Dita 26 e luftës: Si është situata në Ukrainë

3 Minuta Lexim

· Ukraina refuzoi kërkesën e Rusisë që Mariupol të dorëzohet. Zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk tha se nuk mund të flitej për ndonjë dorëzim dhe se Rusia ishte informuar për përgjigjen.

· Presidenti i SHBA Joe Biden do të udhëtojë në Poloni këtë javë për të diskutuar përpjekjet ndërkombëtare për të mbështetur Ukrainën dhe për të “vendosur kosto të rënda dhe të paprecedentë ndaj Rusisë” për pushtimin e saj, ka thënë Shtëpia e Bardhë. Diskutimet do të pasojnë takimet e Biden-it në Bruksel me aleatët e NATO-s, udhëheqësit e G7-ës dhe liderët e BE-së.

· Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ai beson se nëse dështojnë negociatat me Rusinë do të thotë “Luftë e Tretë Botërore”. Ai tha për CNN se është “gati për negociata” me presidentin rus Vladimir Putin dhe se “ne duhet të përdorim çdo formë, çdo shans për të pasur një mundësi negocimi”.

· Zëdhënësja e të drejtave të njeriut në Ukrainë, Lyudmyla Denisova, tha se trupat ruse kishin rrëmbyer banorët dhe i kishin çuar në Rusi. “Disa mijëra banorë të Mariupolit janë dërguar në Rusi”, tha ajo në Telegram.

· Dhjetë milionë njerëz – më shumë se një e katërta e popullsisë – janë larguar nga shtëpitë e tyre në Ukrainë për shkak të luftës “shkatërruese” të Rusisë, tha të dielën kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatë.

· Ambasadori i Kinës në SHBA ka thënë se vendi i tij nuk po dërgon armë në Rusi. Ai tha se Kina po dërgonte ushqime, çanta gjumi dhe ndihma të tjera, “jo armë dhe municione për asnjë palë”. Por ai nuk e përjashtoi mundësinë që Pekini mund ta bëjë në të ardhmen.

· Gjermania ka rënë dakord për një kontratë me Katarin për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm që do ta ndihmojë vendin të largohet nga varësia e energjisë ruse. Mund të duhen disa vite që marrëveshja të hyjë në fuqi të plotë. Ndërkohë Arabia Saudite tha se po rrit prodhimin e naftës për të përmbushur kërkesën globale.

· Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka thënë se marrëveshja e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës është “afër”, pavarësisht skepticizmit të qeverive perëndimore. Ambasadori i SHBA në Kombet e Bashkuara paralajmëroi të dielën se kishte pak shpresa të menjëhershme për negociata që do t’i jepnin fund luftës.

· 11 parti politike ukrainase janë pezulluar për shkak të lidhjeve të tyre me Rusinë, sipas Zelensky-t. Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes së vendit mori vendimin për të ndaluar partitë nga çdo aktivitet politik. Shumica e partive të prekura ishin të vogla, por njëra prej tyre, Platforma e Opozitës për Jetën, ka 44 nga 450 vende në parlamentin ukrainas.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull