Një “Hagë” që e mban padrejtësisht si gjykatë, Kosova

5 Minuta Lexim
Nga Aleksander Çipa
Shamia e bardhë nuk e sfidon dot pikëllimën prej zonje që loton lot në zemër të Hirë Thaçit, ditën e kalljes në dhe, të Tinëzoti,- siç mund të thuhet në arbërishte. Haxhi Thaçi nuk ishte person publik në gjallje, por u bë publik në më shumë se hapësirën shqiptare, ditën që ndërroi jetë.
Vdekja e tij mblodhi në mort qindra bashkëkombës dhe pikëlloi dhe shtoi ndjeshmëri në disa milionë shqiptarë.
Tri ditë para se të ndalte frymën dhe të fshihej në dheun e të parëve të vet, i biri nën shoqëri policësh të Hagës, u la tri orë të shkëmbente një përqafim biri e babe dhe të thonin disa fjalë të pakta mes tyre.
Një ndër ato takime që derdhin një ujëvarë dhimbjeje në kraharor të çdo burri, pa nxjerrë as një pikë loti në sy.
Takimi mes Haxhi Thaçit në shtratin dhe çastet e pragikjes së tij nga jeta e frymtë, me të birin, ish President i Kosovës që gjendet prej katër vitesh e më tepër në burg, është një dramë e rrallë familjare.
Ai takim e plaku brenda tri orësh fytyrën e Hashim Thaçit. Imazhi i asaj fytyre, (ndërsa Hashim Thaçi zbriste shkallët e spitalit për rikthim në Hagë), riktheu lëndimin masiv në Kosovë dhe shumëkund.
Ai portret, ai shikim dhe gjestet prej udhëheqësi shtatdrejtë, e rritën ndjeshmërinë njerëzore në Kosovë më shumë se kurrë…
Tri ditë më vonë kur fryma e Haxhi Thaçit u ndal, mungesa e djalit të shtëpisë dhe sidomos pamundësia për fjalët shkëmbyese në të pame, janë boshësi e pambushme në jetën e ardhme të të zotit të shtëpisë dhe të njerëzisë rreth tyre…Mirënjohja dhe mesazhi i pamundur për përcjellje të babës së vet, prej shpallësit dhe firmosësit të aktit të Pavarësisë së shtetit që e pranoi dhe e mban në funksion Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale të Hagës, kanë marrë vlerën e një sfide morale dhe njerëzore për praktikën dhe protokollin burokratik të saj.
Hashim Thaçi me dramën e mortit të të atit në Kosovë ka sfiduar edhe një herë Gjykatën që e firmosi si krijues i saj dhe po e vuan si i pandehur me proces në kalendë.
Haga prej ditës së kësaj vdekjeje në Drenicë, ka marrë një goditje imazhi dhe referimi moral, të pakrahasueshëm me verdikte të shumta juridike të saj.
Fytyra e goditur me një rrudhë brenda një dite, duke ju mundësuar një leje tri orëshe për takim në spitalin e Prishtinës me babain në lëngimin e lamtumirës, e Hashim Thaçit, është një shuplakë e fortë morale dhe sidomos principi.
Kjo histori është një sfidë që ngjet mes një institucioni që e krijoi republika e re, për të hetuar krime dhe ndëshkuar autorë…. ndërkohë që në këtë status më të shumtë numerikisht , paradoksalisht janë njëherësh edhe krijuesit e saj(!) Janë ata që e firmosën krijimin e saj dhe që po konsumojnë hise të rëndë nga jeta e tyre si të pandehur që gjykohen kalvarisht prej saj dhe madje, në gjuhë të të tjerëve…
Fytyra e pikëlluar e Nënës së udhëheqësit të UÇK-së, e ish drejtuesit politik të shqiptarëve të Kosovës në Rambuje, e ish Presidentit të Kosovës dhe burrit që shkoi nga zyra presidenciale në dhomat e burgimit të Hagës është tashmë imazhi i një gjykimi që Haga nuk e arrin dot kurrë me asnjë version juridik të saj. (!)
Kjo Nënë shqiptare, në këtë imazh është brendia madhështore e një drame që ndodh mes hapësirës së jetës dhe kohës së ngushtë të një populli që doli nga lufta heroike çlirimtare, ndërton shtetin rishtar dhe pa dashje, hyn në kapitullin e kalvartë të burgimit të prijësve dhe bijve të vet… Një kapitull ndonëse individual por që krijon precedentin që nuk u jep mundësi as për përcjellje apo të pame, për mort krijuesve të saj (!)
Për këtë të padrejtë dhe natyrshëm dhe padrejtësi, e cila të shkakton plakje për një ditë, sikundër i dha Hashim Thaçit në rastin e ndarjes nga i Ati, asnjë gjykatë nuk merr barrë përgjegjësie dhe ndjeshmërie njerëzore…
Aq më pak kjo e Hagës, që e krijoi Kosova dhe e vuan veç ajo, për bij dhe çlirimtarë të saj.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull