Ditët e fundit të vitit që sapo u mbyll, mes dalldisë kolektive të festave e pregatitjeve për të përmbyllur edhe këtë vit, si të tjerët, me një orgji ushqimore me kontorno serenatash apo gallatash televizive, ia behu një lajm “i parëndësishëm”: “Riaktivizohet koncesioni Kashar–Thumanë”.
Nga Ermal MULOSMANI –
Distanca mes këtyre dy koordinatave gjeografike është 21 kilometër. Mua më ndodh që, kur nisem për Kosovë, nuk jam rehatuar mirë në makinë kur shoh tabelën Laç, çka do të thotë që Thumanën e kemi lënë mbrapa. Në distancën Tiranë – Morinë, segmenti deri në Thumanë është, si me thënë “nxemja”. Kjo për ata që nuk e dinë se për cilën zonë bëhet fjalë.
Nga ana tjetër, historiku i këtij segmenti fillon prej 4-5 vitesh. Ishte edhe atë kohë prag zgjedhjesh. Qeveria e zotit Rama sapo kishte zbuluar thesarin e koncesioneve. Shumicës së shqiptarëve u kujtohet kur ulej në studio e televizioneve me kompletet e instrumenteve mjekësore të kohës së Saliut. Të ndryshkura, të vjetra, vdekjeprurëse. Nuk e di si patëm shpëtu gjallë nga ajo kohë. Shyqyr që erdhi Rama dhe u sterilizuan.
Po sigurisht me para, ku ka në kapitalizëm pa para….
Po “sa kushtuan” – lind pyetja. Ahh, kjo është pyetja që e acaron Kryeministrin. Deri këtu ai të shpjegon me durim dhe bindje domosdoshmërinë, vizionin, ndryshkun dhe qelbsirllëkun që na kishte pushtuar. A thua ti paratë i ka tjetër kush në administrim.
Dolën ato kohë mjekë që thane sterilizimi kushton 2,4 Euro për një set ndërsa ne (pra shteti, pra Kryeministri) i paguajmë investitorit 190 Euro për set ose rreth 80 herë më shumë. U hap edhe një çështje në SPAK.
Nuk dimë gjë si përfundoi ajo punë. Jemi mësuar të mbyllim një skandal me një tjetër më të madh… Si ky koncesion kemi edhe atë të çekapit ku investitori paguhet nga Shteti, pra nga Kryeministri, për 500 mijë vizita që shtetasit shqiptarë mund t’i bënin por që nuk i bënë kurrë. Rreth 12,6 milionë Euro çdo vit. Këtë e thotë Kontrolli i Shtetit jo unë.
Por le të vijmë te koncesioni i rrugës në fjalë. Qeveria e zotit Rama merr një ofertë të pakërkuar nga kompania Gener 2 në vitin 2018 për këtë rrugën e shkurtër. Propozimi shihet me interes nga Qeveria e Shqipërisë dhe organizohet një tender koncesioni në Korrik të atij viti.
Korriku preferohet shumë për tendera.
Atë tender e fiton kompania e mirënjohur Gener 2 në vlerën 225 milionë Euro. Pra, rreth 11 milionë Euro/kilometër. Në mes të fushës. Pak më vonë, kompania solli edhe disa shtesa të vogla. Nëse doni tua mirëmbaj për 13 vjet më duhen edhe nja 150 milionë të tjera. Se helbete, nuk do rrimë me instrumentet e as me rrugët e lëna rrugëve të Saliut, do kemi standartet tona euro-japoneze. Po ndonjë çikë para do e fitojmë edhe ne se fundja përse e bëmë….
Qeveria nuk ra dakort me këtë shumën qesharake prej 370 milionësh. Shtoi aty edhe 87 milionë të tjera. Se rruga duhej bërë mirë de… Ose 22 milionë/kilometër. Midis ultërsire. Kështu parashikohet në projekt buxhetin e 2019-ës te paktën.
E kështu, mirë e bukur po shkonin punët vaj. Deri sa një ditë, në një program televiziv, doli që një firmë prestigjioze “amerikane”. Në fakt ishte nga Mamurrasi dhe kishte shef të saj një sportelist hoteli njëzet e ca vjeçar….
Për më tepër, kjo firma kishte fituar nga shteti shqiptar rreth 40 milion Euro me tender ku zhdukeshin të gjithë konkurentët si me magji. Bela e madhe! Për më tepër, mediat mosmirënjohëse zbuluan edhe ca lidhje mes këtij sportelistit dhe firmës Gener 2.
Shto këtu edhe ca protesta bezdisëse studentore dhe bëhej një gulash zemërimi masiv. Kryeministri vendosi të vinte ca pudër në fytyrën e çjerrë dhe të ndëshkojë fajtorët. Mori Drejtoreshën e Aviacionit Civil, një ish vartëse 20 vjeçarë të tijën dhe i dha çelësat e të gjitha tenderave publikë me pororsinë për të zhdukur skandalet si ky i Gener 2.
Bela e mori me zell të madh, hoqi të gjithë drejtorët e mëdhenj që gjeti dhe jo vetëm kaq. Në një deklaratë për median njoftonte që edhe investimi Kashar-Thumanë do të ndërpritej. Sepse, sipas saj, paratë e kësaj rruge do të shkonin për “Paktin për Universitetin”.
Në fund të njoftimit, zonja Balluku, linte porosi që të thuhej se këto para janë të firmës Gener 2. Me pak fjalë, Kryeministri po e ç’bënte gulashin e zemërimit. Gener 2 shit po ia hiqte paratë, studentëve po ia jepte gjithë fondin e tyre, Drejtorët e korruptuar po i zhdukte. Madje, jashtë vëmendjes Kryeminsitrore nuk mbeti as zbuluesi i falsifikimit “amerikan” Ylli Rakipi. Ai po e sulmonte sepse i kishte ndërprerë kontratën.
Mirëpo ç’ndodhi më vonë? Gener 2 nuk u dekurajua. Fundja ata e dinin se kjo veç një moment zemërimi ishte. E hodhi çështjen në gjyq. Me durim dhe shpresë te Drejtësia e reformuar. Priti 2 vjet e ca derisa Gjykata Administrative e Apelit e dha më në fund sihariqin: “Qeveria duhet të zbatonte kontratën!”. Ishte koha kur Basha u distancua nga Berisha. Kush e kishte mendjen te Gener 2 ato kohë…
Mbetej edhe një shpresë e vockël. Qeveria të bënte rekurs në Gjykatën e Lartë, në Kolegjin Administrativ. Por ç’e do. Sokol Sadushi, një nga anëtarët e Gjykatës së Lartë bëri thirrje publike para ca ditësh : “Mos bëni rekurs në Gjykatë për çdo gjë”. Dhe Qeveria e dëgjoi Kolin, nuk e ushtroi të drejtën e rekursit. Në vend të saj nxori Vendimin për të autorizuar Ministrinë e Ballukut për të vijuar procedurën e negocimit me Kompaninë Gener 2…. Etj etj..
****
Ndërkohë moderatori Sokol Balla është i përfshirë në një luftë për jetë a vdekje me Sali Berishën. Berisha që ka lënë çdo lloj pushteti qysh prej 8 vitesh por është kryefjala e ligjërimit publik pushtetor. Mero Baze, Sokol Balla, Carlo Bolino e kompani vazhdojnë të fokusohen te Berisha dhe krimet e tij. Por kujdes. Kurrsesi ta arrestojmë. Na duhet aty si gogol, si preja më e dobishme e vëmnedjes së opinionit. Bashkë me Metën. Ata janë poli i së keqes. Ndërsa Basha u bë qelibar sapo u divorcua me antiamerikanin Berisha.
Ahh, Rama, shyqyr që e kemi. Dita një mijë iu bëftë.
Sa për autorët e krimeve. Gener 2 shi po e shohim ku është, Drejtori i Rrugëve, autori i skandalit të unazës është sot Prefekt i Tiranës, recepsionisti është në kërkim. Madje edhe Ylli është rehabilituar.
Vetëm paratë e paktit të Universitetit humbën…