Përgjatë tre viteve në vijim 2022-2025, skema publike e pensioneve do të zgjerohet edhe me rreth 48 mijë pensionistë, për pagesën e të cilëve duhen edhe së paku 100 milionë euro shtesë.
pensioniste
Shqipëria po përballet me rritje të shpejtë të numrit të pensionistëve për shkak të daljes në pension të periudhës bumit të lindjeve në vitet 1950-60.
Gjatëvitit 2022, shpenzimet për skemën publike të pensioneve do të arrijnë në 148.9 miliardë lekë me një rritje 4.7% në raport me planin 2021, sipas projektbuxhetit 2022. Ato do të jenë 6.7 miliardë lekë (50 milionë euro) më të larta se fakti i pritshëm i këtij viti.
Qeveria ka parashikuar që gjatë tre viteve në vijim rritja është llogaritur me indeksin mesatar 2.5 % në vit, duke filluar në periudhën nga 1 prilli i çdo viti, duke respektuar kështu edhe fondet e kontigjencës. Fondet kontingjente sipas viteve janë; viti 2022-3,000 milionë leke; viti 2023-3,120 milionë leke.
Sistemi publik i sigurimeve shoqërore do të vazhdojë të mbështesë me të ardhura mesatarisht nga 744-792 mijë persona që kanë përfituar dhe përfitojnë pensione publike, pensione suplementare si dhe një sërë të ardhura të tjera të parashikuara me ligje si dhe, vendime të veçanta si dhe vendime kompensuese të Këshillit të Ministrave.
Numri mesatar i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore parashikohet mbi 820 mijë persona me një rritje në masën 4% më shumë se i pritshmi i vitit 2020.
Shkalla e mbulimit të popullsisë në moshë punë (kontribues / popullsi në moshë pune) do të jetë mbi 43%. Pjesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore ndaj totalit të fondeve të alokuara për skemat e sigurimeve shoqërore do të arrijë të mbulojë mesatarisht rreth 65.8 % të totalit.
Por skema publike e pensioneve me gjasë do të lehtësohet në vitet në vijim, për shkak të ngjarjeve që po ndodhin në krahun e shpenzimeve.
Pensionistët e rinj, vitit pas viti, po përfitojnë pagesa më të ulëta. Sipas të dhënave zyrtare nga instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në 6-mujorin e parë 2021, mbi 12 mijë persona plotësuan kushtet për pension pleqërie.
Masa e pensionit mesatar për grupin e ri të pensionistëve rezultoi 14,900 lekë ose 134 lekë (-1%) më e ulët se masa mesatare e pensioneve të reja, që u lidhën në vitin 2020. Edhe gjatë vitit 2020, pensioni mesatar në qytet shënoi ulje për herë të parë që nga viti 2000.
Ekspertët nga instituti i Sigurimeve Shoqërore pohojnë se pensionet e reja kanë nisur të reflektojnë problematikën e tranzicionit, sidomos punës në të zezë. Personat, që kanë paguar sigurime në mënyrë të rregullt dhe plotësojnë kriteret, do të kenë të ardhura më të larta, se me ligjin e vjetër që zbatohej para vitit 2014. Por personat, që nuk kanë paguar kontribute, duket se do të vuajnë pasojat gjatë pensionimit, pasi pagesat me reformën e re të pensioneve, që nisi të zbatohet pas vitit 2014, bëhen në bazë të kontributeve. /Monitor