Nëse do të kishte qënë një qeverisje e mirë…

4 Minuta Lexim
Protestat kundër shtrenjtësisë së jetës nisën vetëm pak ditë pas votimeve të 6 marsit, ku kandidatët e Boratit Kryeministër u supervotuan në pesë bashki. Kjo koincidencë nuk mund të injorohet.
Nga Erion DASHO –
…Nga njëra anë, një masë kritike qytetarësh të cilët protestojnë, shprehen hapur kundër qeverisë në median sociale, etj. dhe nga ana tjetër, një masë dërmuese votuesish që vazhdon e mbështet qeverinë që ka 9 vjet në pushtet.
Nëse do të kishte qënë një qeverisje e mirë, sigurisht nuk do të kishin ikur jo vetëm shqiptarët, por edhe bangladeshasit që u sollën për t’i zëvendësuar!
Sikur të kishte qënë një kryeministër për të qënë, do të kishte hartuar e zbatuar programe dhe strategji zhvillimore e jo dëngla facebook-u! Do ta kishte matur suksesin me projekte të realizuar dhe jo me like e share!
Sikur të kishte patur një ekip dinjitoz dhe profesional, nuk do ta mbushte kabinetin qeveritar me njerëz që i bëjnë komplimente patetike dhe të pështirosura!
Por, ky paska qënë fati i shqiptarëve nën sundimin e Boratit Kryeministër!
T’i nënshtrohen vullnetit të një maxhorance që shkon pas propagandës dhe ta nxjerrin dufin duke sharë vetëm kur shkon thika në palcë, kur vriten nga policët e Boratit, kur rripen nga oligargët e Boratit, apo kur lihen pa shkollë nga të pashkollët e Boratit në krye të arsimit!
Protestat për rritjen e çmimeve do të japin me shumë të ngjarë të njëjtin rezultat (ose mungesë rezultati) që dhanë protestat e mëparshme. Makina e propagandës së Boratit është bërë tashmë imune ndaj tyre.
Një këshillë miqësore për protestuesit; Bëni shumë mirë që protestoni dhe, ne që jetojmë jashtë vendit, ju mbështesim dhe na entuziazmon protesta juaj.
Vetëm mos harroni! Kur të vijnë zgjedhjet, mundohuni të harxhoni një ditë për t’i mbushur mendjen gjyshit, prindit, xhaxhait, mikut, fqinjit, etj. që i ka mbetur ora në vitin 1985, kur vdiste Enveri!
Bindini ata se Borati Kryeministër  me të vërtetë nuk është komunist, por ka bërë punë po aq të poshtra për këtë vend. Mbi të gjitha, po punon ethshëm për shpopullimin e Shqipërisë dhe krim më të madh se ky nuk mund të ketë…
Borati Kryeministër  është njeriu më i kënaqur në Shqipëri nga protestat qytetare ad hoc.
Sepse së pari, jep imazhin e një demokracie.
Së dyti, tashmë e ka provuar se ky tip proteste dhe këta protestues nuk arrijnë dot të ndikojnë as 1% tek votuesit e vet trushplarë.
Së treti, në valën e protestave harrohet skandali apo hetimi i radhës.
Së fundi, përvoja ka tregues se gjatë protestave kalohet ndonjë ligj për të planifikuar hajdutërinë apo kusarinë e radhës.
Duke mbështetur plotësisht protestat dhe protestuesit, uroj që ata të gjejnë një motiv, një program dhe, pse jo, një lëvizje të strukturuar që të nxisë jo thjesht sensin e protestës për një javë, por zemërimin permanent të qytetarëve për vjedhjen, korrupsionin, shitjen, grabitjen, talljen dhe një mijë të zezat e tjera që i janë bërë këtij populli në 30 vjet…

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull