Udha e mbarë Lazër Stani!

5 Minuta Lexim
Gëzim Zilja
                                                                                                                                                                                                                                                                                            U largua nga Shqipëria një nga shkrimtarët më të mirë shqiptar, mjeshtër i tregimit dhe fjalës shqipe, njeriu i ditur dhe i mirë Lazër Stani! Do na mungosh aq shumë o Lazër! Zëri yt, buzëqeshja jote e veçantë, ironia e hollë si fija e flokut, këshillat e mendimet plot vlerë, thjeshtësia dhe eleganca e lindur, kafja dhe rakia 60 lekëshe te klubi i lagjes, mezja te bulmetorja dhe pendesa e përherëshme të nesërmen se dje e tepruam, (pimë shumë,) që përsëritej me Galipin tonë fisnik dhe Flamurin artist, kush e di nëse do të ndodhë më. Do na mungojnë diskutimet për shoqërinë shqiptare të molepsur nga e keqja dhe veset, për politikën, e për këtë shtet karagjoz që ngritëm këto tridhjetë vjet.
Shumë boshllëk krijon largimi i një miku e të mbulon trishtimi. Se janë kaq të pakët e vazhdojnë të mbeten edhe më pak duke u larguar çdo ditë. Nuk të lanë rrugë tjetër i dashur Lazër veç largimit. Nuk të lanë të punoje megjithëse shoqëria ka aq nevojë për njerëz si ty, sidomos kultura, historia dhe letërsia shqiptare. Qysh nga viti 1992 punësimi yt qe “problem.” Ishe i papranueshëm se kudo që shkoje thoshje atë që mendoje dhe rrezatoje dituri e drejtësi. Nuk e pranon dot shoqëria e sotme njeriun si ty. Je nga shkrimtarët më të mirë në këto tridhjetë vite ( për mua më i miri) por duke qenë antikonformist i lindur asnjëherë njerëzit në pushtet nuk të donin afër. Pushtetarët e sotëm të heqin nga puna nëse nuk bindesh, shkruan e firmos gjithçka që të japin. Osh e branë u hoqe kur në qeveri ishin blutë por nuk e gjunjëzove. Po të kuqtë as që donin t’ia dinin. Të flakën nga puna me një letër të pistë pa kuptim. Po ti si njeri plot vlera nuk hape gjyq duke thënë: nuk i dua paratë e tyre. Njerëz potencial si ty, pushtetarët e sotëm nuk i kanë fare në listat e të gjallëve. Edhe në televizionin shqiptar, edhe në ministritë e arsimit e të kulturës edhe në drejtoritë e librit, për ty njeriun plot kulturë, tregimtar i shkëlqyer dhe vizionar (ashtu si për Bardhyl London, mikun tonë të paharruar) nuk u gjend një vend pune qoftë dhe inspektor i thjeshtë. Sot ministritë e drejtoritë e librit, kulturës e historisë gëlojnë nga të paaftët, nga të paditurit, intrigantët, patronazhistët dhe të pakulturuarit. Kishe një libër të ri nëpër duar që unë të përgjërohesha ta botoje. Dikur ti më dhe atë përgjigjen klasike, të ngjashme me Konicën kur e pyeti Noli, që pse nuk i mbledh shkrimet e boton një libër. Ti mu përgjigje: Ja e botova more Gëzim, po kush do ta lexojë? Sot libri lexohet fare pak ose aspak dhe kjo është nga dramat më të rënda të shoqërisë shqiptare.…
Udha e mbarë miku im, shkrimtari që rrezaton në letërsinë shqiptare, Lazër Stani! Diell tu bëftë andej nga do të shkosh në Amerikën e largët. Po dije, se pa ty dhe të tjerë si ty, vendi i shqiponjave shkretohet e varfërohet çdo ditë. Zoti e di nëse do takohemi sërish! Udha e mbarë…

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull