Shqiptarët të zhgënjyer nga Reforma në Drejtësi

3 Minuta Lexim

Pavarësisht mbështetjes së ndërkombëtarëve, Reforma në Drejtësi nuk ua ka kthyer shqiptarëve besimin tek drejtësia. Të pyetur nga Barometri në Euronews Albania se si funksionon drejtësia sot krahasuar me 5 vite më parë, 35.4% e tyre mendojnë se asgjë nuk ka ndryshuar.

Ndërsa 28.1% e tyre janë shprehur se sistemi jonë i drejtësisë është përkeqësuar. 6.7% e të pyeturve mendojnë se drejtësia është shumë me keq se sa ka qenë 5 vite më parë.

Vetëm 27.3% e të pyeturve mendojnë se sistemi i drejtësisë me reformimin është më mirë. Ndërsa shumë më mirë mendojnë vetëm 0.1%, një shifër shumë e ulët.

Tek ata që mendojnë se drejtësia është përkeqësuar, mbizotërojnë meshkujt me 41% dhe 28.8% e zënë gratë. Ndërsa tek ata që mendojnë se drejtësia është përmirësuar në 5 vitet e fundit. diferenca është më e vogël, por mbizotërojnë gratë me 28.9% dhe burrat zënë 25.9% të të pyeturve.

Të ndara sipas grupmoshave, ata që mendojnë se drejtësia është më mirë janë grupmosha 18-24 vjeç me 36.2%, pasuar nga grupmosha 65-75 vjeç me 34%, 55-64 vjeç që zënë 29.4%, 45-54 vjeç që zënë 24.9%, 25-34 vjeç me 23.9% dhe grupmosha që zë më pak hapësirë në këtë kategori, është 35-45 vjeç me 20.9%.

Ndërsa tek ata që mendojnë se drejtësia është më keq, mbizotëron grupmosha nga 25-34 vjeç me 41.2% pasuar nga grupmosha 35-44 vjeç që zënë 38.2%, 55-64 vjeç me 36.6%, 45-54 vjeç me 33.9%, 18-24 vjeç me 28.3% dhe hapësirën më të vogël e zë grupmosha 65-75 vjeç me 23.7%.

Shifrat nuk duken aspak premtuese as për të ardhmen e drejtësisë në vendin tonë. Të pyetur se si e shohin shqiptarët sistemin e drejtësisë 5 vite më vonë, vetëm 31.1% janë përgjigjur më mirë, shumë më mirë e shohin vetëm 0.2% e tyre, ndërsa 29.9% mendojnë se nuk do të ndryshojë asgjë.

25.4% mendojnë se drejtësia pas 5 vitesh do të jetë më keq dhe 5.6% mendojnë se do të jetë shumë më keq.

Të ndarë sipas gjinisë, tek ata që mendojnë se do të jetë më keq, mbizotërojnë burrat me 36.9%, ndërsa gratë zënë 25.2%.

Tek ata që presin një përmirësim të sistemit të drejtësisë, mbizotërojnë gratë me 31.7% dhe burrat zënë 30.9%.

Ndërkohë të ndarë sipas grupmoshave, tek ata që mendojnë se drejtësia do të jetë më mirë mbizotërojnë grupmoshat 18-24 vjeç dhe 65-75 vjeç. Ndërsa tek ata që mendojnë se drejtësia do të përkeqësohet, mbizotërojnë grupmoshat 25-34 vjeç dhe 35-44 vjeç.

Gjetjet janë të Barometrit në Euronews Albania, realizuar gjatë periudhës 9-21 shtator 2022, kryer nga MRB dhe Data Centrum, në nivel kombëtar me 1000 intervista ballë për ballë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull