Kuvendi ka miratuar me 94 vota pro, Projektligjin për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit. Miratimi i projektligjit u abstenua vetëm nga një deputet, ndërsa nuk u dha asnjë votë kundër, ndonëse në seancë plenare të pranishëm që nuk votuan ishin 45 deputetë.
Projektligji erdhi pas kërkesës së Autoritetit për Informin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit pasi doli dosja se një person me iniciale I.M rezultonte të ishte bashkëpunëtor i ish-sigurimit të Shtetit.
Sipas Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ish-presidenti Ilir Meta përmendej në të paktën 140 faqe informacion në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit
Sakaq, Kuvendi miratoi dhe dy amendamentet e propozuara nga socialistët dhe demokratët se kushdo mund të tërheqë dosjen e tij, pasi të ketë argumentuar kërkesën. Nëse të dhënat e kujtdo që tërheq dosjen do të bëhen publike, atëherë do të mbajë përgjegjësi.
Miratimi i këtyre amendamenteve i hap rrugë verifikimit të të gjithë personave edhe pse kanë marrë certifikatën e pastërtisë si dhe verifikimit të të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.
“Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkoj një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjesëtim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni, Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë”, thuhet në amendamentin e dakordësuar mes palëve.