Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Selanik në Greqi, ku ka rënë zjarri në një spital ku trajtoheshin pacientët me Covid-19.
Mediat greke shkruajnë se një pacient ka ndërruar jetë si pasojë e ngjarjes, trupi i të cilit është gjetur i karbonizuar në katin e dytë të godinës së Klinikës Pulmonare, në krahun e Covid-it nga ku ka nisur zjarri, ndërsa një tjetër person ka mbetur i plagosur rëndë.
Drejtori i klinikës është shprehur se zjarri është vënë nga një pacient që po trajtohej për koronavirusin.
“Një pacienti i vuri flakën”-tha ai. Sipas tij, kjo lëvizje e pacientit nuk është perceptuar se do të merrte përmasa të tilla dhe kështu zjarri është përhapur me shpejtësi në pallatin trekatësh, ku po trajtohen 20 pacientë të sëmurë rëndë me koronavirus.
“Tymi është shumë i dendur dhe për momentin nuk e dimë se çfarë po ndodh me 20 pacientët”, theksoi z. Chloros.
Në vendngjarje po operojnë forca të forta zjarrfikëse me njëmbëdhjetë automjete dhe 30 punonjës.