Lufta kundër kanabisit, Gledis Nano: Gjatë 2021, ZERO kilogram drogë drejt Italisë

14 Minuta Lexim

Kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano shprehet se gjatë vitit 2021, asnjë kilogram drogë nuk është trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë.

Nano bëri bilancin e punës së Policisë së Shtetit në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, gjatë një konference të përbashkët me përfaqësuesit e lartë të policisë italiane.

“Në maj 2021, Guardia di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit. Janë kryer 70 misione ajrore me 182 orë fluturimi. Në total për vitin 2021, nga monitorimi ajror, janë identifikuar dhe asgjësuar 92,428 bimë narkotike krahasuar me 58,423 bimë narkotike kanabis sativa të identifikuara dhe asgjësuara gjatë vitit 2020”, tha ndër të tjera Nano.

Fjala e plotë e Nanos:

Është traditë tashmë, organizimi i konferencës së përbashkët me kolegët dhe partnerët italianë, për të evidentuar dhe pasqyruar rezultatet dhe arritjet e përbashkëta për parandalimin dhe luftën kundër veprimtarisë kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike për vitin 2021.

Policia e Shtetit u angazhua maksimalisht në përmbushjen e prioriteteve dhe masave të përcaktuara në dokumentet strategjike, veçanërisht të Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021-2025 dhe Planit të Veprimit në zbatim të saj.

Bazuar në këto dokumente strategjike, si dhe në analizën e problematikave të identifikuara gjatë vitit 2020, por edhe në vitet e mëparshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit hartoi dhe zbatoi Planin e Veprimit “Për parandalimin dhe luftën kundër veprimtarisë kriminale të kultivimit të narkotikëve për vitin 2021”.

Ky plan u shoqërua me hartimin e planeve të masave, planeve të monitorimit, planeve të operacioneve, në nivel qendror dhe vendor. Prioritet kryesor ishte veprimi i përbashkët ndërinstitucional dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për arritjen e rezultateve të qëndrueshme në drejtim të parandalimit të kultivimit të lëndëve narkotike, identifikimin, zbulimin dhe goditjen e grupeve e rrjeteve kriminale aktive, në fushën e kultivimit e trafikimit të kanabisit, si dhe vënien e autorëve të tyre para përgjegjësisë ligjore.

Plani i veprimit u fokusua në këto drejtime kryesore:

-Sensibilizimin e komuniteteve të përfshira;

-Kontrollin e pandërprerë të territorit, duke synuar parandalimin dhe goditjen që në fazën e parë të kultivimit;

-Intensifikimin e veprimtarisë informative-gjurmuese dhe asaj hetimore për zbulimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të tregtimit të farave të bimëve narkotike dhe organizatorëve të kultivimit e trafikimit të lëndës narkotike kanabisit sativa;

-Rritjen e bashkëpunimit me pushtetin vendor, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në Planin e Veprimit, si dhe rritjen e bashkëpunimi ndërkombëtar, kryesisht me partnerët italianë;

-Identifikimin dhe ndëshkimin e punonjësve të administratës dhe atyre në radhët e Policisë, të cilët neglizhojnë ose bashkëpunojnë në forma të ndryshme në kultivimin e bimëve narkotike.

Vëmendje të veçantë i kushtuam përfshirjes së gjerë të publikut në procesin e informimit, nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe krijimit të mundësive praktike për dhënien e informacionit nga qytetarët.

Në këtë këndvështrim janë organizuar takime sensibilizuese, konferenca, deklarata për shtyp etj. Kontributin më të madh në sensibilizimin e komunitetit e kanë dhënë institucionet arsimore. U krijuan dhe funksionuan periodikisht Task Forcat Qendrore dhe Vendore. Të gjitha institucionet shtetërore, administratorët e njësive vendore, bizneset private, zjarrfikësit, Policia Bashkiake apo Shërbimi Privat i Sigurisë Fizike morën përgjegjësinë e tyre.

Nuk duhet të harrojmë se viti 2020, ashtu si viti 2019 para tij, kishte specifikat që lidhen dhe me vazhdimin e masave në kuadër të kontrollit të Pandemisë nga COVID-19. Kësaj iu shtua edhe sfida e garantimit të mbarëvajtjes së procesit për Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, të cilin e kaluam me sukses, duke marrë edhe vlerësimet e institucioneve dhe organizmave vendase dhe ndërkombëtare.

Krahas sensibilizimit filloi kontrolli periodik i territorit për identifikimin e zonave të kultivuara me bimë narkotike. Siguruam informacion dhe goditëm mbjelljen e fidanëve dhe kultivimin e kanabisit në sera diellore, tunele të braktisura dhe çdo mjedis tjetër i mundshëm për përdorim nga grupet kriminale.

Kemi ndarë zonat e kontrollit dhe përgjegjësive, duke organizuar grupe përgjegjëse për territore konkrete, nga qendra në bazë, ku çdo punonjës policie kishte përgjegjësi për një territor të caktuar.

-Në total për vitin 2021, Policia e Shtetit ka kryer gjithsej 145.555 kontrolle dhe janë kryer 383.689 orë shërbimi;

-Është intensifikuar kontrolli i territorit nëpërmjet përdorimit të dronëve, ku për vitin 2021, janë përdorur 50 dronë, nga 24 të tillë të përdorur më 2019 dhe 38 përdorur për vitin 2020;

-Për monitorimin ajror janë përdorur me efikasitet helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes, ku për këtë vit janë kryer 69 orë fluturimi.

Gjatë vitit 2021 u pasurua harta digjitale e krijuar më parë me të dhënat më të fundit për tokat, zonat pyjore etj, ku kultivoheshin bimë narkotike ndër vite ose mund të kultivoheshin bimë potencialisht narkotike gjatë vitit 2021.

Ka vijuar zbatimi dhe funksionimi i sistemit elektronik “GIS-NARKOTIK”, të Policisë së Shtetit. Ky sistem ofroi të dhëna të plota dhe mundësoi raporte analitike për:

-Kontrollin e territorit;

-Informacionin e paraqitur nga agjenci të tjera ligj-zbatuese, ndjekjen dhe gjurmimin e këtij informacioni;

-Raportet e monitorimit ajror dhe gjurmimit në terren të këtyre të dhënave;

-Rastet dhe vendet e kultivimit të bimëve narkotike.

Ishte e rëndësishme marrja, vlerësimi dhe analizimi i informacionit policor, pasi përmes orientimit të burimeve të informacionit, Policia ndërtoi punën e saj dhe kontrolloi personat me precedentë penal duke nisi hetimet proaktive, si më poshtë:

-Për vitin 2021 janë marrë dhe trajtuar 7023 informacione policore për kultivimin e bimëve narkotike ose 2,647 informacione më shumë se një vit më parë;

-Janë ndjekur 219 përgjime parandaluese për subjektet e dyshuara për veprimtari kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, 98 më shumë se një vit më parë;

-Janë referuar dhe ndjekur 140 procedime proaktive me metoda speciale të hetimit kundër kultivimit të bimëve narkotike, 32 procedime më shumë se një vit më parë;

-Janë evidentuar 25 raste të sekuestrimit të farave të kanabis sativa, ku janë sekuestruar 3 kg 495 gram dhe 15.397 fara të bimës kanabis sativa ose 9 raste dhe 2 kg 310 gr dhe 26,798 fara më shumë se vitin e kaluar.

Një drejtim tjetër i punës sonë ka qenë forcimi i kapaciteteve të njësive të specializuara për luftën kundër drogës përmes trajnimeve, vlerësimit të informacionit dhe pajisjes me mjetet e nevojshme.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke e parë problematikën e kultivimit të kanabisit si një shqetësim real rajonal dhe ndërkombëtar. Ne kemi vendosur tashmë standardin e bashkëpunimit nëpërmjet shkëmbimit të përvojës dhe informacionit me policitë e vendeve të rajonit.

Suksesi i viteve të fundit është arritur edhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer me partnerët italianë.

Ky bashkëpunim gjatë këtij viti u konkretizua me rinovimin dhe nënshkrimin e Protokollit Operacional më datë 18 shkurt 2021, midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme në Itali. Për herë të parë, nga Guardia di Finanza, është shtuar me 1 muaj periudha kohore e aktivitetit të monitorimit ajror duke vendosur në dispozicion edhe një helikopter.

Ndaj, këtu gjej rastin të ndalem dhe të falënderoj qeverinë italiane, Ministrinë e Brendshme dhe taksapaguesit italianë që dhanë kontributin dhe ndihmën e tyre për popullin shqiptar dhe Policinë e Shtetit gjatë gjithë këtyre viteve. Gjithashtu falënderoj Departamentin e Sigurisë Publike, Misionin Interforce, Guardia di Finanza-n dhe të gjithë kolegët italianë të angazhuar në këtë luftë të përbashkët.

Në maj 2021, Guardia di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit. Janë kryer 70 misione ajrore me 182 orë fluturimi. Në total për vitin 2021, nga monitorimi ajror, janë identifikuar dhe asgjësuar 92,428 bimë narkotike krahasuar me 58,423 bimë narkotike kanabis sativa të identifikuara dhe asgjësuara gjatë vitit 2020.

Kemi bërë punë të pandërprerë për goditjen e këtij aktiviteti kriminal nëpërmjet zhvillimit të operacioneve për asgjësimin e bimëve narkotike dhe kryerjes së veprimeve procedurale për vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Treguesit e punës kanë ardhur në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Më konkretisht, gjatë këtij viti:

-Kemi evidentuar 848 vepra penale për kultivimin e bimëve narkotike, nga të cilat 736 janë raste kultivimi dhe 112 procedime proaktive;

-Janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 668 shtetas nga të cilët 400 janë ndaluar apo arrestuar në flagrancë;

-Janë identifikuar dhe asgjësuar 164.775 bimë narkotike, nga të cilat 20.997 në kubikë.

Në të njëjtën periudhë të vitit 2020:

-U evidentuan 577 vepra penale, nga të cilat 505 ishin raste të kultivimit dhe 109 procedime proaktive;

-U implikuan 468 shtetas në veprimtari kriminale nga të cilët 284 janë ndaluar apo arrestuar në flagrancë;

-U identifikuan dhe asgjësuan 137.216 bimë narkotike, nga të cilat 18.828 në kubikë.

Gjithsesi, puna e Policisë së Shtetit kundër kultivimit të bimëve narkotike do të konsiderohej pjesërisht e kryer, nëse nuk do t’i kushtohej vëmendje goditjes së trafikimit të saj dhe identifikimit e sekuestrimit e pasurive që rrjedhin nga ky aktivitet kriminal.

Gjatë periudhës referuese bazuar në statistikat e kolegëve italianë, kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 100 %, nga 911 kg në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në zero gjatë këtij viti.

Të nderuar pjesëmarrës,

Shembull i vendosmërisë së punës sonë, për përmbushjen e detyrimeve të “Planit të Veprimit në Luftën Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike”, është procedimi penal i 165 zyrtarëve vendorë, administratorëve të njësive administrative, kryetarëve të fshatrave dhe inspektorëve të shërbimit pyjor etj, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.

Serioziteti i analizës dhe vlerësimit të situatës, gjetja e mënyrave efikase të bashkëpunimit me të gjithë faktorët dhe aktorët, bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe veçanërisht me ata italianë, kanë kontribuar në rritjen e treguesve të punës së policisë dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër kultivimit e trafikimit të bimës narkotike kanabis sativa.

Aktualisht kemi përqendruar punën tonë kryesisht, në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambientet e mbyllura, si dhe trafikimit të këtyre bimëve.

Për vitin 2022, puna e Policisë së Shtetit ka filluar që sot dhe do të përqendrohet në:

-Grumbullimin e informacioneve për individë ose grupe kriminale që importojnë fara të bimës narkotike kanabis sativa, me qëllim fillimin e hetimeve proaktive dhe goditjen e këtij aktiviteti kriminal që në fazën fillestare;

-Mbi bazën e hartës digjitale dhe analizën e riskut, do të ushtrohen kontrolle periodike si në ambientet e hapura edhe në ato të mbyllura, me qëllim goditjen e këtij aktiviteti kriminal;

-Forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar;

-Nisur nga shtimi i rasteve të konstatuara të kultivimit në ambiente të mbyllura do t’i kushtohet rëndësi e veçantë marrjes, verifikimit dhe ndjekjes së informacioneve policore, për individë apo grupe kriminale të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Me masat që kemi marrë dhe po zbatojmë, si dhe duke vlerësuar treguesit e arritur, shpreh bindjen e organizatës që drejtoj, se në vijim do të konsolidojmë dhe thellojmë rezultatet kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Dua të garantoj gjithë qytetarët dhe partnerët e huaj, se Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese është e motivuar dhe e angazhuar maksimalisht për të çuar përpara këtë luftë me energji të reja.

Beteja bëhet edhe më e fortë, sepse synon grupet kriminale të implikuara në kultivimin apo trafikimin e kanabisit, si dhe drogës në tërësi, por ne jemi të motivuar për ta fituar atë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull