Nga Arkond Canaj
Brezi që mbeti dhe mundësia që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë Mundësia që askush nuk e pa Për tridhjetë vjet, Shqipëria humbi më të mirët e saj në heshtje. Çdo i ri që ikte merrte me vete një pakënaqësi që nuk u shndërrua kurrë në kërkesë. Emigrimi ishte qetësuesi i madh i politikës shqiptare: zemërimi eksportohej, dhe pushteti nuk kishte pse të ndryshonte. Sot ky qetësues nuk funksionon më. Dhe kjo, sado e dhimbshme, është mundësia më e madhe që ky vend ka pasur që nga viti 1991. Pse dera u mbyll Evropa nuk është më parajsa e premtuar. Për dekada ajo jetoi mbi varësi: sigurinë ia la Amerikës, prodhimin Kinës, energjinë Rusisë. Fatura erdhi. Sipas raportit Draghi, firmat evropiane paguajnë për elektricitet 2 deri në 3 herë më shumë se në SHBA, për gazin 4 deri në 5 herë më shumë. Në Itali, Greqi, Gjermani, qiraja ha rrogën. I riu shqiptar e bën llogarinë dhe kupton se ikja nuk e shpëton më. Ndërkohë, popullsia shqiptare në moshë pune po tkurret me 1.2% në vit. Vendi nuk ka më njerëz për të humbur. Kjo e ndryshon gjithçka: për herë të parë, i riu nuk është më një problem që zgjidhet me një biletë avioni. Është kapitali i fundit që ka mbetur. Kush mbeti dhe çfarë sheh Ky brez sheh një vend që është zhvilluar vërtet. Ekonomia rritet rreth 4% në vit, pagat u rritën mbi 10% në 2025, turistët lanë 4.4 miliardë euro vetëm në nëntë muaj. Por sheh edhe se ky zhvillim nuk i përket. Çmimet e banesave u rritën mbi 40% krahasuar me 2024-n, ndërsa në Tiranë vlerësohen mbi 100 mijë apartamente bosh. Para që nuk kërkojnë fitim, por fshehje. Një vend me tre çmime: i lirë për turistin, i përballueshëm për trafikantin dhe të korruptuarin, i pamundur për të ndershmin. Korrupsioni këtu vepron si graviteti. Nuk shihet, por e tërheq çdo gjë drejt vetes: lejet, tenderat, tokën, energjinë. Shqipëria ra nga 42 në 39 pikë në indeksin e korrupsionit të 2025-s. Dhe dramat e mëdha nuk lindin nga projektet e mëdha, por nga komponentët e vegjël: një leje e dhënë me miqësi, një tender i fryrë, një rrugë që shembet pak muaj pas inaugurimit. Aleatët e natyrshëm Ky brez nuk është vetëm. Ka një shtresë tjetër që e njeh të njëjtën padrejtësi: sipërmarrësit e ndershëm. Ata mbajnë dy barra njëherësh: konkurrencën me paratë që nuk kanë kosto dhe një shtet që u merr pjesën, por nuk u garanton drejtësi, energji të qëndrueshme, as tender të ndershëm. Në një vend që merr pothuajse gjithë elektricitetin nga uji, një verë e thatë bëhet faturë që e paguajnë sërish ata. Vetëm këtë verë, shteti pagoi 41.5 milionë euro për energji të importuar. Janë pikërisht këta sipërmarrës që punësojnë prindërit e studentëve. Student dhe sipërmarrës kanë të njëjtin armik: rregullat që vlejnë vetëm për disa. Prandaj, kush thyen një vitrinë, godet aleatin e vet. Ku qëndron mundësia Kur njerëzit nuk mund të ikin, ata ose heshtin, ose ndryshojnë vendin ku jetojnë. Historia e Evropës është plot me breza që u detyruan të qëndronin dhe pikërisht për këtë ndërtuan institucione. Shqipëria nuk e ka pasur kurrë këtë presion nga brenda. E ka tani. Mundësia nuk është te rrëzimi i dikujt. Është te kërkesa që rregullat të vlejnë për të gjithë: leje të pastra, tendera të hapur, tregu i banesave i çliruar nga paratë e pista, energji e diversifikuar drejt diellit dhe erës. Nuk janë ëndrra. Janë detaje. Dhe pikërisht në detaje ky vend ka humbur gjithçka. Ky brez ka në dorë diçka që asnjë brez para tij nuk e pati: kohën dhe arsyen për të qëndruar. Nëse e shperdoron ne dhunë, e humbet. Nëse e përdor me durim dhe me aleatët e duhur, Shqipëria mund të bëhet për herë të parë vendi ku dinjiteti fitohet me punë. Ky është kompromisi i vetëm që ia vlen.

