Dy organizatorë të një skeme kriminale mashtrimi me Call Center, që u shkaktuan qytetarëve europianë një dëm prej mbi 15 milionë eurosh, janë dënuar përfundimisht nga GJKKO me një total prej 23 vitesh burg.
Togat e zeza dhanë 12 vite burg për Jusel Micin dhe 11 vite burg për bashkëpunëtorin e tij Mendim Domi.
Treshja e gjyqtarëve, Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Rudina Palloj, më datë 17 qershor, vendosën po ashtu konfiskimin e 14 pasurive në pronësi të Micit dhe Domit, apo edhe familjarëve të tyre.
Të dy u shpallën fajtor për disa vepra penale, mashtrim kompjuterik, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash. Mici përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 8 vite burg, ndërsa Domi me 7 vite e 4 muaj burg. Dënimin do e kryejnë në një burg të sigurisë së lartë.
Gjykata vendosi konfiskimin e 14 pasurive të paluajtshme, përfshirë: apartamente, sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore e llogari bankare në shumën 195,763 euro, 417,454 lekë dhe 528,719 lekë. Gjithashtu, u konfiskuan të gjitha sendet e sekuestruara gjatë kontrolleve në subjektin “Telex” shpk, të cilat shërbyen si prova materiale në procesin penal.
Grupi me bazë në Tiranë u godit në dhjetor 2022, pas një kërkese të prokurorisë së Pizës në Itali dhe pas koordinimit me EUROJUST. Grupi mashtroi qindra qytetarë europianë, italianë, gjermanë e spanjollë, përmes mashtrimit me Call Center duke përfituar 15 mln euro.