Rusia ka kryer sulme ndaj infrastrukturës kritike në rajonin e kryeqytetit ukrainas dhe ka nisur sulme ajrore në qytetin jugor të Mikolajivit më 13 tetor.
Sulmet e reja vijnë një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që e quan “ilegal” aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia.
Guvernatori rajonal i Kievit, Oleksiy Kuleba, tha se sulmet janë kryer me dronë të prodhuar nga Irani, që njihen si dronë kamikazë. Sipas tij, ekipet e shpëtimit kanë dalë në vendin e ngjarjes, por ende është e paqartë nëse ka viktima nga këto sulme.
Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i Zyrës presidenciale të Ukrainës, tha se dronët kanë goditur ndërtesa të infrastrukturës kritike.
Në Mikolajiv gjatë natës është bombarduar një ndërtesë banimi, teksa luftimet po vazhdojnë në mbarë frontin jugor të Ukrainës.
“Një ndërtesë pesëkatëshe e banimit është goditur, dy katet e sipërme janë shkatërruar plotësisht, ndërkaq pjesa tjetër e ndërtesës është nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit janë duke punuar në vendngjarje”, tha kryetari i Mikolajivit, Oleksandr Sienkovych, duke shtuar se ky qytet jugor ukrainas është “bombarduar në mënyrë masive”.
Ende është e paqartë nëse ka viktima nga bombardimet në këtë qytet.
Mikolajivi, një qytet-port buzë lumit Bug, afër Detit të Zi, ka qenë cak i bombardimeve të ashpra qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Rusia ka sulmuar edhe qytetin jugor të Nikopolit, në rajonin e Dnipropetrovskit, sipas kreut të administratës rajonale, Valentyn Reznichenko.
Ai tha se një person është plagosur rëndë, ndërkaq mbi 30 ndërtesa, tubacione gazi dhe linja elektrike janë dëmtuar.
“Mbi 2.000 familje kanë mbetur pa energji elektrike. Punëtorët e energjisë veçse kanë nisur punën” për të rregulluar dëmet, tha Reznichenko.
Serbia mbështet rezolutën e OKB-së
Më 12 tetor, më shumë se tre të katërtat e 193 anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së votuan në favor të rezolutës që e quan ilegale aneksimin e katër rajoneve ukrainase nga Rusia.
Ndër shtetet që mbështetën rezolutën ishin edhe Serbia, e cila së bashku me Turqinë – dy shtetet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian – refuzojnë të vendosin sanksione ndaj Rusisë.
Beogradi edhe në të kaluarën kishte votuar për rezoluta të ngjashme që dënonin pushtimin rus të Ukrainës, por ende vazhdon t’i rezistojë thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që t’i vendosë sanksione Moskës.
Vetëm Siria, Nikaragua, Koreja e Veriut dhe Bjellorusia iu bashkuan Rusisë, duke votuar kundër rezolutës. Ndërkaq, 35 shtete abstenuan nga votimi, përfshirë Kinën, Indinë, Afrikën e Jugut dhe Pakistanin.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në Twitter se ishte “mirënjohës ndaj 143 shteteve që mbështetën rezolutën historike të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Përpjekjet e Rusisë për aneksim janë të pavlera”.
Rezoluta “dënon organizimin e të ashtuquajturave referendume nga Federata Ruse brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht ”. Po ashtu, aty dënohen “përpjekjet për aneksim ilegal” të Hersonit, Zaporizhjës, Donjeckut dhe Luhanskut, që presidenti rus, Vladimir Putin, shpalli muajin e kaluar.
Rezoluta po ashtu u bën thirrje të gjitha shteteve të OKB-së dhe agjencive ndërkombëtare që të mos njohin ndryshimet e njoftuara të kufijve nga Rusia dhe po ashtu i kërkohet Moskës “që menjëherë të zhbëjë” këto vendime.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se votimi i kësaj rezolute tregon unitetin ndërkombëtar kundër Rusisë dhe përsëriti se Uashingtoni kurrë nuk do të njohë referendumet e rreme ruse.
Ky votim “është një përkujtues i fuqishëm se shumica e shteteve qëndrojnë me Ukrainën, në mbrojtje të Kartës së OKB-së dhe të bashkuar kundër luftës së Rusisë ndaj Ukrainës dhe popullit të saj”, tha Blinken përmes një deklarate.
“Me vetëm pak shtete që votuan së bashku me Rusinë sot, është e qartë se uniteti ndërkombëtar është i vendosur dhe mbështetja e Ukrainës në OKB dhe gjetkë është e palëkundur”, tha Blinken.
Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzia, tha para votimit në Asamblenë e Përgjithshme se rezoluta ishte “e politizuar dhe provokim i hapur”. Ai shtoi se kjo rezolutë “mund të shkatërrojë të gjitha përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të krizës”.
Votimi i rezolutës në OKB erdhi pasi muajin e kaluar Rusia vendosi veto ndaj një rezolute të ngjashme të paraqitur në Këshillin e Sigurimit.
Muajin e kaluar, Moska proklamoi aneksimin e katër rajoneve pjesërisht të pushtuara ukrainase – Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja – pasi mbajti referendume të rreme në to. Ukraina dhe aleatët e saj i cilësuan referendumet si ilegale dhe thanë se disa votues u detyruan, nën kërcënimin e armëve, që të merrnin pjesë në votime./REL