Një paketë bombë që shpërtheu të martën pasi u dorëzua në Universitetin Northwestern në Boston përmbante një mesazh kritik ndaj Mark Zuckerberg, pronari i Facebook, raportoi CNN, duke cituar burime të paidentifikuara policore.
Në mesazh përmendej bashkëpunimi mes kompanive të përfshira në zhvillimin e rrjeteve të realitetit virtual dhe komunitetit akademik.
Meta zhvilloi platformën e realitetit virtual social Horizon dhe mesazhi paralajmëron komunitetin akademik që të mos bashkëpunojë me kompani të tilla, sipas CNN.
Një punonjës 45-vjeçar i Universitetit Northwestern në Boston ka mbetur i plagosur lehtë kur ka shpërthyer pakoja që po mbante, e cila është dërguar në adresën e këtij institucioni, tha policia. Autoritetet thanë se një tjetër paketë e dyshimtë u gjet në kampusin e universitetit të martën dhe u zhvendos në një vend të sigurt, ku u neutralizua dhe se FBI po ndihmonte në hetim.
Pakoja që shpërtheu ishte një nga dy të raportuara në polici të martën mbrëma, por nuk u tha se si u dorëzuan në kampusin universitar.
Mësohet se në këtë ngjarje kanë ndërhyrë ekipi i policisë për çminim, zjarrfikësja dhe urgjenca mjekësore.
Policia mbërriti në kampus pak para orës 19:30 dhe universiteti u kërkoi studentëve që prisnin fillimin e orëve të mbrëmjes të gazetarisë në sallë të largoheshin nga godina.
Mësimet e mbrëmjes janë anuluar në gjashtë ndërtesa, njoftoi policia në Twitter.