Humbja ndez alarmin, Spanja rrezikon kualifikimin në Botëror

2 Minuta Lexim

Paraqitja mjaft e mirë në gjysmëfinalet e Europianit ndaj Italisë, ku dominoi edhe pse u eliminua, na bëri të mendojmë që Spanja e frikshme është rikthyer, por pas vetëm dy muajsh “Furia Roja” e sheh veten sërish në telashe.

Humbja 2-1 në transfertë ndaj Suedisë ka komplikuar jo pak eliminatoret për Spanjën, që e sheh veten dy pikë larg vendit të parë dhe për më tepër skandinavët kanë një ndeshje më shumë për të luajtur, që mund t’i çojë në +5.

Duke qenë se në Botëror vetëm vendi i parë e ka kualifikimin e sigurt, rrugëtimi i Spanjës komplikohet totalisht, pasi tani as triumfi në të gjithë ndeshjet e mbetura të grupit, nuk mund ta ndihmojë të marrë një biletë për në Katar.

Megjithatë më tepër sesa pikët, shqetësuese për “furia Roja”-n është edhe paraqitja, me dyshen mbrojtëse Eric Garcia-Laporte që vuajti jo pak përballë sulmuesve Isak dhe Kulusevski të Suedisë, ku veçanërisht ky i fundit bëri një performancë të jashtë zakonshme.

Në sulm Morata u pa totalisht i izoluar dhe nuk arriti t’i japë frymëmarrje skuadrës, pavarësisht lëvizshmërisë së madhe të Ferran Torres që u nis nga e djathta, ndërsa në mesfushë shpëton vetëm Soler, që gjeti golin e avantazhit, pasi Koke dhe Busquets ishin larg ditëve të tyre më të mira.

Për më tepër, Spanja nuk dha për asnjë moment idenë se është një skuadër, pasi dështoi bëjë një lojë kolektive dhe në fund mori një humbje tërësisht të merituar, ndërsa Luis Enrique duhet të mbajë shënime dhe të ndërhyjë shpejt, për të mos rrezikuar një mbetje jashtë kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik në glob.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull