Nga Irena Beqiraj-
Historia , jo ajo e mësuar në telenovelat turke , por nëpër libra tregon se :
(1) në disa epoka, megjithëse të rralla, patriotizmi ishte shumë i detyrueshëm;
(2) patriotizmi i rremë është një nga infeksionet e vazhdueshme që vuan pjesa dërrmuese e njerëzimit dhe me sa duket vështirë se mund të shërohet.
Përshembull, Rusia revolucionare e Vladimir Leninit ishte një vend ku patriotizmi kërkohej me shumë me zë të lartë, por duke lexuar historinë John Reed mbi dhjetë ditët e para të Revolucionit të Tetorit, kupton se të paktën një e katërta e atyre ditëve ishte e mbushur me britma dhe ulërima dhe tre të katërtat të mbushura me një marrëzi të rafinuar, të zbukuruar nga patriotizmi.
Mjaftojnë disa sekuenca nga tubimi i djeshëm në shesh, ku nuk munguan as dezertorët politikë të dehur, as lotët e krokodilit e aq më pak këngët emocionale patriotike, për të dalluar infeksionin e rëndë edhe fatkeqësisht të pa shërueshëm të patriotizmit të rremë ndër nesh.
Ka dy shprehje në lidhje me patriotin që kanë një rëndësi të madhe për të kuptuar atë që ndodhi dje në shesh. E para është një deklaratë e Samuel Johnson e bërë në mbrëmjen e 7 prillit 1775, në Tavernën Mitre, ku ai tha se “patriotizmi është streha e fundit e maskarait “. Edhe e dyta shfaqet në Revolucionin Francez dhe është Thomas Carlyle i cili deklaroi se : “Patriotizmi është gjithmonë i infektuar nga hajdutët dhe maskarenjtë”.
E pra, të dy shprehjet na tregojnë se patriotizmi i vërtetë nuk ka nevojë as për lot e as për tubime , por kur ai behët streha e fundit e të keqes të gjitha janë të nevojshme.
Pra nëse në përgjithësi do të ishim dëgjues dhe vëzhgues të mirë dhe do t’i kushtonim vëmendje historisë, jo telenovelave turke, dhe mbi të gjitha do të kishim në zemër dëshirën për t’u kujdesur dhe për të ndihmuar në përmirësimin e kombit tonë, do ta kuptonim lehtësisht se ata që organizuan atë tubim janë patriotë të rremë, edhe tubimi ishte një performancë absurde .
Përkufizimi i patriotizmit, ose i të qenit patriot, nuk është shumë i vështirë për t’u kuptuar.
Patrioti është: “një person që e do, mbështet dhe mbron vendin e tij me përkushtim”. Kjo ndonjëherë mund të përfshinte edhe luftën për vendin tënd, veçanërisht kundër armiqve të fuqishëm, interesat dhe filozofitë e të cilëve janë në kundërshtim me tonat.
Si mund të jesh patriot nëse pavarësinë për të cilën UÇK-ja edhe populli i Kosovës luftoi kaq fuqishëm e ke tradhtuar përmes dredhive, mashtrimeve, ngacmimeve, gënjeshtrave dhe hileve, të pushtetit?
Si mund të jesh patriot kur abuzon me patriotizmin edhe e përdor atë si një mjet për të fituar më shumë pushtet a para apo, kur abuzon më të për ti shërbyer interesave të një vendi të huaj ?
Oh ! Le të kujtohemi që ata që organizuan tubimin e djeshëm ishin autorë edhe të Ballkani i Hapur. Ishin të njëjtët “patriotë”, të cilët për ti hapur rrugë eksportit të shalqirit të Divjakës po ndihmonin që Serbia ta pranonte Kosovën me raste, sipas deshirës se vet , sipas kushteve të saj, vetëm në iniciativa të filluara nga ajo , por jo në mënyrë multilaterale, ne marrëveshje të pavarura sic ishin p.sh marrëveshjet e CEFTA’S ku Kosova mund të ruate pavarsinë e vet .
E investuar plotësisht në miqësinë me Serbinë, për vite me radhë Tirana zyrtare nuk i kushtoi asnjë vëmëndje paralajmërimeve që i bënin politikanët e Kosovës mbi synimet reale të Serbisë në Ballkanin e Hapur.
Tirana Zyrtare nuk u tërhoq as kur politkanët e Kosovës i kujtuan se Serbia sillej ende si vend agresor me Kosovën dhe se përcillte në Ballkan interesat e Rusisë. Ajo nuk u tërhoq nga Ballkani i Hapur as kur Vuçiç thirri ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov në takim dhe as kur Serbia ishte i vetmi vend europian që nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë, madje vendosi ti dalë në krah Serbisë në Bruksel. Ajo nuk u tërhoq nga Ballkani i Hapur, as kur Vuçiç zhvendosi ushtrinë në kufi me Kosovën duke provokuar tensione në Veri.
Organizuesi i tubimit patriotik , në favor të triumfit edhe protagonizmit grotesk personal shkroi me ekspertë të huaj një plan personal individual kofidencial për marrëveshjen Kosovë Serbi , të pa diskutuar e të pa dakordësuar me intelektualë, historianë, diplomatë , kosovarë e shqiptarë, edhe për më keq pa e dakordësuar qoftë edhe me opozitën kosovare . Patrioti që organizoi tubimin e djeshëm, kërkonte ftesa e lutje për ndihmë nga Kryeministri shqiptar i Kosovës , përndryshe sillej si holandezët ose si faktorë “mbi palët” .
Dje në shesh nuk ishin trashëgimtarët legjitimë të përkushtimit të dorës në zemër, të premtimit, të ndjenjave më të mira për kombin. Ishin patriotët e rremë ato që premtimin përkushtimin e kanë për një PERSON, udhëheqësin e tyre të dashur, mesinë e tyre i vdekshëm, monarkun e tyre të veshur me lavdi!
“Duke parë dhe duke dëgjuar, bota ndryshon vë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë” : thoshte Konica.
E një prej tyre mësimeve të humbura të paaftë për ta mësuar është si të jemi patriotë të vërtetë.