Kërkesa e Zelenskyt përpara takimit me Trump

4 Minuta Lexim

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, në një takim që shihet si vendimtar për të ardhmen e luftës në Ukrainë. Takimi zhvillohet vetëm pak ditë pas bisedimeve të Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska, të cilat nuk sollën rezultate konkrete por ngjallën shqetësime në Kiev dhe kryeqytetet evropiane për një qasje më të favorshme ndaj Moskës.

Në prag të samitit, Trump shkroi në rrjetin Truth Social se “Presidenti Zelensky i Ukrainës mund t’i japë fund luftës me Rusinë pothuajse menjëherë, nëse dëshiron, ose mund të vazhdojë të luftojë”. Ai përsëriti bindjen e tij se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë heqjen dorë nga pretendimet për Krimenë dhe mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO, një qëndrim i cilësuar i papranueshëm nga Kievi dhe aleatët e tij evropianë.

Zelensky, i cili mbërriti në Uashington mbrëmjen e djeshme, deklaroi se është mirënjohës për ftesën e Trump dhe se të gjithë kanë të njëjtin qëllim, për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt. Ai tha se do të kërkojë garanci të forta sigurie nga SHBA dhe aleatët evropianë, duke theksuar se pa to, çdo marrëveshje paqeje do të ishte e brishtë. Presidenti ukrainas u shpreh se është thelbësore që garancitë të funksionojnë në praktikë njësoj si Neni 5 i NATO-s, klauzola që e konsideron një sulm ndaj një shteti anëtar si sulm ndaj të gjithëve.

Ndërkohë, Steve Ëitkoff, i dërguari special i Trump, tha se gjatë bisedimeve me Putinin ishte arritur një “koncesion i rëndësishëm”, sipas të cilit SHBA do të ofronte mbrojtje të drejtpërdrejtë për Ukrainën, të ngjashme me garancitë e NATO-s. “Ishte hera e parë që dëgjova rusët të pajtoheshin për këtë gjë”, u shpreh ai për CNN. Por kritikët e shohin me shqetësim qasjen e Trump, duke paralajmëruar se insistimi për një “shkëmbim territori” do t’i jepte Moskës avantazh dhe kohë shtesë për të konsoliduar pozitat në fushëbetejë.

Në Uashington pritet të mbërrijnë edhe liderët kryesorë evropianë për të mbështetur Zelenskyn dhe për të paraqitur një qëndrim të përbashkët. Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidenti finlandez Alexander Stubb, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Grupi Euroazia theksoi se objektivat kryesore të evropianëve janë të saktësojnë detajet mbi garancitë e sigurisë të ofruara nga SHBA, të punojnë mbi përgatitjet për një takim të mundshëm trepalësh mes Putin, Zelensky dhe Trump, si dhe të kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territoreve.

Ndërkohë që përpjekjet diplomatike po intensifikohen, lufta në terren vijon. Autoritetet ukrainase raportuan se gjatë natës tre persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën nga një sulm me raketë balistike ruse në Harkiv, qytet pranë kufirit me Rusinë. Takimi mes Zelensky dhe Trump, i planifikuar të nisë në orën 13:15 sipas kohës lokale, shihet si një nga momentet më të rëndësishme për të përcaktuar nëse diplomacia do të hapë rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme për Ukrainën.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull