Një i ri i moshës 33 vjeç, është identifikuar nga policia e Tiranës si një burrë që ushtron prostitucionin. Por jo vetëm kaq, ai është kthyer në një shqetësim për fqinjët me sjelljet e tij të pahijshme dhe të pazakonta.
Burimet e policisë vendore në kryeqytet, i thanë Gazetasi.al, se i riu me inicialet E.E., u denoncua nga komshinjtë. Ai njihet si banor i akomoduar nga programet e strehimit në Qendrën Kombëtare të Emergjencave, Tufinë.
Ky shtetas, referojnë institucionet jo zyrtarisht, u strehua në vitin 2016, pasi u konstatua në situatë rruge.
Azili në Gjermani dhe shqetësimi i fqinjëve
Ajo që përshkruajnë në kartelën e prostituimit shërbimet e bashkisë në kryeqytet, është si vijon.
“Gjatë qëndrimit në qendër, ai ka marrë të gjitha shërbimet e nevojshme psiko-sociale dhe mbështetje të herë pas hershme me ndihma për plotësimin e nevojave nga OJF dhe nga njësia administrative numër 5”.
“Disa herë, ky shtetas ka refuzuar punën e ofruar nga kompani të ndryshme”, – shpjegojnë specialistët, që kujtojnë se nga psikologët janë ofruar seanca ndërgjegjësuese për sjellje të hijshme.
Policia, thotë se i dyshuari që ushtron prostitucion, tentoi të krijojë një jetë të re, duke u larguar për tre muaj nga Shqipëria dhe duke kërkuar azil në Gjermani.
“Pas kësaj, ai u kthye dhe kërkoi banesën pranë qendrës, ku dhe iu referua një incident me punonjësit që e kallëzuan pranë policisë së Tiranës për kërcënim dhe dëmtim të pronës. Megjithatë përballë këmbënguljes së tij se do të ndryshonte, shërbimi social e ka akomoduar sërish në qendër”.
Policia thotë se u vu në dijeni për ushtrim prostitucioni nga i riu, i cili fuste burra në dhomën e tij, ku paguhej prej tyre.
“Ne jetojmë ngjitur me dhomën e E.E., dhe ai na shqetëson gjatë natës, pasi dëgjojmë së bashku me fëmijët pasthirrma me natyrë denigruese dhe turpëruese. Ne i kemi kërkuar llogari fqinjit dhe ai na u justifikua se kryen marrëdhënie për para dhe se kjo është një punë për të”, – deklarojnë në polici qytetarët.
Policia nga ana e saj tregon se morën takim me qytetarin dhe në prani të një inspektori policie, i dyshuari e ka pranuar se punonte si prostitutë.
E vënë në dijeni nga inspektori që njoftoi eprorët, policia thotë se e thirri zyrtarisht 33-vjeçarin nga Tirana për t’i marrë një deklaratë.
Aty ai i pranon të gjitha, duke e bindur policinë se në të vërtetë duhet vënë para përgjegjësisë për ushtrim prostitucioni.
Rrëfimi i tij..
Ai e nis dëshminë e tij, duke kujtuar se u rrit në shtëpinë e fëmijës dhe duke qenë i lindur në një familje në vështirësi ekonomike, i takonte shumë rrallë motrat dhe vëllezërit.
Por për shkak se ata e kanë kuptuar që ishte pjesë e komunitetit LGTB, “dhe për shkak se një familje nga veriu nuk i pranon këto gjëra, ata më mohuan dhe nuk ma hapën derën. Këtu nisën vështirësitë e mia”, – shprehet në polici E.E., që është nga një qytet verior.
“Nuk flas fare, as me motrën, as me vëllezërit prej kohës që kur ata e kuptuan çfarë isha. Prindërit më çuan në shtëpinë e fëmijës, pasi nuk na rrisnin dot dhe ishin të varfër”, – thotë i riu.
Sipas tij, pas jetesës në shtëpinë e fëmijës, ai u dërgua nga shteti në një konvikt, ku dhe ka qëndruar për rreth 7 vite.
“Për shkak se më paragjykonin dhe ndihesha i pamundur për ta marrë veten ekonomikisht, u largova në Gjermani. Por aty jeta nuk më eci mirë, ndaj dhe u ktheva në Tiranë”, – deklaron i riu.
Kur ai u kthye në Shqipëri, kujton se kërkoi strehë sërish pranë zyrave të bashkisë Tiranë.
Derisa iu mundësua një çati mbi kokë thotë se policia, e strehoi në një hotel ku dhe qëndroi për tre muaj.
“Gjatë kësaj kohe, krijova lidhje me një burrë nga Kosova, – thotë i riu. – Kur ngelesha keq për para, i kërkoja të dashurit. Ishte një lidhje e fortë për mua. Por kur i dashuri s’më jepte para, atëherë dilja dhe gjuaja meshkuj dhe në hotel gjatë kësaj kohe, nisa punën duke çuar meshkuj në hotel. Të gjithë këta burra më paguanin. E bëj këtë gjë, se nuk më merr askush në punë”
Policia e pyet, sipas burimeve, se si i siguron klientët dhe ai shpjegon.
“Dal në rrugë i veshur normal dhe duke ecur apo duke qëndruar në kafe, pyes si rastësisht djemtë dhe burrat: “A je për seks’? Nëse personi hesht, kuptoj se i interesoj, nëse acarohet, largohem me shpejtësi. Nëse pranon largohem përpara tij dhe e çoj në hotel R. Hotelin e paguan klienti, kurse unë marr 40 deri në 50 euro”, – i thotë policisë ai.
I riu shton se “të tjerët që i dalloj që nuk janë mirë nga paratë, pra nuk u del të paguajnë edhe mua edhe hotelin, i çoj në qendër”.
Ai vijon se, “ka pasur një rast, ku një burrë qe i dhunshëm me mua kur kreu marrëdhënie dhe më rrahu. Aty e morën vesh dhe të tjerët dhe punonjësi social më vuri kushte”.
Duke u përpjekur që të ndryshonte, i riu justifikohet para policisë se kishte kërkuar disa herë punë, por në krye të javës, atë e largonin pa arsye. Kjo e çoi atë në rrugën e ushtrimit të prostitucionit.
“Pronari i fabrikës më hoqi nga puna, pasi më ngacmoi dhe nuk donte që ta mësonin të tjerët prirjen e tij, kështu që edhe ai u soll keq”, – thotë ai në polici.
Policia shpjegon se nuk e arrestoi të riun për veprën e ushtrimit të prostitucionit.
Arsyeja është se nuk ka vend ku ta dërgojë në paraburgim, ndërkohë që pritet që të referohet në prokurori për akuzën e prostitucionit, sipas nenit 113 të Kodit Penal./ Gazeta Si/