Silvana Kola-Loka
Sapo lexova këtë reagim të z. Kadare për fituesen/humbësin e çmimit Nobel në Letërsi 2022. Dy mendime më erdhën automatikisht:
1. Z. Kadare është mbi të gjitha një qenie njerëzore, me të drejtën që zotëron secili prej nesh për të përjetuar, ashtu si mundet, një lajm si i sotmi. Mendoni pak: nëse secili prej nesh e përjeton me ngarkesë emocionale, çdo vit, dhënien e çmimit Nobel në Letërsi, me dëshirën që letrat shqiptare të bëhen të njohura botërisht, z. Kadare e ka ca më të lartë këtë ndjeshmëri, apo jo? Ndaj, për këtë arsye, do të ishte e padrejtë të vihej nën mikroskop dhe nën breshërinë e pyetjeve.
Gazetaria nuk ka përgjegjësinë vetëm të raportojë. Më së pari duhet të filtrojë lajmin me gjykim dhe moral njerëzor dhe të njerëzishëm. Dhe ky lajm, apo të tjera që lexova si ky bashkëngjitur, tregojnë për një gazetari që pret si ai zogu që ushqehet me fatkeqësinë e të tjerëve, pa kuptuar se raportimi i një lajmi në këtë mënyrë është një dëm i madh që iu bëhet të gjithëve, edhe gazetarit që nuk shikon dot përtej numrit të klikimeve…
2. Megjithatë, nga ana tjetër, mendoj se humbja, sidomos kur është e përsëritur, është një mundësi e artë për cilindo për t’u bërë më i përunjur dhe më modest. Përtej përjetimit njerëzor të humbjes nga z. Kadare, unë gjithnjë kam qenë e mendimit se kur bëhesh një figurë publike, sidomos në fushën e mendimit dhe letrave, menaxhimi i humbjes është po aq me përgjegjësi sa menaxhimi i suksesit. Figurat publike kanë përgjegjësinë të edukojnë tek masat, mënyrat më të mira të përballjes me disfatën, zhgënjimin dhe shijen e hidhur të humbjes.
Të paktën një ditë në vit, në çdo ditë të shpalljes së çmimit Nobel në Letërsi, z. Kadare është i vetdijshëm që çdo shqiptar i ka sytë dhe veshët nga ai.
Dhe unë mendoj se z. Kadare ka ende nevojë të punojë për të gjetur brenda vetes atë masë të nevojshme të kurajos për të fituar përunjësi nga humbja. Dhe unë e mendoj këtë si një detyrim të natyrshëm për cilindo që është i ndërgjegjshëm për fuqinë e patjetërsueshme të fjalës!
E trishtuar për humbjen e rradhës të një mundësie për protagonizmin e letërsisë shqipe!
Zemërthyer për rastin e humbur për të farkëtuar mes shqiptarëve përunjësinë, që mund të jetë margaritari i fshehur në humbje të tilla…