“Qytetarëve në lokale t’u ofrohet ujë nga çezma”. Mund të tingëlloje e çuditshme, por ky është vendimi i qeverisë së Kosovës.
Një vendim të tillë e mirëpresin edhe klientët, por ka edhe nga ata që nuk e shohin të nevojshëm.
“Vendim i qëlluar. Megjithëse për dike mund të duket vendim i vogël, ka një impact direkt në xhepin e qytetarit”, thonë ata.
Vendim të drejtë e cilësojnë edhe gastronomët.
“Nuk ka qenë diçka e re për ne pasi kemi shërbyer gjithmonë me ujë. Uji është i pijshëm, gjithmonë e kemi shërbyer. Është shumë e thjeshtë, shpenzimet janë minimale”, sipas menaxherit të një lokali, Fanol Duli.
Megjithatë, disa prej tyre pranojne se shërbimi i ujit të çezmës shkakton pak probleme në shërbim.
“Është problem mënyra e shërbimit, është pak më i ngadaltë”, thotë Mentor Berisha, menaxher restoranti.
Të tjerë thonë se ujin e çezmës e kanë shërbyer edhe atëherë kur shteti ka dështuar që ta ofrojë për qytetarët.
“Ka pasur raste të reduktimit të ujit, kemi shkuar dhe klemi blerë shishe të mëdha uji, kemi shërbyer vetë me shërbimet tona”, theksoi Shpat Hashani, pronal lokali.
Vendimi tingëllon pak i çuditshëm e madje qesharak si për qytetarët, edhe për disa nga përfaqësuesit e opozitës.
Sipas tyre para vendimeve të tilla, qeveria do duhet të sigurojë ujë të pijshëm 24 ore për të gjithë qytetarët.