A po i bashkon Izraeli vendet arabe?

3 Minuta Lexim

Nga Bahri Cani-

Pse vendet arabe janë kaq të përçara dhe a po i bashkon Izraeli vendet arabe? Këtë dilemë shtrojnë sot analistët gjermanë të ARD , të cilët vijnë në një konstatim domenthënës: Irani prej fillimit të sulmit të Izraelit po përjeton një lloj mbështetjeje madje edhe nga vendet rivale arabe.
Izraeli dhe Irani janë për momentin në luftë të drejtëpërdrejtë mes vete që nuk i prek shumë vendet fqinje. Por shqetësimet në rajon janë të mëdha, se lufta mund të përhapet.
Vendet arabe e kanë denuar sulmin izraelit ndaj Iranit, si një shkelje të sovranitetit të Republikës Islamike dhe shkelje të të drejtës ndërkombëtare.
Qëndrimet e vendeve arabe janë në kundërshtim me kumtesën e vendeve perëndimore të G7 ku thuhet se “Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet, ndërsa Irani shihet si përgjegjësi kryesor për destabilizim dhe terrori”.
Reagimet e vendeve arabe janë domethënëse: Jordania dhe Katari theksojnë miqësinë me Iranin, Arabia Saudite e quan Iranin madje edhe si “vend vëllazëror”.
Në reagimet e fundit janë zbutur madje edhe dallimet mes vendeve shiite dhe sunite.
Eksperti politik nga Egjipti Mustafa Kamel Sayyed thotë se “të gjitha vendet e Gjirit kanë vendosur ndërkohë raporte të mira me Iranin. Ndërsa në konfliktin më të fundit, pavarësisht afërsisë së disa vendeve me Amerikën, ato kanë janë duke mbajtur anën e Iranit, sepse ato nuk janë dakord me faktin që Izrali do të dominojë tërë rajonin.”
Me pasojat e luftës po njoftohen nga afër edhe Kuvajti dhe vendet e tjera.
Por disa vende kanë edhe shqetësime me sjelljen e Iranit, i cili me ndihmën e milicëve të ndryshëm mund të përhapë luftën në vende të tjera.
Megjithatë deri tani Huthi në Jemen, Hisbollallu në Liban dhe milicët shiitë në Irak kanë pasur disa aktivitete, por kryesisht simbolike. Shumë vende të rajonit kanë kërkuar nga Irani që të kujdeset që lufta të mos përhapet në rajon.
Ao janë të shqetësuara se veprimi i organizatave të ndryshme, si për shembull shiitëve në Irak ndaj ndonjë baze amerikane, mund të fusë në luftë të drejpërdrejtë edhe SHBA, që do të destabilizonte tërë rajonin.
Me një fjalë, shumë vende arabe e kanë mbrojtur në parim të drejtën e sovranitetit të Iranit, por ato kanë frikë se përhapja e luftës mund të ketë pasoja tepër të rënda.
Bllokimi i rrigës detare në Gjirin Persik do të bllokonte edhe rreth 20% të transportit të naftës.
Duke pasur parasysh diversitetin e interesave dhe dallimet mes vendeve të rajonit, nuk pritet ndonjë bashkëveprim kundër Izraelit. Por në përgjithësi, sulmi i Izraelit ka shkaktuar afrim në qëndrime mes shumë vendeve që deri dje kanë qenë në pozicione krejt të ndryshme.
Megjithatë, shumë vende të rajonit janë të shqetësuara në radhë të parë nga një destabilizim i përhershëm rajonal.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull