Programi qeverisës ‘Rama 4’ dhe kabineti i ri u votuan me 82 vota pro në Kuvend, në një seancë që zgjati vetëm 25 minuta për shkak të kaosit të krijuar nga opozita, e cila nuk e lejoi kryeministrin Edi Rama të mbajë fjalën.
Pasi deputetët e PD-së kontribuan drejtpërdrejt në përshpejtimin e procesit me veprimet e dhunës në Kuvend, Sali Berisha doli në një konferencë për mediat për të deklaruar se ajo që ndodhi ishte një skenar i parapërgatitur nga Rama, duke ‘harruar’ që kaosin e shkaktoi vetë opozita.
Berisha tha se me veprimet e sotme në Parlament, Rama ka shpallur luftë, teksa shtoi se PD tashmë duhet të kalojë në veprime.
“Natyrisht ky zhvillim dramatik meriton dhe duhet të marrë përgjigjen më të fortë dhe më të fuqishme. Jo në fjalë, fjalët nuk kanë aspak vlerë, por në veprime, në veprime, në veprime.
Me aktin e tij, ai faktikisht shkelmoi, shumëzoi me zero, asgjësoi vullnetin e të gjithë shqiptarëve që morën pjesë në votim.
Shpalli luftë të hapur, me një skenar të përgatitur, bashkë me kreun e parlamentit, që është një individ skllav i krimit dhe korrupsionit të vet dhe që tregoi se është i aftë të zbatojë çdo skenar të gatshëm që vjen nga Edi Rama dhe banda e tij”, tha Berisha./ TemA