Aktori i famshëm i “Hollywood”-it, Leonardo DiCaprio, ka vendosur që të mbështesë Ukrainën e shkatërruar nga pushtimi i presidentit rus, Vladimir Putin.
Mediat e huaja shkruajnë se ai ka dhuruar 10 milionë dollarë në ndihmë të këtij shteti që prej disa ditësh po sulmohet ashpër nga forcat ushtarake të Rusisë.
Një fakt interesant është se gjyshja e tij, Helen Indenbirkin, lindi në Odessa me emrin Yelena Stepanovna Smirnov. Pas revolucionit rus të vitit 1917, ajo emigroi me prindërit e saj në Gjermani. Në atë kohë ajo ishte vetëm 3 vjeçe.
Kujtojmë se ajo kishte një marrëdhënie shumë të mirë me aktorin e famshëm, të cilin e shoqëronte edhe gjatë shfaqjeve të tij publike. Helen ndërroi jetë më 5 gusht të vitit 2008 në moshën 93-vjeçare.
Nga ana tjetër, shumë personazhe të famshëm të ekranit kanë shprehur solidaritetin e tyre me Ukrainën, duke bërë donacione të ndryshme.
Robert De Niro tha gjatë një takimi në Universitetin e Cambridge se duhet të bëhet gjithçka për të ndaluar agresionin rus.
Ryan Reynolds dhe Blake Lively vendosën që të merrnin pjesë në një mbledhje fondesh për Ukrainën dhe u zotuan se do të dyfishonin çdo shumë të dhuruar.
Mila Kunin dhe Ashton Kutcher gjithashtu bënë një donacion për Ukrainën dhe ftuan të gjithë që të ndihmon njerëzit që po vuajnë nga kjo luftë.