Paralajmërohet takim midis Kurtit, Escobarit dhe Lajçakut

4 Minuta Lexim

Në prag të rundit të ri të dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të zhvillojë takim në Bruksel në mbrëmjen e 17 gushtit me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, mëson Radio Evropa e Lirë.

Sipas burimeve diplomatike, ky takim dëshmon koordinimin gjithnjë e më të ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian rreth Kosovës.

Burimet diplomatike i thanë REL-it se Uashingtoni dhe Brukseli kanë interes të përbashkët paqen e stabilitetin në rajon, si dhe realizimin e aspiratave që rajoni i Ballkanit Perëndimor të integrohet në familjen evropiane.

Ky bashkëpunim është i domosdoshëm për të arritur sukses edhe në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, thanë burimet diplomatike.

Kurti dhe Vuçiq do të takohet më 18 gusht në Bruksel, në rundin e ri të dialogut. Temë e bisedimeve, sipas agjendës së publikuar nga BE-ja, do të jetë edhe synimi që të ulen tensionet mes dy vendeve.

Tensionet u rritën pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, pasi serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë. Serbia e aplikon këtë masë ndaj shtetasve të Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Kosova i konsideron joligjore targat me akronime të qyteteve të Kosovës të tilla si UR, PZ, KM e të ngjashme.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës, pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar u pajtua që të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Më 17 gusht, pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Kurti tha se nuk do të heqë dorë nga zbatimi i vendimeve, pasi tha se ato janë ligjore.

Me Stoltenbergun u takua edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Shefi i NATO-s tha se misioni në Kosovë, KFOR, mbetet i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet siguria.

Takimet me Stoltenbergun, por edhe rundi i ri i dialogut është thënë se kanë për synim uljen e tensioneve.

Edhe pas heqjes së barrikadave, zyrtarët në Kosovë dhe Serbi kanë ashpërsuar retorikën, gjë që bëri që BE-ja të reagonte duke paralajmëruar se do të mbajë përgjegjës liderët për çdo përshkallëzim eventual të situatës.

Gjatë 17 gushtit, Vuçiq ka njoftuar se është takuar me Lajçakun.

“Në një bisedë me Lajçakun përsërita përkushtimin e fortë të Serbisë që të vazhdojë të bëjë gjithçka me qëllim të ruajtjes të paqes dhe stabilitetit në rajon, sikur edhe që përmes dialogut të vijmë deri te gjetja e kompromisiz, pa presion dhe ultimatume. Përsërita se Serbia insiston në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të dakorduara dhe nënshkruara në Bruksel, sepse ne i kemi përmbushur në tërësi të gjitha obligimet tona”, shkroi Vuçiq në llogaritë e tij në rrjetet sociale.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja më 2011. Por, palët kanë dallime sa i përket epilogut të procesit. Kosova kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë edhe njohjen reciproke, ndërkaq Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull