Deklarata e UGSH
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon me forcë sjelljen e dhunshme të efektivëve të Policisë Bashkiake të Tiranës ndaj operatorit të televizionit Fax News, Ledio Guni, gjatë ditës së sotme në rrugën ” 5 Maji”. Imazhet e publikuara kur operatori Guni forcërisht dhe me brutalitet dëbohet nga vendi i ngjarjes ku kryente detyrën e vet profesionale, janë tronditëse dhe të patolerueshme. Shoqërimi dhe dëmtimi i rëndë fizik i operatorit përbën një rast të paprecedent.
UGSH dënon me forcë këtë episod. Kërkojmë menjëherë vënien para përgjegjësisë ligjore të personave me uniformën e policisë bashkiake që janë autorë të dhunës së ushtruar mbi operatorin e televizionit. Në mënyrë të menjëhershme të gjithë përgjegjësit e kësaj dhune policore të vihen para përgjegjësisë.
Raportimi dhe pasqyrimi i realitetit në shoqërinë dhe vendin tonë janë mision i shenjtë për çdo gazetar dhe operator medieje. Këtë shenjtëri nuk mund ta cënojë apo dhunojë askush!
UGSH shpreh solidaritetin e fuqishëm me operatorin Guni dhe stafin redaksional të Fax News, duke qenë i vendosur për të gjitha format e reagimit në mbrojtje të lirisë së raportimit dhe kundër çfarëdolloj dhuneje që vjen nga individë apo segmente pushtetesh.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Tiranë më 19.01.2022