Në përmbyllje të fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste me një tubim në Parkun Olimpik të Tiranës, kryeministri Rama shfaqi bindjen e plotë për një fitore të thellë në zgjedhjet e 11 majit.
Ai përsëriti parashikimin e bërë më herët në Kuç të Vlorës, se PS do të sigurojë të paktën 78 mandate në Kuvend.
“Jemi kthyer në fuqinë e pandalshme të rilindjes së Shqipërisë, ku do të qëndrojmë pas fitores historike të dielën e 11 majit,” – deklaroi Rama.
Në fjalimin e tij, ai sulmoi kundërshtarët politikë, duke thënë se ata nuk e kuptojnë se përse Partia Socialiste fiton gjithmonë më thellë.
“Ajo që kundërshtarët tanë nuk kanë për ta kuptuar kurrë është se nuk do na mundin dot po nuk kuptuan pse ne i mundim përherë e më thellë,” – u shpreh kryeministri, duke shtuar me ironi: “Ata thonë se nuk mundemi dot me vota. Se për të na mundur, duhet të jesh më i mirë se ne. Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka.”
Rama ironizoi edhe forcat e reja politike që janë futur në garë, duke i cilësuar si “dava humbësash” dhe duke theksuar se ato nuk përfaqësojnë asnjë ndryshim real.
Sipas tij, komentet që e konsideruan si propagandë parashikimin për 78 mandate janë të pavlefshme dhe do të përgënjeshtrohen nga rezultati i së dielës.
“Më të pakta 78 mandate”, përsëriti Rama me vendosmëri, duke e përmbyllur fushatën me një mesazh të fortë për mbështetësit socialistë dhe me pritshmëri të larta për rezultatin elektoral.
“Jemi kthyer në fuqinë e pandalshme të rilindjes së Shqipërisë ku do qëndrojmë pas fitores historike të dielën e 11 majit të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Asgjë asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për mua dhe për ju. Ajo që kundërshtarët tanë nuk kanë për ta kuptuar kurrë është se kurrë nuk do na mundin dot po nuk kuptuan pse ne i mundim përherë e m thellë.
Ata thonë se ne nuk mundemi dot me vota. Se të marrësh më shumë vota se ne duhet të jesh më i mirë se ne. Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka. Më të mirë kështu siç po shkojnë këto punë kam frikë se duhet të dalin nga maternitetit se në sheshet e Shqipërisë. Edhe ata prurje të reja, nuk ngjajnë me ne. Ngjajnë me kundërshtarët tanë. Dava humbësash. Janë larg me ne. Ne edhe artimetikisht do ngjitemi më lart, më e pakta 78 mandate. Ky është blof, ky është truk, ky është propagandë thanë disa duke komentuar memorandumin e Kuçit”, tha ai.