Albin Kurti: Nuk tolerojmë prekjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës

2 Minuta Lexim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk do të lejojë prekjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.

Gjatë një fjalimi në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti foli për luftën e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, duke thënë se “ashtu siç veproi Serbia dje” me luftërat në Ballkanin Perëndimor, ashtu “po vepron Rusia sot”.

“Le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund për neve”, tha kryeministri Kurti.

Ai porositi se bota po përballet me rikthimin e politikës fashiste, që tha se po sponsorizohet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

“Pikërisht sot është rikthyer në rend të parë rëndësia e të qenit anti-fashist, kundër diskriminimeve me bazë gjinore, etnike, fetare, kundër çdolloj diskriminimi”, theksoi Kurti.

Kurti tha se Serbia dhe Rusia kanë lidhje historike e kulturore, “në linjat e autokracisë e të despotizmit, të agresionit dhe gjenocidit”.

Serbia është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Megjithatë, Beogradi ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë Moskën për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Kosova i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt. Po ashtu, institucionet u kanë ofruar strehim të përkohshëm disa gazetareve ukrainase.

Serbia ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe llogaritë në Moskën kur bëhet fjalë në bllokimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë dialog që ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve. Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, por Serbia thotë se do një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull