Kapet makina ‘plot’ me drogë në ‘Rrugën e Kombit’, shoferi i shpëton ‘sy më sy’ policisë

3 Minuta Lexim

Një operacion antidrogë është zhvilluar nga policia e Lezhës në Rrugën e Kombit, ku pas ndalimit të mjetit të dyshuar, në rrethana që nuk dihen ende, shoferi ka arritur që t’ia mbathë, në sy të bluve.

Policia ka vënë në pranga pasagjerin në mjet, shtetasin Albert Çeka, dhe ka shpallur në kërkim drejtuesin e mjetit Ded Prendi.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 9 kg kanabis sativa, 1 automjet, 2 aparate celulare.

Njoftimi i policisë: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Repsi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forca e Posaçme Operacionale në DVP Lezhë.

Transportonin lëndë narkotike me automjet, vihet në pranga një shtetas dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 9 kg kanabis sativa, 1 automjet, 2 aparate celulare.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotikëve, pas një hetimi disajavor të ndjekur nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve për 2 shtetas që do të transportonin me automjetin e tyre një sasi lënde narkotike në bashkëpunim me njëri tjetrin për shitje, gjatë pasdites së djeshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, kanë finalizuar operacionin policor të koduar ” Repsi”.

Si rezultat i këtij operacioni, në Rrugën e Kombit, në vendin e quajtur Reps, Mirditë, kanë lokalizuar lëvizjen e automjetit duke e ndaluar për kontroll, dhe në bagazh të automjetit, kanë gjetur 2 qese të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike e cila pas peshimit rezultoi 9 kilogramë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Ç., 50 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim drejtuesi i mjetit, shtetasi D. P., 53 vjeç, banues në Pukë, i cili gjatë ndërhyrjes së policisë, ka mundur të largohet.  Vijojnë kontrollet dhe krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna hetimore  për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull