Mbrëmjen e së shtunës, qindra të rinj nxituan të shkonin në zonën më të populluar të jetës së natës në Seoul për të festuar Halloween-in mes miqsh, por ndodhi e paimagjinueshme. Turma sa vinte e shtohej dhe bashkë me të edhe paniku i të rinjve të cilët e kishin gjithnjë e më të vështirë të merrnin frymë dhe të lëviznin për të dalë nga ajo zonë. Rreth 154 veta humbën jetën dhe qindra të tjerë janë të lënduar.
Ndërkohë që vendi është në zi kombëtare, autoritetet po përpiqen të zbulojnë përmes një hetimi të menjëhershëm sesi ajo që supozohej të ishte një festë përfundoi në një ngjarje të tmerrshme.
Një studente shqiptare, Antonela Hilaj e cila jeton në Korenë e Jugut mëngjesin e sotëm tregoi ekskluzivisht për “Goodmorning Albania” në Euronews.al detaje nga tmerri i përjetuar atje.
Ajo tha se teksa shihte videot fillimisht nëpër rrjete sociale e mendoi si një shaka për Halloëeen dhe duhet të kalonte thuajse 1 orë që të sqarohej ç’po ndodhte vërtetë.
Studentja tha se shkak i nisjes së shtyrjes së turmës ishte përhapja e fjalës së në një nga klabet e zonës ishin 2 personazhe shumë të famshëm (Youtube-r).
“Njerëzit 2 vjet pas Covid u turrën të gjithë, në orën 10:30 u hap fjala se ishin 2 personazhe të njohur. Aty nisën të shtynin dhe njerëzit që ishin në pjesën e poshtme në një rrugë të pjerrët nisën të shtyhen, duke e bërë edhe më të vështirë në një rrugë shumë të ngushtë. 100 mijë njerëz nuk është turmë e madhe për Korenë e Jugut, vite e shkuara kanë qenë mbi 200 mijë, por tragjedia ka ndodhur për shkak se rruga ka qenë shumë e ngushtë”- tregoi ajo.
“Gjëja më e tmerrshme ishte se kishte njerëz që ishin në jetë dhe njerëz që kishin humbur jetën në këmbë, të shtypur nga turma. Kanë qenë njerëz që janë ngjitur nëpër mure për të shpëtuar nga turma, pamjet video të filmuar nga njerëz të pranishëm tregojnë atë që ka ndodhur”,- përfundoi e reja shqiptare.