Nga Enver ROBELLI-
Mes 5 dhe 6 prillit 1992 filloi rrethimi i Sarajevës nga “ushtria” e serbëve të Bosnjës. Gjatë rrethimit që zgjati 1425 ditë, nga kodrat e Sarajevës vrasësit serbë ua morën jetën rreth 11’000 njerëzve, mes tyre 1600 fëmijë. 56 mijë njerëz u plagosën. 83 për qind e viktimave civile të luftës në Bosnjë ishin boshnjakë (siç e quajnë veten myslimanët e Bosnjës në kuptimin nacional).
Para se të fillonte rrethimi i Sarajevës, njësitë paramilitare të kriminelit të luftës Zhelko Razhnjatoviq Arkan vranë disa shqiptarë në Bosnjën lindore, mes tyre Hajrush Ziberin me origjinë nga rrethina e Shkupit. Në Bijelinë, një qytet afër Serbisë në Bosnjën lindore, u vranë mbi 10 shqiptarë.
Më 2 maj 1992 nga çetnikët u vra Bajram Zenuni, një inxhinier shqiptar, i cili punonte në repetitorin e televizionit të Sarajevës të vendosur në një kodër të kryeqytetit boshnjak. Bajram Zenuni u kyç në ditarin qendror të lajmeve të Televizionit të Sarajevës, të cilin e moderonte gazetari i njohur Senad Haxhifejzoviq, dhe tregoi mbi rrezikun që i kanosej. Pas pak Zenuni dhe kolegët e tij Zekerijah Shilak, Ivica Tomiq dhe Seid Sazhiq u vranë. Në Sarajevë një rrugë bart emrin e Bajram Zenunit.
Kur filloi rrethimi i Sarajevës, Ratko Mlladiqi tha se asnjë shqiptar s’do të dilte i gjallë nga Sarajeva.
30 vjetori i fillimit të agresionit serb kundër Bosnjës është një rast i duhur për të bërë publik edhe këtë lajm: së shpejti (besoj deri nga fundi i qershorit) do të botoj një libër mbi luftën e Bosnjës dhe krimet e Ratko Mlladiqit, i cili në fillim të viteve 90-të komandonte armatën e serbizuar jugosllave në Prishtinë, pastaj e dërguan në Kroaci (ku u mposht nga një gjeneral shqiptar në shërbim të ushtrisë kroate) dhe në fund përfundoi në Bosnjë, ku kreu gjenocidin e parë në Europë pas gjenocidit të Adolf Hitlerit kundër hebrenjve.