Basha mbledh sot Kuvendin Kombëtar, nis referendumi i Berishës në të gjitha degët e PD në vend

3 Minuta Lexim

Kuvendi zyrtar i PD i njoftuar nga kryetari Lulzim Basha do të mblidhet paraditen e kësaj të shtune, në orën 11.00, shkruan newsbomb.al. Ky është Kuvendi i dytë që mbahet, pas atij të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha një javë më parë, në datë 11 dhjetor në “Air Albania”.

Në këtë Kuvend u morën disa vendime të rëndësishme për demokratët, si miratimi i një statuti të ri, vulë dhe logo e re e PD, si dhe shkarkimi i Lulzim Bashës. Mirëpo, PD zyrtare e quajti atë një miting të Sali Berishës për interesat e tij personale.

Në të njëjtën kohë që sot do të mbahet Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Lulzim Basha, do të mbahet dhe referendumi i Sali Berishës për shkarkimin e kryetarit aktual të Partisë. Të gjitha degët e PD në vend kanë nisur prej orës 08.00 votimin për shkarkimin ose jo të Bashës, ku të gjithë anëtarët kanë të drejtë vote.

Disa orë para këtij Kuvendi që mbahet sot, në PD është mbledhur dhe Kryesia e cila ka propozuar ndryshime të rëndësishme, shkruan newsbomb.al. Një prej tyre është që në strukturat qëndrore të Partisë të mos ketë asnjë person të shpallur “non grata”, propozim me të cilin kanë rënë dakord edhe anëtarët e tjerë.

Gjithashtu, është ngritur edhe Komisioni i Përhershëm Statutor, anëtarë të të cilit janë Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Taulant Zeneli, Jonila Godole. Është marrë dhe një vendim që ka të bëjë me heqjen e disa kompetencave për kryetarin e partisë.

Rendi i ditës i Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha:

  • Vendimmarrje mbi situatën politike me si edhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD dhe agjendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
  • Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend si edhe ndërtimin e mekanizmit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës , i cili në aleancë me krimin e organizuar ka shkatërruar çdo mjet të funksionit demokratike të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit , kryesisht nga të rinjtë.
  • Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme , sipas Objektit “ partia Demokratike , partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm-Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull