të jetuar kudo. Mos prisni që njerezit të flasin keq për qytetet ku jetojnë. Por, dikush nga ne flet për politikë e shumica i shmangen kësaj teme, natyrishëm, të paktën në publik.
E kuptoj që një pjesë e njerëzve kanë pritur qëndrime më të qarta politike nga ai. Xhevati, me sa duket, nuk ka dashur të merret me këtë pjesë aq shumë. Sa ka qenë rehat, nuk e di. Por ka qenë i respektuar. Jo nga një pjesë e publikut në Kosovë.
A është e mundur ajo për të cilën fliste Prekazi? Te një pjesë e futbollit po edhe pse duket sikur jo, por ka raste edhe me moshat e reja. Një nga disa ishte edhe një futbollist i ri i Partizanit me origjinë shqiptare ka luajtur edhe për kombëtaren e Kosovës. Gjithsesi, pa i bërë avokatin askujt, sepse nuk ka nevojë.
Me Fadil Vokrrin kam pasur kontakte të shumta dhe një afërsi më të madhe sesa me Prekazin. Me Fadilin kam realizuar intervista për media të huaja dhe kemi mbetur në kontakt. Jemi shkruar herë pas here në Viber. Për ta ngacmuar, i shkruaja ndonjëherë: kur po vjen këndej?
Ia takoja disa miq dhe vdekja e tij është shënuar edhe në Beograd. Askush nuk ia ka parë si rrezik dhe askush nuk ia ka zënë për të madhe që ka lobuar për futbollin e Kosovës dhe ka merita të pashlyeshme.
Prekazi ka folur për Beogradin si shtet e qytet në vete.
Prekazin e kam takuar tri herë. Një herë rastësisht dhe dy herë për punë. Ka dashur të flasë me mua dhe të shohim nëse mund ta bëjmë një intervistë. E mora për një rrëfim më të shkurtër, një pjesë për lajmet e TV Klan në Shqipëri dhe pjesën tjetër për ABC News. Kjo ishte intervista e tij e parë në gjuhën shqipe pas shumë vitesh. Me sa di, është transmetuar edhe në Klan Kosova dhe është cituar në media.
Ishte viti 2017, një kohë si kjo e nëntorit. Pak me shi e pak me emocione. Një ndeshje jo pak e lehtë me Skënderbeun e Korçës.
U takuam në Dorçoll, në Dorian Gray, një restorant i njohur i vjetër ku ndonjëherë ulem edhe me shqiptarë të tjerë. Ishte edhe vendi i Prekazit. Ishte me disa miq dhe më prezantoi me ta. Bëmë muhabet dhe ia sqarova për çka dhe si dëshiroja ta realizonim intervistën.
I thashë që dua të shkoj edhe në Partizan. Më tha të më tregonte kur kishte stërvitje. Pas disa ditësh shkova në mbrëmje, diku në Zemun, te fushat e stërvitjes. Më pritën ekipi dhe stafi. Të gjithë i flisnin me respekt.
Biseda nuk zgjati shumë, sepse ishte pjesë e stërvitjeve. Më foli edhe për ndjenjat e tij, edhe për futbollin. Kishte një mllef me një pjesë të futbollit të Kosovës. Nuk e di pse, por këtë e thotë edhe në intervistë.
Në asnjë moment nuk u soll keq. Intervistën nuk e shpërndava shumë, sepse nuk më pëlqeu titulli i redaktorit të sportit. E di që sportdashësit i kanë qejf titujt pak më bombastikë, por për mua disa fjalë nënkuptojnë shumë dhe nuk i zgjedh lehtë. Thjesht, nuk më provokoi dhe nuk u krijua tension. Ndonjëherë gazetarët nuk merren me titujt.
Gjithsesi, nuk u ankua dhe nuk më tha gjë, përveç faleminderit.
Nuk e kam parë duke folur keq për Kosovën, por as duke iu referuar futbollit në Kosovë si diçka të veçantë. E kam takuar edhe një herë më vonë, rastësisht. Jemi përshëndetur. Por kaq. Me respekt. Ndoshta nuk na ka lidhur shumë, meqë nuk jam ndonjë futbollgji i madh.
Gjithsesi, Prekazi e ka pasur kohën e tij dhe meritat e tij. Por, ndonjëherë njerëzit gjykohen edhe për ato që nuk i kanë bërë. Ky është rasti i tij me sa duket. Secili jeton në formën e tij dhe vendos për aq sa dëshiron.
Por yll i futbollit ka qenë dhe nuk ka përcjellë mesazhe urrejtjeje. Të tjerat qysh ka vendos, me kë është martu e çka ka bë është punë e tij. Kjo është aq histori sa e kam pa unë.
Vlerësojeni vet!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull